E premte, 14 Gusht, 2026

SHBA-BE dhe NATO në alarm, paralajmërojnë se situata në Veri mund të shndërrohet në konflikt rajonal, Serbia “i hedh benzinë” zjarrit, Vuçiç del kundër takimit në Bruksel, Kurti pranon ftesën

Share

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar ditën e djeshme se situata në Veri mund të përshkallëzohet. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE, Miroslav Lajçak thanë se përplasja mund të shndërrohet në një konflikt rajonal. “Jam shumë i brengosur, ka mundësi që të shndërrohet në konflikt rajonal”, tha Escobar. Në të njëjtën linjë ishte edhe emisari evropian Lajçak i cili tha se kërkon që situata e tensioneve të ulet dhe palët të rikthehen në dialog. Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja ku duhet të marrin pjesë edhe serbët. “Situata është kritike dhe ne duhet të diskutojmë hapat e ardhshëm. Situata është shume e tensionuar dhe unë jam i brengosur nuk mund ta fsheh këtë. Ne duam që njerëzit të largohen nga rrugët, të rikthehemi në dialog dhe të kemi zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve pa kushte”, tha Lajçak.

Kurti pranon ftesën

Pas thirrjeve nga SHBA-BE, kryeministri Albin Kurti  deklaroi se është i gatshëm të shkojë në Bruksel gjatë kësaj jave dhe të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të diskutuar në lidhje me situatën e tensionuar në javët e fundit në veri. Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë së Kosovës, i përgjigjet pozitivisht ftesës së shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell, i cili kërkoi një takim emergjentë. “Po unë jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel në mënyrë që të paraqes hollësisht të gjitha këto të dhëna të cilat i morëm dhe ta kuptojnë që depërshkallëzimi i situatës që po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pa kusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë, ndërkaq normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të marrëveshjes bazike”, tha Kurti.

Vuçiç del kundër

Presidenti i Serbisë, ndryshe nga Albin Kurti ka përsëritur dje se nuk do të shkojë në Bruksel për negociata. Vuçiç përmendi se ai beson se nuk është caktuar një datë e saktë as në Bruksel, edhe pse BE është në kërkim të kësaj date. “Mendoj se Kurti ka punë për të bërë, ai do të shkojë në Vatikan fillimisht për të kërkuar njohjen e Kosovës”. Presidenti i Serbisë shtoi se nuk do të pranojë taktikat e tokës së djegur. Mos kërko takime. Sot është një ditë e mirë, por ndonjëherë më pushtojnë emocionet, siç do të thoshte Viktor Orban, jam shumë i vjetër për ta bërë këtë, por çfarë të bëj”, tha Vuçiç. BE ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.

Komandanti i KFOR: Situatë e paqëndrueshme

Nga ana tjetër, komandanti i trupave të NATO-s në KOSOVË (KFOR) Angelo Michele Ristuccia ka dhënë alarmin për situatën në veri të Kosovës. Ristuccia u ka bërë thirrje palëve të marrin masa për depëshkallëzimin e situates Ndër të tjera ai tha se forcat e NATO-s në Kosovë janë të gatshme të përballen me çdo situatë nëse aktet e dhunës të ngjashme me takimet e fundit kërcënojnë paqen, raporton Reuters. “Ne jemi këtu për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe për të ulur tensionet në rritje. Pra, e vetmja gjë që mund të them është të ftoj të dyja palët që të marrin të gjitha masat, të gjitha masat e nevojshme për të de-përshkallëzuar situatën. Të gjithë njerëzit në Kosovë, pavarësisht nga feja, përkatësia etnike, kultura e tyre, nuk kanë nevojë që situata të përkeqësohet më tej”, tha kreu i KFOR. Situata në komunat në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar prej datës 26 maj, ku serbët prej ditësh vazhdojnë të kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të hyjnë në ndërtesat komunale. Tensionet u përshkallëzuan në datën 29 maj, kur trupat e KFOR u përplasën fizikisht me protestuesit serbë. Situata u përkeqësua edhe më tej më 14 qershor pas arrestimit të tre policëve të Kosovës në veri të vendit nga Serbia. Efektivët kanë dalë para gjykatës serbe dhe janë lënë në paraburgim për 30 ditë.

Te tjera

Lajme te tjera