E martë, 25 Gusht, 2026

Transparenca dhe llogaridhënia vjetore në universitetet publike, standardet e “harruara” edhe 11 vite pas Ligjit të Arsimit të Lartë 80/15

Share

Nga Prof. Asoc. Dr. Majlinda Keta

Kjo praktikë institucionale a duhet  të jetë e shkruar në Ligj, Statut, Rregullore të çdo universiteti publik apo e nënkuptuar si premisë e parë e funksionimit? Të gjitha bashkë, me shpjegimet e të gjitha “W”-e të famshme mbi “Pse, Kush, Kur, Ku dhe Për Kë”. Në konceptin tim të arsimit si e mirë publike e këtij vendi, është domosdoshmëri transparenca dhe llogaridhënia e çdo komponenti universitar, akademik dhe administrativ sikurse llogaridhënia e të zgjedhurve me votë ( rektor, dekan, senatorë, përgjegjës departamentesh secili përpara zgjedhësve) duhet të jetë vjetore në çdo fund viti akademik.

Nga jeta ime universitare në universitete funksionon vetëm ajo me bazë departamenti. Për të thelluar idetë dhe analizën mjafton të klikosh në faqet zyrtare të Universitetit , Fakultetit dhe Departamentit( ndonëse këtu bëhet) dhe zë kërkosh një dokument që përfaqëson llogaridhënien administrative apo akademike dhe do të konstatohet mungesa e këtij standardi në nivel kombëtar. Detyrimin për këtë ja kemi financës publike dhe financave të familjeve dhe të rinjve shqiptarë për të cilët llogaridhënia transparente duhet të jetë praktikë pune e universitetit që duhet ti besojnë.

Mbi të gjitha shqetësimi im lidhet me “ shkollën” që duhet të përvetësojnë studentët shqiptarë mbi mirëmenaxhimin  e shumë pushteteve  nga Rektorë, Dekanë, Administratorë për ato që nesër do të punojnë në zyrat e shtetit, pse jo dhe të vetë universitetit. Demokracia në këtë komponent mësohet duke e ushtruar. Llogaridhënia transparente e çdo rektori apo dekani është një motiv i shtuar maturantëve shqiptarë për të aplikuar në universitetet publike shqiptare. Pse? 

*Janë këto autoritete që vendosin mbi projektet zhvillimore strategjike të institucionit akademik për të cilat transparenca për grupet e kërkuesve( përfshirë edhe studentët) , financat e përdorura, përfitimet e universitetit , fakultetit, departamentit, duke respektuar balancën mes të gjithë fakulteteve nën menaxhim. 

*Programet si Erasmus janë pushtete në duar të Rektorëve që të mirëpërdorura oksigjenojnë realisht me praktika dhe përfaqësime dinjitoze çdo fakultet dhe universitet. 

Sot, pak nga shkruesit e projekteve në fakultete, edhe 11 vite pas Ligjit, kanë vizionin e  projekteve ndërdisiplinore me fakultete të tjera. Këto kryesisht më shumë i besojnë AKKSHI dhe Erasmus jashtë vendit se fondeve  të brendshme për kërkim të fakultetit apo universitetit. Kjo ndodh për shumë arsye por më e rëndësishmja është mungesa e vizionit dhe besimit. 

*Universitetet, fakultetet kanë në vite Marrëveshje ku shkëmbimet e ndërsjellta duhet të bëhen transparente dhe llogaridhënëse për progresin e përfitimeve të  ndërsjellta të institucioneve si palë. Këtu përfshij edhe ato që përzgjidhen në delegacione për të përfaqësuar universitetin. Përfaqësimi i delegacionit e tejkalon një Rektor a Dekan, ai është përfaqësim i historisë dhe gjurmëve institucionale. Ka ardhur koka e protokolleve strikte universitare , mjaft me të njëjtët oborrtarë e gaztorë autoriteti… 

* Universitetet  transparent dhe dinamike duhet të kenë edhe politikat e punësimit. Këtu nuk e  kam fjalën për njoftime vendesh të lira  por për llogaridhënie vjetore për cilësinë më të mirë që u përzgjodh nga konkurrime dhe se çfarë vlere të shtuar çon drejt auditoreve studentore dhe institucionit. 

* Universitetet Publike duhet të deklarojnë në mënyrë transparente Strategjinë Afatmesme për gradat dhe titujt ( 5-15vjeçare). Qasja bashkëkohore, nevoja e zhvillimit të vendit kërkon një strategji afatmesme të fushave të interesit kërkimor, të objektivave specifikë dhe të grupmoshave  për çdo institucion me qëllim të parandalimit të praktikave korruptive veçanërisht me politikat për doktoraturat. Kjo Strategji të jetë në bashkëpunim me Universitetet Shqipfolëse në Rajon. 

