E premte, 17 Prill, 2026

Romeo Kara zbardh kulisat, ja pse Ilir Meta vendosi të hapë “çantën e zezë” nga qelia për masakrën e “21 janarit”, grushtin e shtetit të 14 shtatorit ’98 dhe vrasjen e Azem Hajdarit, të pathënat nga rrëfimi i ish-presidentit

Share

Juristi i njohur, Romeo Kara hedh dritë mbi prapaskenat politike dhe juridike që fshihen pas rrëfimit të vonuar të Ilir Metës, duke zbardhur arsyet reale pse ish-presidenti vendosi të “hapë çantën e zezë” pikërisht tani, nga qelia. Sipas Karës, kjo dalje publike nuk është as rastësore dhe as e motivuar nga ndjenja e drejtësisë, por një akt i kalkuluar politik në kushtet e presionit ligjor dhe izolimit institucional. Gjatë një intervistë për gazetën “SOT”, z. Kara theksoi se duke folur për masakrën e 21 Janarit 2011, grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998 dhe vrasjen e Azem Hajdarit, Meta nuk synon zbardhjen e së vërtetës, por ripozicionimin e vet në raport me historinë dhe përgjegjësitë. Madje Romeo Kara argumenton se kemi të bëjmë me një strategji mbijetese, ku rrëfimi përdoret si mburojë dhe jo si akt pendese. Në analizën e tij, juristi thekson se Meta po distancohet gradualisht nga figurat kyçe të së shkuarës, veçanërisht nga Sali Berisha, duke ndërtuar një narrativë ku ai del dëshmitar, jo vendimmarrës. Sipas Karës, përmendja e këtyre ngjarjeve të rënda historike shërben si paralajmërim i koduar për sistemin dhe aktorët politikë se ai di më shumë sesa thotë. Kjo është, sipas tij, një lojë e rrezikshme me kujtesën kolektive dhe frikën e hapjes së dosjeve. Në vend të drejtësisë për viktimat, publikut i servohet një rrëfim selektiv, i ndërtuar për të shpëtuar veten, thotë juristi Romeo Kara, i cili e lexon këtë dalje të z. Meta si sinjal se ekuilibrat politikë po lëvizin dhe se heshtja nuk është më garanci sigurie. Në këtë kontekst, ai thekson se “çantën e zezë” ish-presidenti Meta nuk e hap për të zbardhur krimet e së shkuarës, por për të negociuar të ardhmen e tij.

-Z. Kara, si i shikon deklaratat e Ilir Metës për masakrën e “21 janarit”?

I vlerësoj si deklarata tepër të vonuara që kanë për qëllim krijimin e perceptimit të të pafajshmit apo viktimës për të, mesazh solidarizimi për Sali Berishën edhe pse mund t’ia rëndojë pozitën e tij, si dhe mesazh kërcënimi për Ramën. Deklaratat janë më shumë politike sesa reflektuese, të cilat përpiqen ta pozicionojnë atë si të distancuar nga përgjegjësia direkte, duke e zhvendosur fokusin te regjimi i kohës, te zinxhiri i komandës ose te Sali Berisha personalisht, që nuk arritën ta menaxhojnë situatën e paralajmëruar sipas tij dhe të opozitës, e cila kërkonte një ballafaqim me viktima, gjë të cilën ai e paska ditur paraprakisht. Zotëria jo vetëm nuk e denoncoi zyrtarisht dhe publikisht çfarë deklaron sot për të parandaluar tragjedinë, por dy vjet më pas iu bashkangjit në qeverisje opozitës së kohës. Pikërisht ky fakt e hipokrizon të gjithë deklarimin e tij dhe më tepër sesa pendim dhe ndihmë për drejtësinë e mban atë në pozitat e një politikani makiavelist që kërkon mbijetesë duke u ripozicionuar rreth ngjarjeve kyçe historike postdiktaturë. Këto deklarata më shumë sesa zbardhjes së të vërtetës i shërbejnë të sotmes së tij si individ, duke theksuar shkëputjen totale të tij nga përgjegjësia direkte dhe indirekte për çfarë ndodhi. Deklaratat nuk përcjellin as ndjeshmëri njerëzore dhe empati për viktimat, por vetëm narrativë politike. Çdo gjë sipas tij ishte e parapërgatitur dhe më shumë viktimë sesa ata që u vranë e u plagosën sot na del vetë Meta. Sipas tij, 21 janari 2011 kishte vetëm një kryeviktimë, vetë atë. Sidoqoftë, Ilir Meta nuk e mohon ngjarjen, lë të kuptuar se ishte krim shtetëror, por jo i tij, duke qëndruar në mes, as mohim total dhe as përgjegjësi e plotë. Deri më tani 21 janarin 2011, Sali Berisha e kishte mohuar totalisht si krim, Rama e kishte përdorur politikisht, shtohet edhe Meta që e përdor politikisht dhe për hallin e tij. Kjo është pjesa më cinike e historisë. Në opozitë për Edi Ramën 21 Janari 2011 ishte simbol, armë morale dhe kauzë, ndërsa në pushtet iu kthye në barrë, rrezik për destabilizim dhe precedent të rrezikshëm për shtetin. Arose drejtësia e vërtetë do të thoshte hapje zinxhiri komandues, përgjegjësi politike reale, dmth precedentin që pushteti mban përgjegjë kur vret. Asnjë pushtet në Shqipëri nuk e do atë precedent. Prandaj Rama e mbajti 21 Janarin 2011 në fjalime përvjetori, por jo në vendime që dhembin. E përdori për të ardhur në pushtet dhe e fiku për të qëndruar në të, që kur mori Metën krah tij. E vërteta lidhur me këtë tragjedi të hidhur është se Meta zgjodhi pushtetin mbi parimin, Rama zgjodhi stabilitetin qeverisës mbi drejtësinë, Berisha zgjodhi mohimin dhe drejtësia zgjodhi kompromisin deri para pak kohësh, ndërsa viktimat zgjodhën për t’u kujtuar pa u bërë kurrë drejtësi.

