E premte, 24 Prill, 2026

SPAK përgatitet për reprezalje, një kryebashkiak tjetër në hetim, 33 zyrtarë të përgjuar me pajisje speciale, 500 telefona të sekuestruar dhe mbi 3 mijë përgjime

Share

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, raportoi në Komisionin e Ligjeve mbi punën e SPAK gjatë vitit 2024, duke dhënë sinjale të qarta se institucioni po përgatitet për një fazë hetimesh dhe goditjesh ndaj korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit. Në raportimin e tij, Dumani bëri të ditur se 33 zyrtarë të lartë janë proceduar penalisht, ndërsa një kryetar bashkie është marrë i pandehur dhe një tjetër ndodhet nën hetim për korrupsion aktiv në zgjedhje. Të dhënat e prezantuara tregojnë se gjatë vitit janë përgjuar mbi 3 mijë pajisje telefonike, janë sekuestruar mbi 500 celularë dhe kompjuterë, si dhe janë ekzekutuar mbi 2 mijë vendime gjykate, çka tregon një rritje të ndjeshme të efikasitetit hetimor krahasuar me vitin e kaluar. Dumani theksoi se SPAK po forcon përdorimin e teknikave të posaçme të hetimit dhe po zgjeron bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit zgjedhor.

Kush është kryebashkiaku në hetim?

Dumani u pyet nga deputeti Oerd Bylykbashi mbi krimin zgjedhor. Deputeti demokrat pati kritika mbi hetimin e krimeve zgjedhore në zgjedhjet e majit. Por Dumani reagoi ashpër, duke deklaruar se ata kanë gati dosjen për një kryetar bashkie të përfshirë në blerje votash. “Kemi marrë të pandehur një kryetar bashkie. Ndërkohë kemi nën hetim një kryebashkiak tjetër për korrupsion aktiv në zgjedhje. Kemi arrestuar disa persona, disa janë për gjykim. Kemi edhe 8 procedime penale që i kemi prioritet. Dhe do të kemi rezultate konkrete. Ka vend për të bërë më tepër, por duhet të kemi parasysh që jemi 20 prokurorë. Ne nuk jemi polici, as dogana e as tatime. Ne jemi prokurorë dhe kemi një detyrim kushtetues. Ne sa organizojmë punë, ne shohim me titra në media që dilni e thoni që blihen vota”, tha Dumani.

Kreu i SPAK: Kemi sekuestruar mbi 500 celularë

Atim Dumani theksoi gjithashtu rëndësinë e provës dixhitale si bazë e padiskutueshme në hetimet për korrupsion, pastrim parash dhe krim të organizuar. Në raportimin për vitin 2024, ai bëri të ditur se numri i telefonave celularë të sekuestruar për ekspertim ka shënuar një rritje rekord. “Gjatë vitit 2024, në Sektorin e Ekspertizës kanë ardhur për ekspertim 400 vendime ekspertimi për 841 prova digjitale, dhe konkretisht për 553 telefona celularë dhe tabletë, 110 kompjutera, 16 DVR dhe 162 prova të tjera digjitale. Kjo, krahasuar me vitet si më poshtë, është në rritje”, tha ai në Kuvend. Nga ana tjetër se hetimet për korrupsion janë rritur ndjeshëm në intensitet dhe rezultate. Sipas Dumanit, gjatë këtij viti janë proceduar penalisht 33 zyrtarë të lartë, ndërsa çështjet janë dërguar për ndjekje në gjykatë. “Numri dhe cilësia e hetimeve ka ardhur në rritje. Kemi arritur të nisim procedime të rëndësishme për korrupsion aktiv dhe pasiv të zyrtarëve të nivelit të lartë,” deklaroi Dumani.

33 zyrtarë të përgjuar me pajisje speciale

Ai informoi gjithashtu se janë përdorur teknika të posaçme të hetimit, përfshirë përgjimet me pajisje të interceptuara. Konkretisht, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 163 procedime penale ku janë përgjuar 3096 pajisje fundore (numra telefonikë dhe pajisje të subjekteve në përgjim). Edhe pse kjo përfaqëson një rënie prej 7,1% krahasuar me vitin 2023, Dumani e konsideroi këtë pjesë të një procesi më të sofistikuar dhe të përqendruar ndaj objektivave me prioritet të lartë. Përveç hetimeve, SPAK ka ekzekutuar 2046 vendime gjykate gjatë vitit, që përbën një rritje prej 22,6% në raport me vitin 2023. Dumani theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe përdorimi i skuadrave të përbashkëta hetimore ka qenë thelbësor në rritjen e efikasitetit. “Në kuadër të rekomandimit numër një, është rritur ndjeshëm numri dhe cilësia e hetimeve për korrupsion, me 33 zyrtarë të lartë të proceduar dhe çështje të dërguara në gjykatë, si dhe një rritje prej 8% të çështjeve nën hetim. Në zbatim të rekomandimeve numër dy dhe tre, SPAK ka intensifikuar përdorimin e teknikave proaktive të hetimit dhe ka arritur të zhvillojë hetime që nisin kryesisht me procedime të tilla, si dhe skuadra të përbashkëta hetimore të reja me partnerë ndërkombëtarë. Sa i takon rekomandimeve numër katër dhe pesë, ato janë përmbushur përmes forcimit të hetimit financiar dhe rritjes së sekuestrimeve e konfiskimeve në vlerën miliona euro. Rekomandimi numër gjashtë është zbatuar përmes trajnimeve të specializuara, mbështetjeve financiare dhe teknologjike në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë si Eurojust, Europol, Interpol, DEA, FBI, NCA e të tjerë. Sa i takon rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën kundër krimit të organizuar, në zbatim të rekomandimit numër një, krahasuar me vitin 2023, numri i çështjeve nën hetim për veprën penale të trafikut të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal është rritur në masën 3.3%. Rekomandimi numër dy për çështjet e terrorizmit është zbatuar me nisjen e dy procedimeve dhe dërgimin në gjykim të një çështjeje për financim të terrorizmit. Sa i takon rekomandimit numër tre, është realizuar përmes identifikimit dhe intensifikimit të hetimeve për pastrimin e parave. Ndërsa rekomandimi numër katër ka sjellë rritjen e bashkëpunimit me MANIVAL dhe Eurojust për hetimet financiare. Në zbatim të rekomandimit numër pesë, janë përdorur teknika të posaçme të hetimit në procedime penale me pajisje të interceptuara.  Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 163 procedime penale, ku janë interceptuar 3096 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim). Krahasuar me vitin 2023, numri i pajisjeve fundore të interceptuara është 7,1% më i ulët (3335 pajisje fundore të interceptuara gjatë vitit 2023). Për vitin 2024 janë ekzekutuar 2046 vendime gjykate, çka shënon një rritje në masën rreth 22,6% (në krahasim me 1669 vendime gjykate për vitin 2023)”, tha ndër të tjera Dumani.

