Nën kujdesin e veçantë të Sali Berishës, për garën në primaret e Tiranës, ku të 7 kandidatët rivalë, Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti, Julian Deda, Gert Bogdani, Adriana Kalaja, Fatmir Merkoçi dhe Enkelejda Fejzo, në publik shfaqen sikur nuk po kandidojnë kundër njëri-tjetrit, në prapaskenë duket se po luhet një lojë e pistë, me stërkëmbësha, e cila shkon përshtat politikës së Berishës. Pazaret e manipulimet që po përgatiten brenda “Foltores” i nxjerr në dritë njeriu më i afërt i ish-kryeministrit Sali Berisha. Avokati i njohur Altin Goxhaj, kryetar i Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë, njëkohësisht dhe organizator i takimeve të “Foltores”, ka thelluar edhe më shumë skandalin e primareve të Tiranës. Avokati ka demaskuar Berishën lidhur me skemën që është ndjekur për të numëruar kutitë e votimit. Sipas Goxhajt çdo gjë në fund është e përcaktuar dhe tek demokratët u tregua se nuk mund të ketë asnjë garë të lirë.
Goxhaj nxjerr zbuluar “Foltoren”
Për të treguar manipulimin e votave në primaret e Tiranës, Goxhaj e nis me deklaratën e Sali Berishës në 8 nëntor në një studio televizive. Gazetarja e emisionit e pyeti kreun e “Foltores” se ku do të numërohen kutitë e primareve në Tiranë dhe a ka rrezik manipulimi nëse numërohen në selinë blu për shkak të transportimit të tyre nga baza në qendër? Berisha tha se nuk do të ketë transport me makina dhe kutitë do numërohen aty ku janë. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Avokati ka zbuluar se ka patur sabotim qëllimisht nga Albana Vokshi dhe Eno Bozdo, për të favorizuar një kandidat të caktuar. Goxhaj renditi disa pika, që sipas tij provojnë se sabotimi ka patur për qëllim kryesor demoralizimin dhe pengimin e kandidatit të primareve, Ilir Alimehmeti, mjeku i njohur që gëzon mbështetje të gjerë në publik. Vokshi është në krye të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE). Ndërsa Eno Bozdo është anëtar i Komisionit.
Transferimi i kutive
Më tej Goxhaj u shpreh se transferimi i kutive me makina ka sjellë manipulim të madh votash. Sipas tij, ndryshimi i strategjisë 16 orë para se të niste votimi është një skandal i madh për “Foltoren”. “Në kundërshtim me Urdhrin e dt 18 Nëntor 2 javë më parë, vetëm 16 orë para Hapjes së qendrave të votimit, KOKOE e drejtuar nga Albana Vokshi (që bashkë me Enno Bozdon, Belind Këlliçin, etj., falsifikonte votat pro Bashës në Korrik dhe Qershor 2021, sipas vetë procesverbalit në fund të videos), vendosën papritur dhe me urgjencë (çfarë ndodhi?!) që ti heqin komisioneve të degës të drejtën për të numëruar por kutitë do të transportohen me makina në Seli. Pse ndryshoi gjithçka papritur 16 orë para, nga se pati frikë Albana Vokshi, Ennno Bozdo, dhe gjithë ata që kanë frikë fitoren e Alimehmetit dhe duan Belindin me çdo kush? Çfarë frike kanë që të numërohen votat në bazë? Përse nuk u dalin llogaritë ke gjithë manipulimet që kanë bërë deri tani përsëri nuk u del rezultati që kanë fiksuar si në kohë të Lylit, sepse janë po ata? Po Berisha çfarë mendimi ka për këtë ndryshim? Duket qartas që “ata” lart i ka zënë hall i madh me votat poshtë, ndaj kanë nevojë për kutia në makina”, thotë në shkrimin e tij avokati i njohur Altin Goxhaj.
Goxhaj: Duan të nxjerrin Belind Këlliçin fitues
Sipas Goxhajt, gjithë sabotimi po bëhet për të nxjerrë Këlliçin si fitues. “Kur e them që ka pas një trend për të sabotuar vazhdimisht procesin, i referohem fakteve. Si mundet 2-3 degë në Tiranë të kenë një sallë me 40-50 karrige, dega ka qindra vetë. Sepse Belindin e kishte në xhep që i kishte kontaktet, kurse Ilir Alimehmetit i duheshin kontaktet. Për të bërë takimet, të shtunën ai është njoftuar një ditë para, ndërsa për takimin tjetër është kontaktuar në mëngjes. Nuk i jepnin mundësi, kjo bëhej në mënyrë të organizuar nga Vokshi dhe Bozdo. Elementi i tretë ka qenë fakti i listave të simpatizantëve. Në Tiranë janë të regjistruar si simpatizantë, ka mbi 600 veta që paraqesin pikëpyetje të mëdha. Një pjesë e tyre nuk janë fare në Tiranë, janë sjellë nga rrethet, i ka sjellë Belindi në Tiranë me ndihmën e Besartit të FRPD”, tha avokati i njohur./SOT/