Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar në mënyrë të detajuar dosjen penale ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke zbërthyer elementët kyç të skemës së lobimit me fonde të dyshuara si të pista. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z. Kara hedh dritë mbi dokumentet bankare, emailet, firmosjet dhe dëshmitë që mund ta fundosin Metën përballë drejtësisë. Më tej ai bën me dije se Meta nuk është thjesht i përfshirë, por përfituesi i drejtpërdrejtë politik i kësaj skeme, ndërsa Kryemadhi, Vasili dhe Braimllari kanë shërbyer si mburojë ligjore dhe ekzekutorë formalë. Sipas tij, tentativat për t’u paraqitur si viktimë janë pjesë e një strategjie mbrojtëse tashmë të lexueshme. Ndërkohë në analizën e tij të thelluar, juristi Romeo Kara thekson se nëse provat që ndodhen në dosjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) konfirmohen në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), sipas tij, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta rrezikon jo vetëm fundin e karrierës politike, por edhe deri në 15 vite burg.
-Zoti Kara, a është Ilir Meta viktimë e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, apo po përdor Kryemadhin, Vasilin dhe Braimllarin si mburojë për të shpëtuar veten nga përgjegjësia penale për lobimin me para të pista në SHBA?
Ky pozicion mesa duket po përdoret nga mbrojtja e tij për të shpërndarë përgjegjësinë dhe për të ndërtuar një linjë që e shkëput Metën nga çdo marrëdhënie direkte me pagesat dhe origjinën e tyre. Besoj se edhe SPAK-u i ka marrë në konsideratë faktet dhe provat që mund të jenë pro tij, pasi kur shkohet drejt komunikimit të akuzës duhet formuar një bindje e plotë për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm. Duke parë trendin e thellimit të hetimeve dhe prishjen prej kohësh të qetësisë së Metës, me siguri që varianti i Metës viktimë e bashkëpunëtorëve të tij, ka rënë prej kohësh, të paktën për prokurorinë dhe ata që e dinë të vërtetën dhe që e kanë njohur mirë funksionimin e LSI-së dhe Metës në atë kohë. Por për të funksionuar sado pak varianti i viktimizimit metian duhet:
- Të ketë mungesë të provave që lidhin Metën drejtpërdrejt me pagesat (shënime, emaile, urdhëra bankarë, komunikime të drejtpërdrejta me lobistët).
- Të krijohet një narrativë bindëse se, ai është mashtruar ose lënë në errësirë, gjë që nuk është e lehtë për një figurë politike që njihet për kontroll të fortë mbi strukturat e partisë.
Ky skenar presupozon se: Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Endrit Braimllari kanë vepruar në mënyrë të pavarur apo me tejkalim kompetencash në procesin e lobimit dhe se Ilir Meta është informuar pas faktit ose ka pasur njohuri të kufizuara për natyrën reale të transaksioneve dhe burimit të fondeve të tyre. Ky version do të kërkonte prova që tregojnë se dokumentet, firmosjet dhe kontaktet me firmat lobuese amerikane janë zhvilluar jashtë dijenisë ose me keqinformimin e tij. Ky pozicion do të përdoret padyshim nga mbrojtja për të shpërndarë përgjegjësinë dhe për të ndërtuar një linjë që e shkëput Metën nga çdo marrëdhënie direkte me pagesat dhe origjinën e tyre dhe që në fakt do të synojë të heqë çdo përgjegjësi prej tij duke rënduar atë të bashkëpunëtorët të tij. Në kundërshtim me këtë diskurs të mbrojtjes së Metës, unë kam bindjen e plotë se, Ilir Meta ka qenë përfituesi politik dhe imazherik i lobimit në SHBA, sidomos në kohën kur kërkonte të ndërtonte profil ndërkombëtar si President apo si lider opozitar, se transaksionet e dyshimta janë kryer nga persona të afërt me të, me lidhje direkte partiake dhe familjare, si gruaja e tij (Kryemadhi) dhe bashkëpunëtorë të ngushtë (Vasili, Braimllari), se përdorimi i këtyre individëve mund të ketë pasur si qëllim krijimin e një distance formale ligjore, ndërkohë që kontrolli real dhe përfitimi i drejtpërdrejtë politik i përkiste Metës.
Ky skenar mbështetet më lehtë pasi, ekzistojnë prova që tregojnë se, Meta ka qenë në dijeni të plotë të mënyrës se, si u siguruan dhe u transferuan fondet, se ka dëshmitarë (si lobistë, bankierë, zyrtarë të LSI-së) që e lidhin atë drejtpërdrejt me vendimet për pagesat ose me mbikëqyrjen e procesit, gjë që do të thotë se bashkëpunëtorët e ngushtë janë përdorur si “njerëz me përgjegjësi formale”, ndërsa Meta ka qëndruar në sfond për të shmangur përballjen me ligjin. Elemente që besoj se janë ndjekur për të ndriçuar të vërtetën janë: dokumentet bankare që tregojnë se, kush ka firmosur dhe autorizuar pagesat, korrespondenca elektronike (email, ËhatsApp, mesazhe) mes zyrtarëve të LSI-së dhe firmave lobuese, roli i kompanive offshore që mund të kenë maskuar origjinën e parave, deklaratat noteriale apo kontratat me firmat lobuese, kush i ka nënshkruar dhe çdo dëshmi e personave të përfshirë direkt (si lobistët në SHBA) që mund të kenë folur me Metën personalisht. Siç duken bathët, ka qenë Meta që ka përdorur Kryemadhin, Vasilin dhe Braimllarin si tampon penal, duke pasur të bëjmë me një skemë tipike të mashtrimit me figura të ndërmjetme, për të mbrojtur nga përgjegjësia personin që komandon politikisht dhe përfiton realisht.
