E shtunë, 18 Prill, 2026

Sot 14 Marsi, si lindi “Dita e Verës” dhe historia e festës

Share

Në mbarë vendin sot zhvillohen festime me rastin e Ditës së Verës, një nga festat tradicionale më të njohura në Shqipëri.

Që nga kohët e lashta, qendra simbolike e kësaj feste ka qenë qyteti i Elbasanit. E njohur si dita që shënon largimin e dimrit dhe ardhjen e stinës së ngrohtë, Dita e Verës është kthyer ndër vite në një traditë që festohet jo vetëm nga banorët e Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit, veçanërisht në Tiranë.

Sipas traditës, origjina e kësaj feste lidhet me faltoren e Zanës së Çermenikës, e ndërtuar në zonat përreth Elbasanit. Në mitologjinë vendase, Zana konsiderohej perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Gojëdhënat tregojnë se ajo dilte nga faltorja e saj më 14 mars, duke simbolizuar ardhjen e pranverës dhe rigjallërimin e natyrës. Me kalimin e brezave, kjo festë popullore është bërë një nga simbolet identifikuese të qytetit të Elbasanit, i njohur për traditat e tij kulturore.

Çdo vit, shumë vizitorë nga zona të ndryshme të vendit udhëtojnë drejt Elbasanit për të festuar këtë ditë dhe për të shijuar gatimet tradicionale të zonës. Ndër më të njohurat janë ballokumet dhe revani, por edhe ushqime të tjera si gjeli i detit, arrat dhe palat e fikut. Këto të fundit u dhurohen tradicionalisht fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita urimi në shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Sipas tregimeve të të moshuarve, përgatitjet për festën nisnin që një natë më parë, kur familjet mblidheshin në shtëpitë e tyre për të kremtuar së bashku. Në agimin e ditës së festës, të moshuarit hapnin derën e shtëpisë për të simbolizuar mikpritjen dhe bujarinë, mbushnin shtamën me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një tufë bari të gjelbër. Ndërkohë, të rinjtë kujdeseshin për pemët në oborr, duke plehëruar portokallet dhe ullinjtë.

Dreka e Ditës së Verës ishte një moment i veçantë për familjet elbasanase, të cilat shpesh e kalonin këtë vakt në natyrë, duke organizuar edhe lojëra popullore. Në Elbasan dhe në Peqin festohet gjithashtu edhe “nata e verës”, nata para datës 14 mars, e cila shoqërohet me tryeza festive me mish, raki, gjel deti, ballokume dhe ëmbëlsira të tjera. Në këtë ditë, qytetarët shkëmbejnë urime për shëndet, jetë të gjatë dhe mbarësi.

Te tjera

Lajme te tjera