Ish-kryeministri Sali Berisha pop tregon çdo ditë se është në ankth dhe në stres. Edhe pse prej disa muajsh ai është katapultuar në krye të Partisë Demorkatike pa pritur ende që të flasë gjykata, duket qartë se ai kërkon të përdorë Partinë Demorkatike si mburojë ndaj kërcënimeve të mundshme që mund t’i vijnë nga drejtësia, pas shpalljes së tij “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Gazeta “SOT” ka analizuar retorikën dhe lëvizjet e fundit të kreu të “Foltores”, teksa shihet qartë se ky i fundit përdor amnistitë ndaj ish-kryeministrave që t’i shpëtojë ndëshkimit nga SPAK dhe ndërkombëtarët. Një sinjal i tillë dhe i freskët ka ndodhur këtë javë që shkoi, ku në mënyrë hipokrite ish-kryeministri Berisha zbuloi para gazetarëve se ai e fali Fatos Nanon, sepse nuk donte ta dënonte dhe sipas tij, ky vendim do të kishte shkaktuar një sëkëlldi të llahtarshme. Kjo pasi akuza e këtyre viteve ka qenë loja e karuselit që është përdorur nga Berisha-Meta-Nano- për të falur njëri tjetrin.
Sali Berisha fshihet pas Fatos Nanos
Në vitin 2005, kur erdhi në pushtet, Berisha u premtoi demokratëve se në kuadër të operacionit me “duar të pastra”, do të çonte në burg këdo që kishte abuzuar, përfshi këtu edhe ish-kryeministrin Fatos Nano. Mirëpo këtë të fundit, Berisha këtë javë e ka marrë në mbrojte, si duket me paramendim, duke dashur t’iu dërgojë një mesazh të fortë ndërkombëtarëve dhe organeve të drejtësisë në Shqipëri, siç është Struktura Kundër Krimit të Organizuara dhe Korrupsionit, që ta lënë të qetë, sikundër ka ndodhur me ish-kryeministrin Nano, i cili ndonëse ka qenë i korruptuar, nuk “i hyri më gjemb” në këmbë dhe askush nuk i kërkoi llogari për aferat, qoftë edhe gjatë kohës kur në Shqipëri qeveriste Partia Demorkatike në vitet 2005-2013. Pra thënë troç, Sali Berisha po fshihet pas Fatos Nanos dhe po përdor amnistitë ndaj ish-kryeministrave që t’i shpëtojë ndëshkimit nga SPAK dhe ndërkombëtarët.
Ja si kreu i “Foltores” përdori demokratët
Mirëpo për çudi deklarata e Berishës se amnistoi Nanon, kaloi në heshtje, përpos reagimit të ashpër të Gazment Bardhit që në fakt evidentoi hipokrizinë e analistëve që flasin për mosndëshkim, ndërsa heshtin tani kur e kuptojnë arsyen. Fatkeqësisht reagim nuk pati as nga demokratët e ndershëm që janë përdorur dhe keqpërdorur nga Berisha në luftërat e tij hipokrite kundër Klanit të Zemunit gjatë kohës që ishte në opozitë në vitet 1997-2005, e sa e sa sajesave të tjera. Ata demokratë që besuan realisht tek Berisha tani heshtin dhe nuk ankohen, pse? Pse nuk ankohen për hipokrizinë e tij të madhe, për hipokrizinë e Sali Berishës që tani mund dhe t’i thotë atyre që Basha nuk është peng?! Korruptimi moral që kjo elitë politike e Berishës, Metës dhe Ramës i ka bërë shoqërisë sonë është shkatërrimi më i madh i post-diktaturës enveriste. Janë këto të tre që kanë relativizuar të keqen dhe i kanë mbushur me fjalë boshe prej demagogësh për kriminelë që më tej po vetë i kanë falur.
Berisha bën lojën e Ramës?
Megjithatë, duhet theksuar se Shqipëria ka vuajtur boll prej kësaj klase politike që tani e shpallur “non grata” (një pjesë) po e nxjerr në pah qelbin dhe krimbjen që ka shtruar për ushqim tash këto 30 vite. Do të qe e udhës që njerëzit të kuptojnë se loja e Berishës është në fakt loja e Ramës dhe e Metës për t’i mbajtur peng në rolet e tyre teatrale. Së fundi, Berisha kërkoi me këtë deklaratë që të amnistohej nga ndërkombëtarët dhe nga SPAK. A mund të amnistohet?! Ai në fakt premton më shumë se sa kaq për Edi Ramën. Ai i kërkon atij amnisti ndërsa Berisha i deklaron se edhe mund ta mbajë PD-në gjithë kohën në opozitë si një peng për të mos rrezikuar Ramën. Amnistia e Sali Berishës pra ka një kosto, kurbani është PD dhe nëse vazhdohet në këtë rrugë ai do të përfundojë në altarin e Ramës për mandatin e tij të katërt apo të pestë. Ndaj demokratët duhet të mendohen mirë nëse duan amnistinë e Berishës apo realisht të fitojnë për të qeverisur më mirë Shqipërinë./Rigels Seliman/