24 zjarrfikës, ushtarë dhe policë u nderuan nga kryeministri Edi Rama për betejën që bënë me zjarret gjatë verës që prekën vendin. Në ceremoninë e Mirënjohes Kombëtare, ku iu dha atyre medalje për kontributin e dhënë, Rama tha se ndonëse shteti u përball me një situatë të vështirë, nuk u thye.
“100 misione nga ajri, qindra ndërhyje dhe ky shtet nuk u thye, por tregoi se mekanizimi i Mbrojtjes Civile nga fshati më i largët deri tek qendra e Tiranës mundi dhe diti të jepte më të mirën.”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi se Shqipëria do të blejë dy avionë zjarrfikës për të ndërtuar flotën e saj. Nuk kurseu ironinë për ata që i quajti si ‘ekspertët online të fikjes së zjarrit’, teksa tha se avionët nuk janë magjistarë, duke përmendur edhe vende të tjera, që edhe pse kanë avionë, sërish u ‘përcëlluan’ nga flakët.
