E hënë, 13 Janar, 2025

Shqipëria me sytë nga Dubai për naftë, Rama me furnizuesit: Bord për kontrollin e çmimit, abuzuesit humbin pikën e karburantit! Transparencë çmimi çdo ditë, krijojmë rezervë shtetërore të naftës

Share

Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit do të kontrollojë çmimin e naftës në vend dhe nëse dikush do të vendosë një çmim ndryshe, do të humbasë pikën e karburantit. Kështu deklaroi prerazi kryeministri Edi Rama sot gjatë takimit me furnizuesit e naftës në vend, teksa i tha se ata nuk do të shkojnë në shtëpi me humbje, por kurrsesi me fitim në situatën ku ndodhet vendi.

Kreu i qeverisë deklaroi se brenda 24 orëve do të ketë një akt normativ për t’i dhënë mundësi qeverisë të hyjë në administrimin e furnizimit me naftë, bashkë me furnizuesit, ndërsa anëtarët e Bordit të Administrimit të Karburanteve do të jenë: ministrja Belinda Balluku, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi, drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli si dhe kryetari i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba.

Kryeministri u shpreh se Bordi, bashkë me furnizuesit do të takohen çdo ditë për të përcaktuar çmimin e naftës në varësi të lëvizjes së tij në tregjet botërore dhe ky çmim do të jetë transparent për të gjithë qytetarët. Po ashtu Rama tha se do të krijohet edhe rezerva shtetërore e naftës duke përdorur Albpertol, në mënyrë që kjo rezervë të përdoret në raste se në vend do të ketë mungesë të furnizimit me karburant. Rama tha se problemi më i madh sot nuk është kosto por mungesa e produktit. Ai deklaroi se janë në bisedime me Emiratet e Bashkuara duke theksuar se kjo ishte arsyeja e takimit të tij me princin e kurorës.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku paralajmëroi se nga nesër do të nisin kontrolle në terren për rezervën e naftës së sigurisë që duhet të kenë furnizuesit dhe nuk ka respektuar detyrimin, do gjobitet me 50% të vlerës së sasisë së naftës që mungon.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, çmimi i naftës ka arritur në nivele rekord në vend, gjë që ngjalli protesta në të gjithë vendin.

Rama: Do bëjmë transparencë çmimi çdo ditë! U takuam me princin e Arabisë Saudite për të mbajtur lidhjet për furnizimin me naftë

Kryeministri Edi Rama tha se do të bëjë transparencë çmimin dhe rezervën faktike çdo ditë  për naftën dhe energjinë për qytetarët. Rama tha se për të mbajtur furnizmin me naftë në vend u takua edhe para pak ditësh me princin e Kurorës së Arabisë Saudite

“Kjo është kohë lufte dhe unë kërkoj solidaritetin tuaj dhe kërkoj angazhimin tuaj me hir, kurse ligji do ta bëjë këtë me pahir. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Ju e dini më mirë se sa unë. Të tjerë e dinë më pak se sa e dimë ne, për shkak se merremi me këtë punë, që çështja themelore që ne kemi dhe ajo që na kërcënon më shumë nuk është çmimi, qoftë dhe ky i çmenduri që ishte para dy ditësh e që mund të rikthehet prapë, nuk e di. Është mungesa e produktit. Sepse është kollaj të thuash hajde impono, por nga ana tjetër gjithë kjo përpjekje për imponim që po bëhet edhe në vende të tjerë, mund të sjellë në pikën që s’ka naftë. Mund të sjellë në pikën që nuk ka energji. Sepse sot, e sqaroi dhe ministrja në konferencën e mëparshme për shtyp, problemi jonë kur dalim në treg, për shkak të thatësirës, nuk është thjesht që çmimi është çmenduri. Ka parashikime që thonë do shkojë 1000! Çështja është që nuk e gjen  produktin, prandaj këtu përveç pjesës së transparencës së çmimit, ne nuk do të administrojmë bashkë me ju, që të imponojmë ne çmime arbitrarisht, sepse e dimë shumë mirë ku të çon kjo. Kjo të çon në një faliment të përgjithshëm e pastaj nuk ka fare, por do të bëjmë transparencën e çmimit në mënyrë të përditshme, që njerëzit ta shohin qartë që çdo qindarkë është aty jo për arsye të fitimit por për arsye të vazhdimit normal të punës dhe nga ana tjetër, ministrja do të flasë për rezervën faktike që duhet të jetë e garantuar jo si rezervë financiare por si rezervë faktike. Ndërkohë ne kemi nisur intensivisht punën për këtë arsye, ose një nga arsyet kryesore pse vizituam edhe princin e kurorës së Emirateve të Bashkuara ishte pikërisht për të kërkuar një mundësi, që ishte dhe arsyeja pse ministrja e Jashtme vizitoi Arabinë Saudite dhe pse ne vazhdojmë të jemi në kontakt me të dyja këto vende, që janë vende kyçe, por duke mos u zgjatur më shumë, unë do dëshiroja shumë që ne këtë gjë bashkërisht ta bëjmë me një sens patriotik që o sot, o kurrë. Askush nga ju nuk rrezikon të mbetet pa bukë, askush nga ju nuk rrezikon të humbasë gjithçka që ka fituar por gjithkush nga ju ka sot detyrimin, për këtë periudhë kohe, nuk e dimë sa është, një muaj, dy muaj apo tre, se pastaj nëse zgjat përtej tre është një histori komplet tjetër, për të gjithë, jo thjesht për ju “, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të angazhohet për të krijuar rezervën shtetërore të naftës duke përdorur Albpertol për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija.

‘Ndërkohë, dua t’iu informoj që ne si qeveri, ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës do angazhohet për të krijuar rezervën e vet,  duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vet, për ditë të këqija, kuptohet. Ky është thjesht për informacion. Ne do jemi 100% në dispozicion për çdo ndihmë nëse do shohim që problematika e furnizimit do të agravohet dhe ju duhet të jeni 100% në dispozicion jo për të na ndihmuar ne, por për të qenë në lartësinë e kësaj sfide.’- tha Rama.

Rama-furnizuesve të naftës: Për 24 orë akt normativ, qeveria do hy në administrimin e furnizimit! Kush vendos çmim të pamiratuar, humb pikën e karburantit

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se brenda 24 orëve do të dalin me një akt normativ për t’i dhënë mundësi qeverisë të hyjë në administrimin e furnizimit me naftë, bashkë me furnizuesit. Rama tha se kjo do bëhet përmes Bordit Kombëtar të furnizimit me naftë dhe se kushdo që vendos çmime të pamiratuara, do humbasë pikën e karburantit.

“Unë mendoj që ju duhet ët jeni të vetëdijshëm se i përkisni asaj pjesë të shoqërisë që duhet të bëjë sakrificë. Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar dhe për të ndarë pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin të mbajmë barrën më të madhe, qeveria, të gjithë kanë detyrimin të mbajnë pjesën e tyre të barrës. Do të mbani pjesën tuaj se nuk mund të ndodhi që të fitoni asgjë më shumë seç ju duhet që të vazhdoni të furnizoni popullin shqiptar dhenë këto kushte brenda 24 orësh do kalojmë një akt normativ dhe qeveria do hy në administrimin e  furnizimit bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe çdo ditë ju dhe qeveria dhe nuk do ketë asnjë çmim të pamiratuar nga bordi, kush do e bëjë do humbasë pikën e karburantit”, tha Rama.

Te tjera

Lajme te tjera