Pse s’u arrestua ‘Visi i Pojës’? Dumani i përgjigjet akuzave të opozitës

Altin Dumani iu përgjigj dje  opozitës në Komisionin e Ligjeve për operacionin Ura, ku u shpall në kërkim Elvis Doçi, i njohur edhe si Visi i Pojës. Akuzave se ka mbajtur në sirtar urdhëarrestet, që shpesh herë janë artikuluar edhe nga Berisha, sipas të cilit Dumani nuk veproi me qëllim para zgjedhjeve të 11 majit, Dumani iu dha një përgjigje shtresuese. Deputetëve të opozitës ju sqaroi se vendimi për caktimin e masave është dhënë më 5 ose 6 maj dhe më pas është koordinuar takimi me homologët e Barit dhe u caktua data 21 maj për ekzekutimin e urdhërarresteve. Pyetjes së përse nuk u arrestuan, Dumani iu përgjigj duke thënë që kjo nuk është detyra e SPAK, por e Policisë së Shtetit. “Operacionit URA e kam deklaruar publikisht se prokuroria ka depozituar kërkesën për caktim mase sigurimi në muajin mars të vitit 2025. Vendimi i caktimit të masës është dhënë nga data 5 ose 6 maj dhe të njëjtën ditë është komunikuar me kolegët anëtar të barit, është koordinuar takim në shqipërim në datën 7 maj, dhe ata kishin punë përgatitore për të bërë se shumica e autorëve u arrestuan në Itali dhe u fiksua data 21. Pse nuk u arrestuan, arrestimin e di shumë mirë, që nuk është detyra e SPAK. SPAK administron vendimin e gjykatës, nxjerr urdhrin dhe ngarkon policinë e shtetit. Nuk mund të na e kërkosh këtë përgjegjësi neve”, tha Dumani. Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, është akoma në kërkim në kuadër të operacionit ‘Ura’ që çoi në çmontimin e grupeve kriminale të trafikut të drogës, në bashkëpunim me autoritetet e Barit. 

Mandati 9-vjeçar? Dumani jep ‘dorëheqjen e parakoshme’

Vetë Altin Dumani thotë kur t’i përfundojë mandati 9-vjeçar si prokuror i SPAK nuk do të rikandidojë sërish. Por, në Komisionin e Ligjeve ku po prezantoi raportin e 2024-ës, Dumani ngriti shqetësimin e tij që prokurorëve të SPAK tu jepet mundësia e rikandidimit pas mandatit 9-vjeçar. Kjo, pasi Dumani tha se vetëm brenda një viti (2028) u përfundon mandati 11 prokurorëve të posaçëm. Dumani tha se është e pamundur që t’i zëvendësosh, aq më tepër që ata kanë çështje që po i ndjekin për vite me radhë. Dumani tha se kjo cenon hetimet, ndërsa theksoi se nuk e kemi luksin që prokurorë që janë të trajnuar për të hetuar krime të sofistikuara, ti kalojmë në Prokurorinë e Përgjithshme. “Në përfundim të mandatit tim nuk do rikandioj. Unë flas në emër të institucionit, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti. Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet. Vlerësoj se nuk kemi aq shumë burime njerëzore, se po të kishim s’do duhej gjithë ajo reformë, sa ti zëvendësojmë këta prokurorë, 11 prokurorë në një vit. E dyta është tjetra, këta prokurorë kanë çështje që i ndjekin me vite të tëra dhe në një moment ty bukur ti i thua mandati jot mbaroi s’ke më punë me çështjen, penohen hetimet në këtë drejtim. Shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë prokurorësh për tu rritur profesionalisht për të krijuar imunitet ndaj politikës, biznesit e krimit të organizuar dhe megjithëse është bërë gjithë ky investimin, i thuhet prokurorit të posaçëm, pa paragjykuar prokurorët e përgjithshëm. Nuk kemi luksin që një prokuror i specializuar për hetimin e një kategorie të veçantë krimesh ta çojmë në një prokurori të përgjithshme, dhe nga një krim i sofistikuar të fillojë të hetojë vjedhje të thjeshta, kanosjen, shkeljet e rregullave të qarkullimi rrugor”, tha Dumani.

Te tjera

Lajme te tjera