Një ndërhyrje të re shtetërore paralajmëroi kryeministri Edi Rama në tregun e karburanteve në mënyrë që luhatjet në bursë, sikurse ka ndodhur gjatë ditëve të fundit si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, të mos kenë ndikim të dukshëm në çmimet brenda vendit.
“Do finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, i cili do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut, do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimit, si dhe do të garantojë furnizimin në treg, duke pasur në mbështetje një kapacitet shumë të rëndësishëm siç është garancia sovrane”, tha Rama.
Derisa të realizohet kjo, tregu do të monitorohet nga Task-Forca e ngritur nga Ministria e Financave, që veç karburanteve do monitorojë me kujdes edhe çmimet e ushqimeve.
“Paralelisht, Ministrja e Ekonomisë ka ngritur një task forcë të përbashkët me Ministrin e Financave, duke vënë në veprim administratën tatimore dhe doganore, nga njëra anë, me qëllim rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve dhe parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimeve të karburanteve dhe nga ana tjetër për të studiuar me shpejtësi edhe një ndikim mbi fenomenin abuziv të rritjes së çmimit të ushqimeve”, vijoi Rama.
Veç pasojave të luftës në rritjen e çmimeve, Rama foli edhe për imunitetin e Ballukut, që me votimin në parlament të enjten, e quan çështje të mbyllur. Zërat që thonë se mbrojtja që iu bë përmes 82 votave të socialistëve, do të dëmtojë integrimin, i quajti dokrra hini.
“Arresti si masa më e rëndë e sigurimit do të jetë mjeti i fundit, nuk mund të jetë mjeti i parë. Dhe dua të shtoj këtu, se të gjithë ata që vunë kujën për integrimin, këta janë në rastin më të mirë qesharakë, në rastin më të keq janë, jo vetëm injorantë, por janë dhe shumë të ligj. Por, unë ju siguroj që asnjë mënyrë që rruga jonë drejt anëtarësimit nuk është bllokuar dhe nuk do bllokohet për këtë shkak. Është e vërtetë që kemi pasur një diskutim shumë konstruktiv me disa partnerë, të tjerat kur thoshte At Gjergj Fishta janë dokrra hini”, theksoi kryeministri.
Ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Tik Tok, Rama tha se ishte i panevojshëm në kushtet kur aplikacioni u ri-hap, me një sërë filtrash.
“Ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s’ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë”, tha Rama.
Në fund, Rama garantoi se për Portin e ri tregtar dhe ushtarak në Porto-Romano, qeveria është gati të kalojë në një plan të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit për të cilin tha se është vënë në dispozicion edhe i gjithë buxheti i nevojshëm.
