Nëse Maqedonia e Veriut nuk pranon propozimin francez, Shqipëria do të kërkoj ndarjen nga Shkupi në udhën drejt integrimit në BE. Ky është qëndrimi i prerë i Kryeministri Edi Rama, i cili së bashku me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, inspektuan Bypass-in e Vlorës, i cili është hapur për publikun. Rama në fjalën e tij u ndal të procesi i integrimit në BE, ku tha se presim të shohim dritën jeshile për negociatat.
“Unë nuk dua të zgjatem se vërtetë mund të ketë mbaruar një seancë, por në dijeninë time debati do vazhdojë në parlamentin e Maqedonisë së veriut. Unë dua të shpresoj që rezultati do të jetë pozitiv. Nëse rezultati do të jetë pozitiv patjetër që konferenca mund të thirret shpejt. Nëse rezultati nuk do të jetë pozitiv ne menjëherë të nesërmen do të kërkojmë dhe do vazhdojmë të kërkojmë pastaj në vijimësi ndarjen e dosjes së Shqipërisë nga dosja bullgaro-maqedonase dhe patjetër që ne jemi të bindur që Shqipëria duhet t’i çojë negociatat këtë vit pa diskutim. Tani të presim fundit e këtij debati maratonë që parashikohet të zhvillohet në parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe pastaj të shikojmë hapin tjetër që do të hedhim”, tha ai. Nga ana tjetër komisioneri Varhelyi, shprehu edhe një herë se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. Komisioneri Varhelyi u shpreh shpresë plotë se do të ketë një përgjigje pozitive.“Nëse keni ndonjë pyetje për Maqedoninë e Veriut atëherë gjëja më e mirë është që atë pyetje tja bëni atyre. Nuk mund të jap përgjigje në emër te Maqedonisë së Veriut se për çfarë mund të presim prej tyre, por ama nuk është se po i bëj bisht pyetjes. Natyrisht është gjëja e duhur që të pyeten përfaqësuesit e qytetarëve dhe jam shpresëplotë që do të kemi një përgjigje të qartë dhe pozitive në fund të këtij debati, por ama ta lëmë këtë debat të shtjellohet, të kryhet e të përfundojë ashtu siç duhet të përfundojë”, deklaroi Varhelyi.