Pas kërkesës së SPAK për arrestimin e tij për aferën e inceneratorëve, deputeti i PS-së Alqi Bllako ka vendosur që t’i paraqesë kryetares së Kuvendit, dorëzimin e mandatit të deputetit. I tronditur nga kërkesa për ndalimin e tij, siç pohon edhe vetë në një shkrim në rrjetet sociale, Bllako shprehet i bindur se një proces i paparagjykaur dhe i drejtë do të provojë lehtësisht pafajësinë e tij. Deputeti shkruan se ai kurrë nuk ka shkelur ligjet e vendit, e madje, as nuk ka kthyer etikën e detyrës që ka ushtruar.
‘Nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë’, thotë Bllako, ndërsa shton se nuk dëshiron që të përfitojë, apo t’i ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar i vendit. ‘Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.’– shkruan deputeti socialist, teksa njofton dorëzimin e mandatit.
Në reagimin e tij të shkurtër, Bllako thotë se si shërbëtor publik, e di që çdo angazhim vjen me çmimin e përbaltjes politike dhe padyshim me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë. Për ta përmbyllur, deputeti socialist, shkruan se ‘mezi pret të provojë të vërtetën për miqtë e padyshim dhe për armiqtë’.
‘Të nderuar miq! Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar! Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë.
Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik. Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë! Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen! Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!’- shkruan Alqi Bllako.
Me dorëzimin e mandatit të deputetit Alqi Bllako, vendi i tij do të plotësohet një tjetër socialist nga lista e kandidatëve të zgjedhjeve të 25 prillit në 2021. Në bazë të votave dhe pas Ballko është emri i Pandeli Majkos, i cili është renditur i 19-i dhe mori 8780 vota dhe Dallëndyshe Bici e listuar në numrin 21 me një sasi votash prej 4977.
SPAK ka ekzekutuar 9 urdhër arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit. Ndërkohë janë lëshuar edhe 5 urdhër-arreste të reja për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Nga 9 urdhër arrestet, 7 janë masa sigurie ‘arrest me burg’ dhe 2 në arrest shtëpie. Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë ‘arrest me burg’, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohet zyrtarisht nga prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
SPAK i ka kërkuar Kuvendit leje për arrestimin e deputetit të PS, Alqi Bllako. Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Florjan Muçaj, Klodian Zoto si dhe Arenc Myrtezani janë lënë në qeli ndërkohë që 2 gratë Sabina Cenameri si dhe Etleva Kondi janë lënë në ‘arrest shtëpie’. Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë anëtarë të Komisionit të Prokurorimit për Inceneratorin e Fierit.