Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, i cilësoi një shpifje të politikës debatin e ditëve të fundit mbi inceneratorët.
Në një intervistë televizive ajo tha se “ato vepra publike janë aty në shërbim të komuniteteve. Nëse ka zyrtarë që kanë përfituar në kurriz të shtetit shqiptar është drejtësia aty. Por nuk mund të mohohet puna, mjafton të shkoni e ti shikoni. Gjithë kjo zallamahi shifrash që nuk i kuptojnë e kjo shpifësi e politikës nuk mund të jetë norma”.
Spiropali theksoi se “ne kemi sjellë dobi me ndërtimin e atyre veprave”, teksa vuri në dukje se “sa i përket drejtësisë ne e kemi bërë këtë ndarje që në 2013, duke i kthyer një pushtet kushtetues qytetarëve shqiptarë”.
Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke mos shkarkuar presidentin e Republikës Ilir Meta Spiropali tha se “ Kuvendi e ka shkarkuar Metën, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ne nuk gjykojmë mbi gjykimet e gjykatave. Ne respektojmë vendimin e GjK por kemi të drejtën e mendimit dhe gjykimit tonë. Ne gjykimin e kemi dhënë me votë, për ne e ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën”.
Ajo tha lidhur me procedurën për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm se “ka ardhur koha të konsultohemi, jemi të gatshëm t’i pyesim të gjithë. Madje edhe përmes një Këshillimi Kombëtar. Është bërë e vështirë të konsultohesh me opozitën, por me qytetarët dhe këdo që ka opinion për këtë çështje patjetër, por Kushtetuta përcakton disa kritere dhe patjetër që do t’i respektojmë”.
Ndërkohë lidhur me protestat e paralajmëruara të ish-kryeministrit Sali Berisha, Spiropali i ka konsideruar ato si protesta për hallin e tij, por që sipas saj do të përfundojmë si me 8 janar me 1 mijë veta.
“Puna e tyre është beteja e tyre. Çdo opozitë në botë kur ka zgjedhje vrapon për të treguar që është shumicë ndërsa tani opozita është fshehur. Basha si një turist tranzit ndërsa Berisha po i përdor këto zgjedhje si një varre për të përfunduar atë që nuk e përfundoi me 8 janar. Jam e sigurt që do të votojnë kandidatët e tyre”, tha ajo.
“I druhemi vetëm faktit që një opozitë e thërrmuar që i shërben interesave të dy njerëzve është jo e vlefshme. Një opozitë e fortë një mazhorancë e fortë është e mirë për vendin. Nuk është e lehtë të qeverisësh në një vend ku çdo dy vite ke molotovë, protesta, braktisje. Uroj që kjo fazë e adoleshencës politike të mbarojë e të kuptojmë që cilësia e debatit politik të jetë dakordësia. Kjo i shërben vendit e shumicës”, deklaroi Spiropali.