“Universitetet publike, autoritetet akademike dhe administrative duhet të përmbushin llogaridhënien vjetore  për studentët e tyre( përfshirë dhe ato të huaj) për: 

– fondet e përdorura në projekte si mundësi dhe realizim nga studentët

– bursat Erasmus si mundësi e ofruar me njoftime në web-e dhe realizim, fraksionuar për çdo fakultet. 

– konferencat shkencore për to por dhe me to

– mundësi botimi shkencor dhe realizimin e tyre në adresime të sakta

– bursat e shtetit për studentët e ekselencës dhe % që zënë në numrin e përgjithshëm të studentëve dhe fondet . 

– bursat në mbështetje të studentëve që vijnë nga familje në nevojë. 

– numrin e vendeve në Konviktet shtetërore

– librat e shtuara në biblioteka

– fuqizimin e infrastrukturës digjitale

– mjediset social kulturore për to

– vjeljen e të pagesave dhe ndikimin e tyre në buxhetet e fakulteteve dhe universitetit në çdo vit akademik. 

* Universitetet janë një komunitet shërbimesh që janë menduar në funksion të dijes akademike, kërkimit shkencor dhe mirëqenies mendore të studentëve, stafeve akademike dhe punonjësve të administratës. Nën këtë koncept llogaridhënia vjetore  në raport me platforma dhe strategji zhvillimi  bazuar për çdo njësi duhet të përfshijë : 

– Zyrën e Projekteve se çfarë ka ofruar për fakultetin apo universitetin

– Zyrën e Këshillimit të Karrierës se çfarë ka mundësuar për studentët, stafet akademike dhe administrative

– Zyrën e Shërbimit Psikologjik

– Zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë

– Zyrën e Shtypit( sa pak studentë ka që shkruajnë apo pasqyrohen shkrimet tyre në web-e institucionale??!!) 

– Zyrën e IT  

– Zyrën e Kurrikulave, etj 

* Komponent më vete llogaridhënës, transparent publikisht në çdo web universitar është bashkërendimi i angazhimeve, projekteve, rrjeteve me Diasporën Akademike Shqiptare. 

* Universitetet,  fakultetet duhet të bëjnë llogaridhënie vjetore për gradat, titujt dhe vlerësimet në emër të tyre. Këto duhen bërë për çdo fakultet për të bërë transparent procedurat, kohëzgjatjen e tyre dhe motivimet e dhëna apo fituara në çmime apo tituj.  Historitë me honoris për figura dis honoris dhunojnë moralin e një universiteti….për më tepër publik. 

…..etj etj etj…

Llogaridhënia është shtylla kryesore që mban në këmbë një sistem universitar në demokraci dhe siguron që pushteti akademik dhe administrativ t’i shërbejë studentëve, stafeve akademike dhe administrative dhe qytetarëve taksapagues. 

Thuhet se “Demokracia është një sistem ku një njeri ka frikë nga të gjithë” – pra dhe drejtuesit ose ata që mbajnë pushtetin akademik dhe administrativ në universitetet publike duhet t’i japin llogari komunitetit universitar dhe publikut shqiptar  dhe të kenë frikë nga reagimi i tyre

……..

Druaj se Auditimi i Brendshëm i Universiteteve Publike DUHET rikonceptuar më fuqishëm në pavarësinë e tij nga pushtetet dhe autoritetet universitare që për detyrë të parë kanë Llogaridhënien Transparente ( të munguar në këto 10 vite pas Ligji, në cilësinë që duhet zbatuar) në shumë forma dhe jo të ideojnë e drejtojnë edhe Auditin e Brendshëm për VETEN. 

….

Këto ide të hedhura sot( një pjesë janë të shkruar qysh në 2015, në librin tim “ Arsimi ku po shkon!” ) janë për Diskutimet e Hapura që duhet të zhvillojmë për rishikimin e Ligjit të AL në RSh 80/2015. 

….

PS: 

Kapitulli i negociuar 26 për Arsimin dhe Kulturën  me BE,  Procesi i Bolonjës, “Institutional accountability”  e ka si parakusht të autonomisë universitare. Kjo, si për kujtesë për ato që llogaridhënien e “ harrojnë”. /gazeta sot/

Te tjera

Lajme te tjera