Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar publikisht duke akuzuar qeverinë për ndërtimin dhe mbrojtjen e një sistemi ekonomik të padrejtë, i cili, sipas saj, rëndon mbi shumicën e qytetarëve dhe godet veçanërisht shtresën e mesme. Në një postim në rrjetet sociale, ajo thekson se vendimmarrjet ekonomike kanë favorizuar vazhdimisht një grup të kufizuar në kurriz të interesit publik.
Sipas Tabakut, qeveria ka zgjedhur të mbrojë një model që i shërben pushtetit dhe një pakice të privilegjuar, duke lënë në plan të dytë qytetarët.
“Sa herë që është dashur të zgjidhet mes qytetarëve dhe sistemit, është zgjedhur sistemi”, shprehet ajo.
Deputetja kritikon edhe politikat fiskale aktuale, të cilat, sipas saj, rëndojnë mbi punën dhe prodhimin, duke goditur drejtpërdrejt shtresën e mesme.
“Shtresa e mesme, që është shtylla kurrizore e ekonomisë, po mbitaksohet çdo ditë e më shumë”, thekson Tabaku, duke shtuar se ndërkohë një pjesë e vogël përfiton lehtësira përmes ligjeve të posaçme.
Ajo argumenton se ky model ekonomik ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve, duke ulur të ardhurat reale dhe duke rritur barrën fiskale.
“Qytetarët paguajnë më shumë taksa, por marrin më pak në këmbim”, u shpreh Tabaku, duke kritikuar gjithashtu mënyrën se si shpenzohen fondet publike.
Në reagimin e saj, Tabaku lidh situatën ekonomike me nivelin e ulët të fuqisë blerëse dhe rritjen e çmimeve, duke theksuar se korrupsioni dhe monopolet janë, sipas saj, pasoja direkte të këtij modeli.
“Ky sistem ka krijuar më shumë barrë për shumicën dhe më shumë privilegje për pakicën”, tha ajo.
Në përfundim, deputetja e PD bën thirrje për ndryshim politik, duke theksuar se vetëm një model i ri qeverisës mund të vendosë në qendër interesin e qytetarëve dhe të rikthejë balancën në ekonomi.
Reagimi i plotë i znj. Tabaku
Socialistët po mbrojnë me çdo kusht dhe formë sistemin e pandershëm që kanë ngritur dhe që i mban ata në pushtet. Sa herë që bëhet fjalë për të zgjedhur mes qytetarëve dhe sistemit, ata zgjedhin këtë të fundit.
Kanë ndërtuar një sistem që mbitakson shumicën e shqiptarëve që punojnë dhe veçanërisht shtresën e mesme. Sa më shumë të punosh, aq më shumë taksohesh. Ky është rezultati i një sistemi të pandershëm dhe të korruptuar që mbitakson shtyllën kurrizore të vendit, shtresën e mesme, ndërsa voton ligje me porosi për pakicën.
Ky realitet ka deformuar edhe ekonominë e vendit tonë, aq sa sot barra më e madhe e taksave është mbi djersën e punës së qytetarëve, të cilët çojnë gjithnjë e më pak para në shtëpitë e tyre, sepse shteti i takson më shumë. Ata që punojnë dhe krijojnë vlerë të shtuar në ekonomi mbitaksohen, ndërkohë që një pakicë që përfiton vetëm benefite dhe menaxhon taksat e shqiptarëve përjashtohet nga taksat me ligje me porosi.
Kështu, shtresa e mesme mban barrën e madhe të një ekonomie dhe paguan faturat e korruptuara të projekteve korruptive.
Një sistem i pandershëm. Një sistem i korruptuar. Një sistem i dështuar. Sistemi që miliona euro tendera dhe koncesione i investon në projekte ineficiente dhe pa asnjë vlerë të shtuar në ekonomi. Qytetarët paguajnë më shumë taksa, marrin më pak të ardhura, ndërsa projektet dhe PPP-të e qeverisë janë ineficiente dhe korruptive.
Nëse sot jemi ende vendi më i varfër në rajon, me fuqinë blerëse më të ulët në rajon, kjo vjen sepse kemi ngritur këtë model të gabuar dhe të rrezikshëm ekonomik. Një model që promovon korrupsionin dhe monopolet dhe që është arsyeja pse sot 95% e shqiptarëve paguajnë më shumë: më shumë taksa, çmime më të larta dhe më pak të ardhura.
Për të ndryshuar këtë sistem, për të tharë moçalin e këtij sistemi, na duhet ta ndryshojmë këtë shumicë. Na duhet të mos kemi këtë qeveri të pakicës.
