E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Romeo Kara zbardh prapaskenat e forta: Ambasadori i SHBA zbarkon shumë shpejt në Tiranë, ja shkeljet ligjore që do të fundosin Sali Berishën dhe lajmi bombastik që e pret Ilir Metën dhe Kryemadhin

Share

Juristi dhe avokati i njohur, Romeo Kara ka komentuar situatën politike në vendin tonë, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Kara fillimisht paralajmëroi se ambasadori i SHBA zbarkon shumë shpejt në Tiranë, ndërkohë që zbuloi edhe shkeljet ligjore që do të fundosin Sali Berishën dhe lajmi bombastik që e pret Ilir Metën dhe Kryemadhin. Sipas tij, Meta është tashmë personifikimi i politikanit të korruptuar dhe si i tillë është në garë me Sali Berishën se kush do të jetë i pari i ndëshkuar nga drejtësia. Po ashtu, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, avokat Kara theksoi se Berisha është një faktor destabiliteti dhe pengmarrje jo vetëm i opozitës, por edhe i vendit, pavarësisht se nuk është në zenitin e tij. Ndër të tjera juristi shtoi se pas Berishës radhiten kriminelët killera në shërbim të tij, të cilët siç thotë ai, shohin tek fundi i ish-kryeministrit, burgun e përjetshëm.

-Zoti Kara, Ambasadori i ri amerikan që do të vinte në Shqipëri nuk është miratuar nga Senati amerikan, cilat mendon se mund të jenë arsyet?

Përveç arsyeve të brendshme procedurale amerikane, nuk shoh asnjë arsye tjetër. Ka pasur një vakum të krijuar përgjatë presidencës Trump, pas largimit te ambasadorit Lu, por shpejt pala amerikane e ka tejkaluar atë dhe tashmë është pothuaj në kapacitet të plotë lidhur me prezencën e saj. Ndodhemi shumë pranë fizikisht me zonat e nxehta konfliktuale, kështu që politikat e brendshme nuk mund të luajnë ndonjë rol të dorës së parë lidhur për sa më sipër. Besoj se shumë shpejt do të tejkalohen bllokimet proceduriale në USA dhe ambasadori i ri amerikan do të jetë prezent në Tiranë. Marrëdhëniet me USA-në janë të rëndësisë strategjike për të mos thënë jetike për ne. Është fat i madh për shqiptarët pasja e një aleati të tillë i cili tashmë jo vetëm na ka marrë nën patronazh në arenën ndërkombëtare, por qëndron edhe si garant i sistemit politik që ne duam të instalojmë. Reforma në drejtësi, ndarja e pushteteve dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira, janë procese në zhvillim të mbarë, pikërisht për meritë të këtij aleati jetik për ne. USA di të ndajë qasjen e saj ndaj popullit shqiptar dhe institucioneve me politikën meskine e cila është në agoninë e saj.

-Si e sheh fatin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta pas fundosjes së ish-kryeministrit Sali Berisha?

Shih e shkruaj do të thosha. Është fakt që Meta është tashmë personifikimi i politikanit të korruptuar dhe si i tillë është në garë me Sali Berishën, se kush do të jetë i pari i ndëshkuar nga drejtësia, i kryqëzuar në shtyllën e turpit, i shpronësuar nga pasuria publike e grabitur prej tij dhe i dënuar gjyqësisht siç e meriton. Ilir Meta jo vetëm që është në rënie të lirë, pa asnjë shpresë dhe rrugëdalje, por edhe i demoralizuar dhe tërësisht i pamotivuar për t’u përballur me sfidat që e presin. PL është tashmë një barkë që po mbytet, minjtë e së cilës kanë vetëm një alternative: ta braktisin sa më parë atë dhe ta lënë padronin e saj të vetëm në fatin e tij. Është e pamundur të gjesh qoftë edhe një grimcë idealizmi në atë grupim-klanor politik që sot quhet PL. Meskiniteti që i bashkoi, është pikërisht ai që do ta shkërmoqë atë. Të mos harrojmë edhe fatin e Kryemadhit që i bashkëngjitet tashmë mizërisht atij të Metës. Kjo është pikërisht koha kur paratë haram, po hanë pa mëshirë Metën.

A përbën më ish-kryeministri Berisha faktor politik sot, si mendoni?