-Kur Meta flet për “veprime pas shpine” dhe “komplot” nga njerëzit e tij më të afërt, a kemi të bëjmë me një strategji mbrojtjeje, apo me rrëzimin përfundimtar të një strukture politike të ngritur mbi besnikëri të verbër dhe mosllogaridhënie?
Kur Ilir Meta flet për “veprime pas shpine” dhe “komplot” nga njerëzit e tij më të afërt, përballë një hetimi penal për lobim me para të dyshuara si të pista, kemi të bëjmë njëkohësisht me dy zhvillime të ndërthurura thellësisht, që përfaqësojnë si një strategji të mundshme mbrojtjeje, ashtu edhe simptomën e rrëzimit të një strukture të kalbur politike. Kur një figurë si Meta përdor publikisht terma si “komplot”, “tradhti”, “veprime pas shpine”, kjo është një manovër klasike për të krijuar distancë penale mes tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, me synimin që të pozicionohet si i mashtruar apo i manipuluar dhe jo si drejtues i skemës. Ai po tenton të përgatisë opinionin publik dhe ndoshta gjykatën për një linjë mbrojtjeje ku ai del i pastër, ndërsa përgjegjësitë transferohen tek të tjerët. Nëpërmjet kësaj narrative ai po tenton gjithashtu të sinjalizojë (ndoshta edhe të frikësojë) bashkëpunëtorët, që mund të bashkëpunojnë me drejtësinë: “Unë e di kush më tradhtoi prandaj po ju ekspozoj” dhe të provojë se, ai nuk kishte dijeni ose nuk e kishte autorizuar përdorimin e fondeve të dyshimta, dhe se veprimet janë bërë në emër të tij, por pa miratimin e tij. Ky është një rasti tipik ku lideri përpiqet të ndajë fatin e vet nga struktura që e ka ndërtuar vetë, për të mbijetuar personalisht, një sjellje e njohur në momente kolapsi politik apo penal.
Nga ana tjetër, deklaratat e Metës nuk janë vetëm manovër taktike, pasi ato janë gjithashtu simptomë e shpërbërjes së një modeli politik që ka funksionuar për dekada në Shqipëri: Një strukturë e ndërtuar mbi besnikëri të verbër, jo mbi institucione reale partiake apo llogaridhënie publike; Një sistem ku pushteti përqendrohej në një figurë të vetme (Metën), ndërsa të tjerët ishin ekzekutorë të bindur, shpesh edhe noterë të korrupsionit; Kur sistemi përballet me drejtësinë, lidhjet e brendshme nisin të tejçakordohen aq sa po të mos i njohësh faktet, zor se e merr vesh: kush mban përgjegjësi, kush flet, kush mbron veten etj. Në këtë kontekst, fjalët e Metës janë një shenjtërim i hipokrizisë politike, sepse ai flet për “komplot”, por është vetë krijuesi i një strukture që nuk lejonte mendim të lirë dhe as përgjegjësi të ndarë. Prandaj, rrëfimet e tij mund të lexohen si akt i fundit i një perandorie politike që po shembet mbi vetveten, pikërisht sepse u ndërtua mbi fshehtësi, manipulim, klientelizëm dhe pa asnjë mekanizëm të brendshëm transparence. Ilir Meta, duke akuzuar bashkëpunëtorët për “komplot”, po luan kartën e fundit të një politike të konsumuar: ku po sakrifikon gjithçka rreth vetes për të shpëtuar veten. Në këtë proces, ai po ekspozon publikisht rrënimin e një modeli sundimi të korruptuar, që tani nuk mund të mbahet më as me lojalitet, as me frikë, dhe as me heshtje. Në fund, e vërteta mund të mos qëndrojë as te komploti, as te viktimizimi, por te bashkëfajësia, që tani thjesht po shembet në publik.
-Duke parë aktet zyrtare dhe përmbajtjen e dosjes, a po shkon Ilir Meta drejt një fundi politik dhe penal të pashmangshëm, apo ka ende hapësirë ligjore për të manovruar? Çfarë rrezikon Meta… A është Ilir Meta drejt një fundi politik dhe penal të pashmangshëm?
Sigurisht që po, nëse përgjatë gjykimit do të provohen akuzat ndaj tij si: transferta financiare të dyshimta, ku janë përfshirë kompani offshore, firma lobuese në SHBA dhe persona të lidhur drejtpërdrejt me Metën (Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Endrit Braimllari); Dyshime për pastrim parash, falsifikim dokumentesh, deklarime të rreme, dhe përdorim fondesh të padeklaruara për përfitime politike dhe personale; dhe Lidhje direkte të tyre me Metën si përfitues i vetëm politik i kësaj skeme lobimi, e cila synonte të ndërtonte profilin e tij ndërkombëtar në mënyrë të paligjshme. Në këtë rast, fundi penal do të sillte edhe fundin politik për Metën, jo vetëm për shkak të vendimeve gjyqësore, por sepse besueshmëria dhe fuqia e tij në opinion dhe në rrethin politik do të shembej plotësisht.
–Çfarë rrezikon Ilir Meta konkretisht?
Në varësi të akuzave dhe provave, ai rrezikon rreth 15 vite burgim nga ana penale dhe rënie të plotë të besueshmërisë publike dhe izolim politik shoqëruar me një rrezik për shpërbërje të PL-së ose ndarje të fortë brenda strukturës, dëmtim pa kthim të marrëdhënieve me faktorët ndërkombëtarë, sidomos SHBA, për shkak të lobimit të dyshimtë dhe mbyllje përfundimtare të rrugës për rikthim në rol institucional, qoftë si deputet, qoftë si figurë udhëheqëse.
Intervistoi: Rigels Seliman
