“Besoj që ligji i ri për referendumet është i realizueshëm brenda këtij sesioni”. Partia Socialiste nuk ka humbur kohë pas deklaratës së Ramës dhe tashmë e ka gati një draft për ligjin për referendumet. Megjithatë kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se nuk do ta dorëzojë në Kuvend draftin, pa një proces të gjatë konsultimi publik.
“Grupi parlamentar i PS do të zhvillojë disa tryeza të mëdha konsultative me juristë, profesorë, studentë, shoqërinë civile që të shkojmë në një projekt të konsoliduar mirë që edhe pasi të hyjë në procedurën e Kuvendit, të jetë një proces konsultativ”, tha Balla.
Balla prezantoi pikat kryesore të draftit të përgatitur nga socialistët, duke u vënë theksin te referendumi konsultativ, të cilët socialistët paralajmërojnë se do të përdorin shpesh si formë të përdorimit të demokracisë së drejtpërdrejtë.
“Referendumi për një çështje është gjithmonë një referendum konsultativ apo këshillimor, që kërkon mendimin e qytetarëve për një çështje të caktuar. Shërbim si mjet përpara marrjes së vendimeve. Qeveria mund ta kërkojë referendumin edhe përpara se të ndërmarrë një nismë ligjore apo për të miratuar një marrëveshje…. Çështja përdoret edhe përpara se të ndryshohet kushtetuta”, shtoi ai.
Në dokumentin për të cilin socialistët thonë se kanë punuar 2 muajt e fundit parashikohen tre lloje referendumesh: ai kushtetues që kërkon që populli të thotë fjalën e fundit për ndryshimin e Kushtetutës, referendumi i përgjithshëm që ka të bëjë me shfuqizim ligjesh apo çështje të një rëndësie të veçantë, apo edhe referendum vendor që ka të bëjë me pushtetin lokal, për vendimmarrje në bashki të ndryshme.
Mendimin e popullit thonë se do ta marrin edhe për ndryshime të rëndësishme të Kushtetutës, si ai për uljen e numrit të deputetëve të Kuvendit.
“Nuk është çështje sasie, por mendojmë që një numër më i vogël i anëtarëve të Kuvendit e në jetën parlamentare më efikase, më shumë kohë për diskutime të vlefshme. Referendum për të pyetur shqiptarë për të ulur numrin e deputetëve në Kuvend, e mbështes, është një ide por pasi të kemi ligjin”, tha Balla.
Por në një kohë kur ulja e numrit të deputetëve kërkon 94 vota në parlament, paralelisht Partia Demokratike e bëri të qartë se nuk do t’i bashkohet asnjë nisme ligjore të socialistëve, ndërsa Balla tha se opozita “është e mirëpritur të kontribuojë, por s’mund të marrë peng jetën parlamentare të vendit.”
“Dua të them sot, gatishmërinë tonë të plotë, edhe nëse duan, ligjin për referendumet, jemi të gatshëm edhe t’i presim, por s’kanë për të ardhur kurrë”, u shpreh ai.
Megjithatë dakordësinë e opozitës Balla e njoftoi se e kanë marrë për ligjin organik të Kuvendit, drafti i të cilit pritet të jetë gati së shpejti.
