Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, ku foli për protestën studentore, dhunën policore, paketën e re fiskale, çështjen e Belinda Ballukut, zgjedhjet lokale dhe qëndrimin e opozitës për krijimin e një qeverie teknike. Berisha paralajmëroi se PD do të vijojë aksionin opozitar dhe nuk do të kufizohet vetëm në mbështetjen e protestës së studentëve.
Lideri demokrat, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të ndërmarrë çdo përpjekje dhe protestë për largimin e kryeministrit Rama, duke e cilësuar krijimin e një qeverie kujdestare si një nga kërkesat kryesore politike të Partisë Demokratike.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal edhe te zhvillimet politike në Serbi, duke komentuar largimin e Aleksandër Vuçiçit nga pushteti dhe ardhjen e një elite të re politike në Beograd. Sipas Berishës, ndryshimet në Serbi kanë shkaktuar tronditje në Tiranë, duke e lidhur këtë zhvillim me situatën politike të kryeministrit Edi Rama.
“Java ishte javë ndryshimesh të mëdha. Ndryshime të cilat sjellin ndërmend Pranverën Arabe, pasi në Beograd një autokrat i lidhur me krime lufte, gjenocid, me vrasje, u përmbys në Serbi dhe një elitë e re politike erdhi në pushtet”, deklaroi Berisha.
Duke folur për zhvillimet e fundit politike në vend, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal te protestat e zhvilluara në Tiranë dhe përplasjet mes Policisë së Shtetit dhe protestuesve. Berisha akuzoi policinë për përdorimin e plumbave të gomës dhe saçmeve ndaj protestuesve, duke deklaruar se si pasojë e përdorimit të këtyre mjeteve janë plagosur 16 persona. Ai veçoi rastin e të riut Erion Vishkulli, i cili ka marrë një saçmë në njërin sy. Kreu i PD-së uroi që ndërhyrja kirurgjikale të ketë rezultatin e dëshiruar dhe që i riu të rikuperohet. Sipas Berishës, shumica e protestuesve të plagosur janë qëlluar në pjesë të trupit ku përdorimi i këtyre armëve ndalohet me ligj. Ai e cilësoi dhunën ndaj protestuesve si një nga zhvillimet më të rënda të ditëve të fundit në Tiranë.
Kryetari i PD-së vlerësoi pjesëmarrjen e studentëve dhe gjimnazistëve në protestë, duke theksuar se Partia Demokratike ka qenë e pranishme që në momentet e para, por pa pretenduar se e drejton revoltën studentore.
Duke iu përgjigjur një qytetari që e pyeti përse PD nuk thërret protesta me simbolet e saj dhe me kërkesa politike, Berisha argumentoi se në protestat e mëparshme opozita kishte zgjedhur të mos përdorte simbolet partiake, me qëllim që të mos përçante bashkimin qytetar. Ai tha se protesta e zhvilluar në fund të majit dhe gjatë qershorit kishte bashkuar qytetarë me bindje të ndryshme politike dhe se PD kishte mbështetur kërkesat e saj, duke marrë pjesë në protestë pa simbolet partiake.
Berisha akuzoi gjithashtu disa prej grupeve që iu bashkuan protestës, se tentuan ta devijonin atë nga objektivi kryesor, ndërsa kritikoi sloganet që barazonin Partinë Demokratike me Partinë Socialiste.
Në një nga pyetjet, një qytetare kërkoi të dinte nëse Partia Demokratike do të mjaftohej vetëm me mbështetjen e protestës studentore.
Berisha e përjashtoi këtë mundësi, duke deklaruar se opozita do të vijojë aksionin politik për largimin e kryeministrit Rama.
“Partia Demokratike nuk do të mjaftohet, ajo do të mbështesë fuqishëm protestën e studentëve, por Partia Demokratike do të ndërmarrë çdo përpjekje, çdo protestë, për realizimin e largimit të Edi Ramës, ngritjen e një qeverie kujdestare që bën reformën zgjedhore tashmë të kërkuar gjerësisht dhe përgatit të gjitha kushtet për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se PD e konsideron jetike edhe krijimin e një agjencie për konfiskimin e pasurive të paligjshme, si dhe funksionimin e pavarur të sistemit të drejtësisë.
Gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve, një prej temave që mori vëmendje ishte edhe publikimi në media i një fotografie, ku raportohet se shfaqet një kuti e kuqe e mbushur me euro në një vilë në kompleksin turistik “Ëhite Rocks” në Dhërmi, e lidhur me Belinda Ballukun.
Qytetari e pyeti Berishën për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje nga drejtësia, si dhe për faktin që fotografia ishte publikuar në mënyrë ekskluzive nga një media.
Në përgjigjen e tij, kryedemokrati përdori tone të ashpra ndaj Ballukut dhe institucioneve të drejtësisë.
“Kutia me euro e Lubisë, në vilën e kuqe të saj, se edhe ajo ka vilë të kuqe, janë paratë e xhepit të kësaj lubie të vërtetë. Qofshin dhe miliona, janë paratë e xhepit të saj”, deklaroi Berisha. Ai përmendi gjithashtu rastin e ministrit Arbjan Mazniku, duke pretenduar se në banesën e tij ishin gjetur 900 mijë euro, ndërsa në procesverbal ishin shënuar vetëm 3 mijë euro. Berisha akuzoi SPAK-un për standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve që përfshijnë zyrtarë të qeverisë dhe përsëriti qëndrimin e tij kritik ndaj këtij institucioni.
Një pjesë e rëndësishme ishte dhe paketa e re fiskale të qeverisë, të cilën Berisha e cilësoi si një barrë shtesë për qytetarët dhe ekonominë. Sipas tij, ndryshimet e propozuara prekin veçanërisht tri kategori: shtresat në nevojë, bizneset e vogla dhe shtresën e mesme.
Berisha theksoi se përfshirja e më shumë bizneseve në skemën e TVSH-së do të sjellë rritje të çmimeve dhe vështirësi financiare për sipërmarrjet e vogla. Ai deklaroi se rreth 18 mijë biznese rrezikojnë falimentimin si pasojë e këtyre ndryshimeve.
Kreu i PD-së kundërshtoi gjithashtu rritjen e taksës së dividendit nga 8 në 15 për qind, duke argumentuar se kjo masë mund të dekurajojë investimet e huaja në Shqipëri.
Ai akuzoi edhe trajtimin fiskal të profesioneve të lira, duke thënë se vendosja e TVSH-së prej 21 për qind mbi shërbimet do të përkthehet në kosto më të larta për qytetarët. Në këtë kontekst, Berisha prezantoi edhe disa nga angazhimet fiskale të PD-së në rast të ardhjes në pushtet. Ai deklaroi se asnjë taksë, përfshirë TVSH-në, nuk do të jetë mbi nivelin 12.5 për qind. Sipas tij, profesionet e lira do të përjashtohen nga taksimi ose do të përfitojnë një nivel tatimor prej 12.5 për qind. Ai premtoi gjithashtu ndryshime në taksimin e karburanteve dhe heqjen e taksës së qarkullimit të paguar përmes karburantit.
Një tjetër çështje e ngritur nga qytetarët ishte përgatitja e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe vonesa në prezantimin e kandidatëve për bashkitë.
I pyetur se kur do të bëhen publikë emrat e kandidatëve, Berisha tha se kësaj çështjeje do t’I jepet përgjigje shumë shpejt.
Në përgjigje të një tjetër pyetjeje, Berisha rikonfirmoi mbështetjen për listat plotësisht të hapura dhe për sistemin zgjedhor të Kosovës. Ai deklaroi se Partia Demokratike është e gatshme për koalicione dhe aleanca sa më të gjera politike, ndërsa këmbënguli se problemi kryesor i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është sistemi zgjedhor, por mënyra se si zhvillohet gara politike.
Në një tjetër përgjigje, lideri opozitar foli edhe për çështjen e Erion Veliajt, duke deklaruar se çdo person duhet të gëzojë të drejtat që i garanton ligji, pavarësisht akuzave ndaj tij. Megjithatë, ai e interpretoi mënyrën se si po trajtohet kjo çështje si një mesazh politik brenda mazhorancës.
Në përfundim të bashkëbisedimit, Berisha u rikthye te protesta studentore, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mbështesin të rinjtë dhe duke theksuar se beteja e tyre lidhet me të ardhmen e vendit.
“Çdo student dhe studente, çdo qytetar në atë protestë, po bën një betejë për secilin prej nesh. Po bën një betejë për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, përfundoi Berisha.
