Nga reflektimi pas protestës së ‘Flamingove’ në fillim të qershorit lindi “Pasqyrë Albania”, platforma e re që synon t’i japë fund sorollatjeve të qytetarëve nëpër institucione. Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën e zhvilluar nga AKSHI, përmes së cilës qytetarët do të mund të ndjekin në kohë reale çdo aplikim apo ankesë, të kontrollojnë investimet publike dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me institucionet.
Risia kryesore është se qytetari do të dijë në çdo moment se ku ndodhet kërkesa e tij, kush po e shqyrton dhe pse është vonuar. Nëse një institucion nuk përgjigjet brenda afatit ligjor, qytetari do të marrë automatikisht një SMS, me një link ku mund të bëjë ankesën. Kjo e fundit do të marrë një numër gjurmimi dhe do të ndiqet hap pas hapi, deri në përgjigjen përfundimtare. Për Ramën, çdo ankesë do të funksionojë njësoj si një pako postare që mund të gjurmohet në çdo moment.
“Do ta kthejmë çdo hall, çdo kërkesë, çdo ankesë, çdo problem në një ‘pako’ DHL-je. Pra, siç nisim me DHL një pako apo një letër dhe e ndjekim gjatë gjithë kohës se ku ndodhet, do të bëjmë edhe me ankesën, kërkesën, problemin, shqetësimin”, theksoi Rama.
“Pasqyrë Albania”, synon të rrisë transparencën mbi vendimmarrjen e institucioneve dhe është gati të vihet në funksionim.
“Çdo institucion do të jetë në këtë Pasqyrë. Pra, “Pasqyrë Albania” është një inovacion që përmbledh të gjithë shtetin, të gjitha dritaret dhe dyert e shtetit në pasqyrën dixhitale të celularit apo të kompjuterit tënd. Dhe mjafton një klik për të shkuar tek dritarja apo për të trokitur tek dera që ke interes”, tha Rama.
Platforma ka katër rubrika kryesore: “Shih”, “Kupto”, “Vepro” dhe “Bashkëvendos”. Përmes kësaj platforme që do të mund të shkarkohet edhe si aplikacion në pajisjet elektronike, qytetarët do të marrin informacion mbi vendimet e Këshillave Bashkiak, investimet, fazën ku ndodhet ankesat që kanë bëra apo informacioni që kanë kërkuar.
“Ky është mjeti që na jep në dispozicion teknologjia për të adresuar atë hallin e përgjithshëm të njerëzve që “administrata, administrata, arroganca, mungesa e përgjigjes”. Me këtë mjet edhe qytetari fuqizohet, duke pasur në kontroll ankesën apo kërkesën e tij, por edhe administrata vendoset “me shpatulla për muri”, në të gjitha ato raste kur nuk është përgjigjur në kohë dhe kur ankesa apo kërkesa e qytetarit ka humbur në atë oqeanin e burokracisë”, tha Rama.
Kliko KËTU për të shkuar në faqen Pasqyrë Albania
Rama tha se përmes këtij sistemi, administrata nuk do të mund t’u shmanget më përgjigjeve, pasi çdo vonesë do të jetë e dukshme si për qytetarin, ashtu edhe për drejtuesit e institucioneve.
“Me këtë mjet edhe qytetari fuqizohet, duke pasur në kontroll ankesën apo kërkesën e tij, por edhe administrata vendoset ‘me shpatulla për muri’, në të gjitha ato raste kur nuk është përgjigjur në kohë dhe kur ankesa apo kërkesa e qytetarit ka humbur në atë oqeanin e burokracisë”, tha Rama.
Një tjetër shërbim që pritet të shtohet është komunikimi i drejtpërdrejtë me institucionet në kohë reale. Qytetarët do të mund të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga punonjësit përgjegjës, pa shkuar në sportele. Më vonë, ky komunikim synohet të kryhet edhe përmes inteligjencës artificiale.
Platforma do të ketë edhe një hapësirë të veçantë, “Flamingo Mirror”, ku do të publikohen informacione për projektet me interes të lartë publik, siç ishte rasti i projektit te Zvërnecit, me synimin për të luftuar dizinformimin.
