E martë, 24 Nëntor, 2026

Grupi parlamentar i PS voton PRO përjashtimit të Elisa Spiropalit, “dalin nga rreshti” Bledi Çuçi dhe Erion Braçe

Share

Elisa Spiropali është zyrtarisht e përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Kërkesa është votuar këtë të martë gjatë mbledhjes së grupit ku vetëm dy deputetë nuk kanë votuar pro përjashtimit. Në krah të Spiropalit duke abstenuar kanë dalë deputetët Erion Braçe dhe Bledi Çuçi.

Vetë Spiropali s’ka qenë e pranishme në mbledhje ndërsa kërkesa për votim është paraqitur nga kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla. Pa shumë komente, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi ka deklaruar në mbledhje që: “morëm vendim në Asamble dhe quhet e përjashtuar”.  

Në mbledhjen e sotme nuk ka marrë pjesë as kryeministri Edi Rama, i cili pati përplasje me Spiropalin në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare së mbajtur më 14 nëntor në Gjirin e Lalzit. Në atë mbledhje Spiropali u përjashtua nga të gjitha forumet drejtuese të PS-së, kurse sot u zyrtarizua vendimi përmes votimit.

Përjashtimi erdhi pas kritikave të saj ndaj mënyrës së drejtimit të Partisë Socialiste dhe qeverisë, ku deputetja ka kërkuar ndryshim të modelit të drejtimit.

Me përjashtimin nga Grupi Parlamentar i PS-së, Spiropali vijon të mbajë mandatin e deputetes, por tashmë jashtë grupit parlamentar socialist.

Te tjera

Lajme te tjera