-Pse vendosi të flasë tani?

Sepse i duhej tani për presion personal dhe politik dhe për mbijetesë, pasi është vetë nën presion ligjor, institucional dhe i izoluar politikisht. Pra ai i kthehet disa momenteve historike për të riformatuar veten. Nën rreshta ai lë të kuptohet se 21 janari 2011 është kusur i Berishës që nuk e menaxhoi dhe i Ramës që e organizoi, dhe ai është i vetmi që nuk ka gisht në atë tragjedi. Pra, tani sipas tij është koha që ai të ngrihet mbi ata të dy duke u servirur pothuaj si viktima e tyre. Sidoqoftë, Meta nuk flet nga pendesa, por nga instinkti politik i mbijetesës. A po përgatitet terreni për një dëshmi të ardhshme të tij? Me shumë gjasa po. Edhe nëse nuk e thërrasin si dëshmitar në proces, ai po bën tre gjëra klasike që i bën kushdo që mendon për nesër: po fiksion versionin e tij publikisht, po pozicionohet si dëshmitar i brendshëm, jo si vendimmarrës, dhe po krijon, rikoncepton përgjegjësinë për 21 janarin midis Berishës dhe Ramës, duke lehtësuar Berishën dhe rënduar Ramën. Shkurt, Meta po jep mesazhe kërcënimi. Fakti që po flet pas 15 vitesh e komprometon tërësisht qëndrimin e tij karshi kësaj tragjedie, për më tepër që ai e pranon vetë që për çdo gjë që thotë tani ai ka qenë në dijeni prej kohësh.

-Çfarë fshihet pas kësaj lëvizjeje të tij?

Pas kësaj lëvizjeje nuk fshihet një arsye e vetme, por një paketë instinktesh mbijetese, të lidhura mes tyre. Në thelb, Meta nuk po sulmon, por po mbron territor duke kërcënuar me atë çfarë ai di. Meta ka qenë në zemër të pushtetit dhe në komunikime të përhershme formale dhe informale. Pra ai di më shumë sesa thotë publikisht. Dhe këtu Meta është i kujdesshëm duke folur aq sa të duket i ditur, por jo aq sa të implikojë veten. Kjo nuk është dalje emocionale, por pozicionim për skenarë që ende s’kanë ndodhur. Meta po bën këtë pasi po ngulit publikisht versionin e vet, po krijon alibi politike para se t’i krijohet ndonjë problem tjetër ligjor dhe po përgatit terrenin për çdo dosje që mund të hapet. Edhe pse në një shikim të parë duket sikur po favorizon Berishën, ai e di që Berisha është kapitull që po mbyllet, jo që po hapet. Duke folur tani, ai nuk e sulmon hapur për të mos u dukur tradhtar, por e lë vetëm, pa mburojë morale. Ai po distancohet prej tij dhe po na thotë që Berisha ishte, me e pakta, një i paaftë për të menaxhuar një tragjedi të paralajmëruar, edhe pse ai vetë ishte shkaku real i tragjedisë me bllokun e tij. Ai po bën një distancim pa dramë, por me efekt të fortë, duke dhënë edhe një mesazh për drejtësinë, i koduar, por i qartë: “Unë nuk jam pengesë, mund të flas dhe mund të bashkëpunoj.” Kjo nuk do të thotë se do bashkëpunojë, por se po e mban derën hapur, si kartë sigurie. Në planin historik Meta e ka kuptuar diçka thelbësore: pushteti ikën, dosjet hapen, por historia mbetet, dhe ai po lufton që të dalë si figurë gri e jo e zezë. Fakti që foli tani mund të ketë lidhje me atë që Meta nuk ndihet i sigurt për heshtjen dhe në politikë kjo ndodh vetëm kur e ndjen që ekuilibrat po ndryshojnë, e di që besnikëritë e vjetra po bien dhe ka frikë se dikush do të flasë pa e pyetur. Prandaj ai po flet i matur, i ftohtë dhe pa detaje fatale.