Sigurisht që Berisha është një faktor politik. Është një faktor destabiliteti dhe pengmarrje jo vetëm i opozitës, por edhe i vendit, pavarësisht se nuk është në zenitin e tij. Berisha është tashmë hija e vetvetes, i rrënuar moralisht dhe në rrugën pakthim drejt ndëshkimit ligjor. Si i tillë, i vetëdijshëm për çfarë ka bërë dhe çfarë e pret, ai po luan nga dritarja e shtëpisë-burg, aktin e fundit politik të jetës së tij. Pas tij radhitet ish-administrata, vegël dhe bashkëpunëtore në korrupsionin e tij, bashibozukja e politikës shqiptare, e cila sheh tek mbijetesa e Berishës mbijetesën e saj. Pas tij radhiten kriminelët killera në shërbim të tij, të cilët shohin tek fundi i tij, burgun e përjetshëm. Pas tij radhiten hipokritet ish-kritikë të tij, të cilët shohin tek halli i tij, mundësinë për t’i shkëputur atij koncesione politike, me mendimin për ta hedhur poshtë atë, sapo t’ia arrijnë qëllimit të tyre. Pra, Berisha si strumbullar i regresit dhe krimit, është faktori më i dëmshëm i politikës sot, pikërisht për çfarë ai përfaqëson dhe drejton.

-Zoti Berisha vijon që të mbaj fjalime nga ballkoni i banesën ku jeton, a ka diçka nga deklaratat e tij që të ka tërhequr vëmendjen?

Dy doktorë u personifikuan me dritaren në Tiranë, Mukini dhe Berisha. I pari kishte një majmun që kishte një zakon të njohur nga të gjithë, që nuk largohej kurrë nga dritarja, ndërsa i dyti, Berisha, ka nxjerre nga halli hijen e tij, t’i zgjoje bashibozukeve pasues të tij ndjenjën e revoltës dhe mosbindjes civile, si të vetmen shpresë për t’i shpëtuar përballjes ligjore. Ajo çfarë vihet re nga retorika e tij është: denigrimi i prokurorëve dhe gjykatëses së procesit penal ndaj tij, kërcënimi ndaj qeverisë me pretekstin se po gjykohet politikisht, kërcënim i cili me shumë se ndaj qeverisë i drejtohet palës amerikane, e cila është tashmë garante e çdo procesi gjyqësor antikorrupsion, se Berisha do krijojë destabilitet politik nëse vazhdon gjykimi ndaj tij dhe kërcënimin final ndaj të gjithëve që askush të mos guxoje ta kalojë vijën e kuqe ndaj tij, të prekë kushtetutën personale të tij, që do të thotë interesin e tij. Çdo deklaratë e tij, ka për qëllim, keqpërdorimin deri në ekstrem të fraksionit që ai drejton deri në vëllavrasje, vetëm e vetëm që ai të mos përballet ligjërisht në gjykatë. Për këtë arsye ai po luan fort politikisht, pasi po tenton të mbajë sa të mundet mitin e personit që është mbi ligjin, apo vete ligji, mitin e pandëshkueshmërisë dhe ndikimin politik mbi sistemin e drejtësisë. Ai është i vetëdijshëm se juridikisht nuk ka asnjë shans të fitojë, prandaj po tenton ta bëjë përballjen vetëm politikisht dhe jashtë dyerve të gjykatës. I pashpresë, i diskretituar me morinë e kullave të korrupsionit të tij, aq sa meriton ta quash edhe Sali Kulla pasi e quajtëm Sali Gërdeci apo Sali Sudja dhe i frikësuar deri në neveritje, gjë që e tregon servilizmi ndaj bashibozukeve poshtë dritares së tij, ai është realisht një faktor destabiliteti dhe regresi i politikës shqiptare.

-Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka shkelur masën e sigurisë disa herë duke futur në shtëpi edhe teknikë të fonisë, apo dhe komunikimet e tij me militantët nga dritarja, mendoni se drejtësia do t’i ndryshojë masën?

Ligjërisht do të duhet që prokuroria apo edhe gjykata kryesisht, të kërkojnë ashpërsimin e mëtejshëm të masës ndaj tij, jo vetëm të mosrespektimit të vendimit të gjykatës, por, edhe të cenimit të integritetit të procesit. Fjalimet e tij të përditshme nga dritarja e kundër revolucionit, kanë në thelb mosbindjen e tij ndaj gjykatës dhe destabilitetin politik, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në integritetin e procesit penal, ku ai është një person nën hetim së bashku me dhëndrin e tij. Pra, ligjërisht dhe logjikisht, prokuroria duhet të kërkojë pa vonese nga gjykata miratimin e masës së arrestit me burgim, që procesi të mos disintegrohet dhe banorët e pallatit të tij të shpëtojnë nga ulërimat për kundër revolucion që vijnë nga lart me megafon dhe nga poshtë me ulërimat e turmës që eksitohet nga lideri i paraburgosur Sali Kulla.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera