Nga 1 korriku do të nisë aktivizimi i gjobave për ata që përdorin qeset plastike njëpërdorimëshe. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama ditën e djeshme. Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, Rama shkruan se çdo ditë që kalon edhe më shumë tregtarë që po zëvendësojnë qeset e dëmshme me qese letre. Ai thekson se në këtë formë mbrohet Shqipëria e fëmijëve tanë nga ai që kryeministri e quan dëmi i frikshëm mbi mjedisin dhe shëndetin. “Kënaqësia e qeseve prej letre në pazaret e ditës. Sa mirë të shohësh që përditë e më shumë tregtarë po zëvendësojnë qeset e dëmshme plastike, me qeset e shëndetshme të letrës, ndërsa shumë blerës po marrin trasta për pazar. Kështu mbrojmë Shqipërinë e fëmijëve tanë nga dëmi i frikshëm i qeseve plastike mbi mjedisin dhe shëndetin. Në 1 korrik nis aktivizimi i gjobave”, shkruan kryeministri Edi Rama. Personat që prodhojnë, importojnë ose hedhin në treg qese plastike njëpërdorimshe do të gjobiten me 500 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje vlera do të jetë 1.500.000 lekë dhe me sekuestrim të gjithë sasisë së qeseve plastike të ndaluara. Në rast se e përsërisin, bizneseve u hiqet licenca. Por kur nisi puna për të hequr qeset një përdorimshe? Nisma ligjore u prezantua për herë të parë në vitin 2019 nga ministri i atëhershëm i mjedisit Blendi Klosi por që u shty prej pandemisë dhe kundërshtisë së bizneseve që prodhojnë dhe importojnë qese. Qëllimi është ulja e ndotjes së lartë të mjedisit, kryesisht të lumenjve e deteve, me plastikë që nuk riciklohet. Në Shqipëri përdoren mesatarisht rreth 3,2 miliardë qese në vit ose 26.280 ton qese plastike, ndërsa sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Mjedisit një qytetar përdorte mesatarisht 3 qese njëpërdorimshme në ditë. Vetëm si pasojë e hedhjes së paligjshme e qeseve njëpërdorimshme, çdo vit shpenzohen 1 5 milionë Euro për pastrimin e mbetjeve të hedhura në mënyrë të paligjshme dhe mbi 2 milionë Euro për pastrimin e plazheve.
Rama paralajmëron: Nga 1 korriku nis vënia e gjobave për ata që përdorin qeset plastike, mbrojmë Shqipërinë dhe fëmijët
Share
Te tjera