-Gjithashtu ai foli për vrasjen e Azem Hajdarit dhe grushtin e shtetit 1998?

Po, dhe kjo nuk është aspak rastësi. Fakti që Meta i lidhi 21 Janarin me vrasjen e Azem Hajdarit dhe 14 shtatorin 1998 është pjesë e të njëjtës lëvizje strategjike, jo një devijim nostalgjik, pasi Meta po përpiqet të ndërtojë një kornizë të re historike, ku ai del jo si pjesë e një pale, por si figurë institucionale që ka parë shtetin të lëkundet disa herë. Me pak fjalë, ai po thotë: “Unë kam qenë aty në momentet më të errëta të tranzicionit, por nuk kam qenë as vrasës, as grushtshtetas”, duke u distancuar edhe në këtë rast nga Berisha. Ky është vetëpastrim narrativ, jo thjesht kujtesë historike. Me këtë rast Meta prek një tabu të madhe politike dhe, duke folur për atë vrasje, ai nuk merr përgjegjësi, por as nuk e mbyll çështjen dhe e paraqet si krim që destabilizoi shtetin. Qëllimi i tij nuk është ta rihapë realisht dosjen, por të tregojë se ka qenë në pushtet edhe atëherë dhe prapë nuk është përfshirë në vrasje. Pra, i vendos të gjitha krizat e mëdha në një vijë, ku ai del gjithmonë brenda sistemit, por jashtë krimit. Njëkohësisht, duke u përpjekur të ndërtojë figurën e tij si njeri i rendit në mes të kaosit politik, ai dërgon kërcënim të drejtpërdrejtë kur përmend vrasësit e vrasësve të Azem Hajdarit. Revokimi që ai i bën asaj ngjarjeje i shërben direkt sot, sepse e nxjerr si kundërshtar të dhunës politike, e distancon nga çdo ide e ekstremit dhe e portretizon si faktor stabiliteti në kohë krizash.

-A do të rihapen ndonjëherë seriozisht 1998-ta, Azem Hajdari dhe “21 Janari”?

Një hetim i vërtetë për ato ngjarje do të nxirrte bashkëpërgjegjësi, kompromise të fshehta dhe marrëveshje pas kuintave për moshapje dosjesh. Do të dilte qartë pse nuk u hetua si duhet, pse u mbyllën pista dhe pse u krijua harresa zyrtare. Kërcënimi është i drejtpërdrejtë për Berishën, sidomos kur Nano shfajësohet prej tij si njeriu i vetëm që nuk i interesonte ajo vrasje. Kjo është lëvizja më cinike dhe më inteligjente e tij. Ai po thotë: “Nëse hapni njërën, hapini të gjitha.” Dhe ai e di që nuk i hapen dot të gjitha, sepse s’mbetet njeri i paprekur. Pra Meta po fshihet pas frikës kolektive të sistemit, jo pas pafajësisë personale. Ai i hapi këto tema sot për drejtësi apo pazar, Meta? Hapja sot e tyre është pazar, pasi po përdoren qartë për mbrojtje personale, shantazh të heshtur dhe pozicionim historik. Përfundimisht, Meta nuk po i përmend 1998-ën, Azem Hajdarin dhe 21 Janarin sepse do drejtësi. Ai po i përmend sepse e di që askush nuk guxon t’i hapë të gjitha dhe në një sistem ku e vërteta është e rrezikshme për të gjithë, ai që i di të gjitha bëhet deri diku i paprekshëm. Ai do vetëm sigurinë e tij në këmbim të heshtjes.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera