Gazetari Robert Papa ka paralajmëruar një përshkallëzim të krizës politike rreth kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se kreu i qeverisë po shkon drejt asaj që ai e quan një “vetëvrasje politike”. Në analizën e tij, Papa ndalet te zhvillimet e fundit në politikën amerikane me shkarkimin e Grenell, deri te takimi i diskutueshëm i Ramës natën me ambasadoren amerikane në Athinë. Ndërsa në planin e brendshëm ai paralajmëron se kryeministri po hyn në një fazë të vështirë politike, pasi hetimet për disa çështje të bujshme po thellohen dhe mund të afrohen gjithnjë e më shumë drejt rrethit të tij.
Analiza e Robert Papës
“Janë dy lajme ku doja të ndalesha, që kanë lidhje me Shqipërinë: largimi nga drejtori i Qendrës Kennedy i konservatorit klasik dhe gay, Grenell, si dhe takimi natën vonë në zyrën e Ramës i ambasadores amerikane në Greqi. Të jemi realistë, Grenell është një antishqiptar pro-serb. Mua më çudisin lidhjet e tij “si vëlla” me Ramën dhe “motrën”, dhe me opozitarët shqiptarë. Ai ka provuar që është kundër Kosovës bashkë me djalin e përkëdhelur të Trump, Donald Junior, me deklaratat injorante lidhur me luftën brilante të NATO-s dhe të Bill Clinton-it në Kosovë. Ai pretendonte shumë, donte të ishte Sekretar Shteti, por Trump vendosi Rubion, sepse gay Grenell ka lidhje me Donald Junior, me Kushner, me fëmijët e llastuar të Presidentit Trump. Fillimisht iu dha një emërim si i dërguar special për misionet speciale, çka linte të nënkuptonte që do të kishte një zyrë te kompleksi afër Shtëpisë së Bardhë dhe një zyrë në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Më vonë, kur Trump vendosi të shkatërronte gjithë bordin drejtues të Qendrës Kennedy, e vendosi anëtar bordi ku është dhe shefja e kabinetit. Si anëtar bordi paguhesh ekstra dhe përkohësisht e caktoi si drejtor interim nga brenda për këtë qendër. Sipas ligjit federal, nuk mund të rrish më shumë se një vit, pra mandati mbaronte në shkurt. Aq më tepër që Trump ka thënë se qendra do të mbyllet për dy vjet për t’u rinovuar, dhe erdhi shkarkimi, largimi i tij. Por në qoftë se shikojmë se si vepron Trump, nuk u përmend që vazhdon detyrën si i dërguar special dhe nuk u tha ndonjë emërim tjetër.
Pra, për mua, kjo duhet parë si një fitore për çështjen shqiptare. Grenell, ky personazh skandaloz i cili ka marrë mijëra dollarë nga shqiptarët e Miçiganit, duket se nuk është më në postet që mund të ketë ndikim të madh. Paralelja e tij me ambasadoren “këmbëzbuluar” të Amerikës në Athinë është kjo: të dy janë lakmitarë për të vjedhur njerëz të korruptuar, të dy me probleme. Nuk mund të jesh tek MAGA konservator dhe gay, i cili ka shkarkuar një personalitet tek bordi sepse bëri deklarata për martesat sipas katolikëve të krishterë, pra duke kundërshtuar martesat burrë me burrë, siç është Grenell. Probleme personaliteti ka edhe ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle. Grenell kërkoi të anashkalonte Rubion për të bërë një marrëveshje personale, duke mbështetur Chevron-in në Venezuelë, që Amerika të hiqte sanksionet ndaj Chevron-it dhe ai të përfitonte miliona dollarë. Ka shkuar me avion privat; Rubio e goditi ashpër: “Nuk ke punë të merresh me politikën e jashtme”. Kjo ishte shuplaka e parë e fortë dhe që nga ajo kohë ylli i Grenell po shkonte tatëpjetë. E njëjta gjë me ambasadoren “këmbëzbuluar”, “mbretëreshën e botoksit”, Kimberly Guilfoyle në Greqi. Ajo ka ndërhyrë për të mbështetur Chevron-in dhe Mobil-in. Kjo është normale kur e bën në Greqi, por në çastin kur ajo vjen në Tiranë e veshur si në klube nate, për të takuar kryeministrin shqiptar të veshur si iranian dhe duke marrë me vete biznesmenë grekë ndaj të cilëve media rozë hedh fjalë të ndryshme, siç është Aleksos Eksarku, tregon që ajo është në të njëjtën hulli si Grenell për të përfituar. Natyrisht, atë shuplakë që Grenell mori nga Rubio do ta marrë edhe Kimberly Guilfoyle nga Rubio, i cili ka një pushtet shumë të madh për çastin.
Ajo duhet të ketë turfulluar kur ka parë atë video, ose grackën e iranianit në veshjen Rama, ose rastësi nga klanet televizive që gjithë jetën kanë qenë kundër opozitës shqiptare. Aleksos Eksarku, siç thashë dje, është nën hetim nga Zyra e Prokurorit Publik të Bashkimit Europian. Është te Delvina Gas, ka lidhje me një emër antishqiptar, Kokalis, i cili u ka dhënë ato “letrat e Bakallit” si diploma në Harvard, Mata Harit dhe Mata Harëve grekë, që nga Dritan Prifti, Lubia (Belinda Balluku) dhe ministra të tjerë që kanë bërë namin në ’97-ën e që hiqen si heronj kombëtarë të Rilindjes. Natyrisht që diplomacia amerikane nën drejtimin e Trump nuk ngjason me diplomacinë skolastike. Më mirë të mos kesh ambasador, siç jemi ne, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, sesa të kesh ambasadorë të kësaj cilësie dhe këtij niveli.
