Libri “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, të pathënat dhe enigmat 1943-1944” i historianit Paskal Milo ka shkaktuar shumë debate. Milo në librin e tij pretendon se ishte Enver Hoxha ai i cili provokoi i pari Ballin Kombëtar. Në libër ai ka publikuar dhe 3 letra ku mbështet pretendimet e tij. Por jo të gjithë mbështesin qëndrimet e tij. Kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Qemal Cicollari në një prononcim për gazetën hedh poshtë pretendimet e Milos. “Milo e di shumë mirë se PKSH në mbledhjen e saj të themelimit në 8 nëntor 1941, lidhur me vijën politike për Luftën Nacional-Çlirimtare, në qëndrimin ndaj nacionalistëve theksonte: “….Të bashkohemi me të gjithë nacionalistët që duan me të vërtetë Shqipërinë të lirë, me të gjithë shqiptarët e ndershëm që duan të luftojnë kundër fashizmit “. (Dokumente kryesore të PPSH, vëllimi i parë, faqe 14 ). Dua t’i kujtoj politikanit historian Milo, se PKSH dhe Enver Hoxha ne Konferencën e Pezës i bënë thirrje nacionalistit Mit’hat Frashërit, më vonë kryetar i Ballit Kombëtar të merrte pjesë në Konferencën e Pezës , por ai jo vetëm që nuk mori pjesë, por u përpoq ta sabotonte atë”, ka thënë ai.
Cicollari ka nxjerrë dhe fakte që sipas tij tregojnë se ballistët ishin bashkëpunëtorë të nazizmit. “Krerët e Ballit Kombëtar në 16 janar 1943 i siguronin autoritetet italiane të pushtimit se e gjithë veprimtaria e tyre drejtohej kundër “komunistëve” dhe veçanërisht kundër “çetave komuniste” për t’i shkatërruar ato dhe për të vendosur qetësinë në mbretëri. ( A. Q.SH, Shkrese e komandës së milicisë fashiste drejtuar mëkëmbësit , Nr 129/13/6 , 16 janar 1943). I dërguari i posaçëm gjerman për Juglindjen e Ballkanit nazisti Nojbaher pohon në librin e tij: Balli Kombëtar do të angazhohej përkrah forcave gjermane të pushtimit edhe në veprime të hapura kundër Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe PKSH …” Në bazë të ligjit të armikut Nr.1, domethënë nga fakti se armiku Nr.1 për Ballin Kombëtar ishte Lëvizja Nacional-Çlirimtare …. (Neubacer , vepër e cituar, faqe 107). Ky ishte Balli Kombëtar bashkëpunëtor i pushtuesve nazifashistë italo-gjermanë zoti politikano-historian Paskal Milo dhe jo “dokumenti ” tuaj që “fajëson” Enver Hoxhën e partizanët që u shpallën luftë “të parët” këtyre kolaboracionistëve e tradhtarëve me damkë të atdheut. Se kush është Balli Kombëtar e di shumë mirë populli shqiptar dhe gjithë bota zoti politikano-historian Milo”, ka thënë ai.