E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Serbia sulmon Perëndimin pas 25 vitesh nga bombardimet e NATO, Rusia befason me lëvizjen, çon Kosovën në OKB, ja çfarë “loje” po bën Vladimir Putin me Ballkanin

Share

Edhe 25 vjet pas bombardimeve të NATO-s, Serbia duket se nuk e “ka gëlltitur” si ngjarje, duke e konsideruar ende sot si një padrejtësi. Më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë. Sidoqoftë, Serbia duket se e ka ende “plagë” ngjarjen, duke gjetur madje tek ajo, shkakun e një sërë problematikash të vendit, apo edhe “vonesave” në rrugën drejt Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, në këtë kohë të përvjetorit të bombardimeve çështja e marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n, u rikthye në debat, por në një formë tjetër. Kësaj here pas deklarimeve nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili tha që “Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova” dhe pas kërcënimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiç “se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë”.

“Rezervat” e Serbisë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha dje, në 25 vjetorin e fillimit të agresionit të NATO-s, se më 24 mars 1999, “19 nga më të fuqishmit dhe më të fortët e sulmuan Serbinë pa asnjë të drejtë dhe për herë të parë pa vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. “Ata na shkatërruan vendin për 78 ditë. Ata vranë fëmijë. Pjesë territori. Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, Serbia jeton. E zgjuar. Më e fortë, më e guximshme. Sfiduese. Dhe mbi të gjitha e lirë. Liria është më shumë se ajri, liria nuk do të na hiqet kurrë. Rroftë Serbia”, ka shkruar Vuçiç në një postim në Instagram. “Sot Serbia është në një pozitë më të mirë se 25 vjet më parë, por është ende larg Bashkimit Evropian. Po të mos ishte bombardimi i RF të Jugosllavisë në vitin 1999, Serbia do të ishte një vend shumë më i avancuar sot, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, dhe ndoshta do të ishte gjithashtu pjesë e familjes evropiane”, tha diplomati austriak Wolfgang Petriç, kryenegociatori i Bashkimit Evropian në bisedimet e paqes në Rambuje në 1999, në një intervistë me median serbe “Danas”.

Reagimet në Kosovë

Në 25-vjetorin e sulmeve të NATOs- në ish-Jugosllavi, presidentja Vjosa Osmani bëri homazhe në varret e ushtarëve të NATO-s. Ajo i falënderoi të gjithë ata që dhanë jetën për popullin e Kosovës duke parandaluar në këtë mënyrën shfarosjen e tyre. Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh gjithashtu mirënjohës ndaj liderëve botërorë dhe vendeve të përfshira në këtë ngjarje.Homazhe kreu edhe ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier. “Ne kujtojmë dhe nderojmë ushtarët e guximshëm që bënë sakrificën përfundimtare, duke përfshirë oficerët e shefit të garancisë së ushtrisë amerikane David Gibbs dhe Kevin Reichert”, shkroi ambasadori amerikan në rrjetet sociale. Ndërsa ambasadori gjerman Jorn Rohde dhe se sulmet e NATO-s nuk janë arsye për festë, pasi ishte përgjegjësi morale për të ndalur gjakderdhjen dhe krimet e Millosheviçit.

Lëvizja e Rusisë

Sakaq, mbështetje për Serbinë është shprehur nga aleatja e vendit, Rusia. Presidenti rus Vladimir Putin tha se Serbia ka qenë gjithmonë shpirtërisht afër Rusisë dhe përshekuj me aleatin e saj më të besueshëm. Rusia po ashtu kërkoi që sot të mbahet një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me rastin e 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj RF të Jugosllavisë, në mënyrë që ndër të tjera bashkësia ndërkombëtare ta dënojë këtë operacion ushtarak. Megjithatë, ka patur reagime të ndryshme duke pasur parasysh se vjen nga një vend që filloi agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe në këtë mënyrë hyri në luftë me Perëndimin, si dhe se ka një histori të përdorimit të Beogradit për interesat e veta, dilema është nëse kjo nismë është krijuar për të ndihmuar vërtet Serbinë apo Rusinë. Sipas disa ekspertëve, kjo është një mundësi që “Rusia të përdorë edhe një herë të gjitha armët e saj për të sulmuar Perëndimin.

Te tjera

Lajme te tjera