Por rasti i ambasadorit amerikan në Paris është tejet më skandaloz; është dhëndri i Kushnerit, i dënuar nga një prokuror si Christie, por Trump i ka dhënë falje (pardon). Qeveria franceze ka ndaluar të gjithë zyrtarët të takohen me të. Gingrich, speaker-i konservator republikan, për besnikëri ndaj Trump, gruaja e tij është emëruar ambasadore në Zvicër. Deklaratat e Huckabee në Izrael janë problematike. Pra, mungon ai ambasadori i profilit profesionist dhe janë më shumë se 90 ambasada pa ambasadorë. Roli i numrit dy është shumë i madh. Ambasadorja “këmbëzbuluar” që erdhi te “iraniani” i veshur si Rama ka një favor sepse ka qenë e fejuara e djalit të përkëdhelur të Donald Trump. Nuk ka më kontakte, ndaj e larguan. Sidoqoftë, për tregun e provincialëve fshatarë nga Athina në Tiranë, ajo nxjerr kartën e “Donit të madh”.
Byroja e Europës ende nuk ka një të aprovuar nga Senati, është dikush në detyrë. Edhe kjo ia lehtëson “këmbëzbuluarës” të bëjë mbrëmje vallëzimi natën si në Greqi, ashtu edhe në Tiranë. Nuk besoj se do të kalojë aq thjeshtë; ende nuk ka rënë në radaret e medias së majtë, sepse vetë Athina nuk ka një rëndësi të madhe për median amerikane, e jo më Tirana. Por duhet ndarë e realja nga “fake”. Në qoftë se do të ishte takim zyrtar, siç thonë sahanlëpirësit e Ramës të paguar nga ai, që pas krahëve sjell një mesazh nga “Doni i madh”, do të ishte njoftim zyrtar. Nuk do të vishej si për plazhet e Brazilit dhe nuk do të vinte natën me dikë që i mban çantën dhe shallin si servil, eunuk i Perandorisë së Bizantit. Personi është biznesmeni oligark, Aleksos Eksarku.
Nuk është rastësi. Natyrisht që në Tiranë Amerika ka një përfaqësues, edhe pse nuk është ambasadore, ka fuqi të jashtëzakonshme dhe përfaqëson Presidentin Trump. Heshtja e tyre tregon qartë, por në çdo ambasadë është shefi i stacionit të CIA-s dhe ndërmjetësi i FBI-së; zyra që na mbulon është në Bullgari, pra informacionet jepen çdo ditë. Në situatën e Ballkanit duket sikur është gjallëruar pak Vuçiç, dhe vjen pas thikës pas shpine ndaj Kosovës nga Rama, të cilët bashkë me Vuçiç dalin me një platformë të re për të anashkaluar BE-në.
Ditë të vështira për Edi Ramën
Me mbrojtjen që Rama i bën Lubisë, duket që Europën e ka tërësisht kundër. Bordit të Paqes “t’i pijë lëngun”, sepse duket që për nja një vit nuk do të ketë më mbledhje, sepse Trump nuk është më paqësor, është i përfshirë në një luftë. Dosjet që ka nuk i mbyll dot. Po thellohen hetimet për Sorosin, McGonigal, Sinaloan, dhe SPAK duket që ka marrë orientimin t’i afrohet Surrelit apo ish-zyrës së shefit. Duket se Rama do të bëjë vetëvrasje politike. Ka opsione të ndryshme për t’u larguar.
Është konsumuar tej masave, është faktor dëmtues për Shqipërinë, për Partinë Socialiste, por edhe për vetë familjarët e tij, të cilët janë përfshirë në korrupsion masiv. Abi Bank mjafton, Call Center mjafton, AKSHI mjafton; deri këtu, sistemi që kanë zgjedhur, Rama kombi, është “fake”. Shikoni Poloninë: përse Polonia ka hyrë tek 20 vendet me ekonominë më të madhe në botë?. Po shkon me rreth 1 trilion dollarë në vit ekonomia polake. Ka sistem të pavarur gjykatës, legjislacion të përkryer për biznesin e ndershëm privat, luftë kundër korrupsionit masiv dhe thithje të trurit polak kudo në botë. Në Poloni kanë filluar fabrikat, puna që ishte për inteligjencën artificiale. Rama ka vetëm kulla pa hesap, porte për arabë dhe vaska e pishina për vajzën e Trump.
Shqipërisë i takon një sistem si Polonia. Shqipëria s’ka pse të jetë e varfër. Në Poloni, ish-komunistët, ish-sigurimsat e nuk e di si quheshin, u zhdukën; u mor një vendim që të ndëshkoheshin ata që e kishin drejtuar vendin në diktaturën komuniste. Mbaj mend një shembull të thjeshtë, kur Jaruzelskit, ish-presidentit të fundit dhe Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste polake, iu përgjysmua pensioni, dhe kjo u bë për të gjithë ish-komunistët. Shkoni në Poloni dhe do ta prekni ndryshimin e madh. E djathta garanton sukses dhe sistem, jo falso si bufoni i Sorosit, Rama.” /gazeta sot/
