Seanca parlamentare në Maqedoninë e Veriut e thirrur për shqyrtimin e propozimit francez ka përfunduar ditën e djeshme me debate shumë të forta. Shkupi e ka shtyrë seancën për sot, pasi një numër i madh i deputetëve është paraqitur për fjalim. Debati u përcoll me protesta para Kuvendit, por Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut kishte ndërmarrë masa që në orët e paradites të së enjtes duke shtuar forcat e rendit përreth ndërtesës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera në Shkup. Presidentja e KE-së Ursula Von der Leyen mori pjesë në seancën e djeshme dhe shprehu gatishmërinë e BE-së, si dhe garantoi se gjuha maqedonase nuk cenohet nga ky propozim. Më pas, pas një pauze seanca vazhdoi me tone të ashpra nga ana e deputetëve opozitar maqedonas dhe situata kulmoi atëherë kur fjalën e mori Kryeministri Kovaçevski. Opozita u bë aq shumë zhurmuese sa që, kryeministri u largua nga seanca.
Von der Leyen çon në këmbë shumicën, VMRO thërret “tradhtarë”
Gjatë fjalës së saj ditën e djeshme në parlamentin maqedonas, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ngriti në këmbë pozitën teksa deklaroi se BE nukd o të bie dakord për gjuhën maqedonase për të hequr veton bullgare. Deputetët e OBRM-PDUKM-së dhe “E Majta”, gjatë fjalimit të kryetares së KE-së, kanë protestuar kundër “propozimit francez” me pankarta në të cilën shkruhet “Jo ultimatumit”. Ata nuk tentuan ta ndërpresin fjalim e saj, por vetëm ngritën pankartat që tregonin mospajtim për propozimin e presidencës franceze me BE-në, e cila duhet të nisë procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Në një moment pranë foltores është afruar deputeti i së “Majtës”, Dimitar Apasiev, i cili ka vendosur pankartën para kreut të KE-së me mbishkrimin “Jo”. Maqedonishtja është e juaja dhe ne e respektojmë plotësisht këtë. Prandaj në propozimin e rishikuar thuhet, gjuha maqedonase, pa kualifikime nga BE-ja”, tha Ursula von der Leyen. Kaq ka mjaftuar që shumica e deputetëve të parlamentit të cohen në këmbë dhe të brohorasin teksa është dëgjuar nga disa deputetë të VMRO parrulla “Tradhtarë”.
Deputetja gris në “Foltore” propozimin francez
Në fillim të seancës, në rendin e ditës të së cilës ishin informacione për përmbajtjen e Propozimit për kornizën negociatore për negociatat për anëtarësim të Maqedonisë me Bashkimin Evropian dhe ku fjalën hyrëse duhet ta mbante kryeministri Dimitar Kovaçevski, deputetja Dafina Stojanovska e mori fjalën për procedurë. Por sapo u ngjit në foltore ajo grisi dokumentin për të cilin duhet të zhvillohet debat dhe tha se pa vulën e popullit maqedonas asnjë dokument nuk do të kishte legjitimitet. “Me administratorë të tillë modernë maqedonas nuk na duhen më as okupatorë të brendshëm, as të jashtëm, fashistë, nazistë, terroristë”, tha Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
Ja çfarë po ndodh në Shkup
Maqedonia dhe Bullgaria, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, identitetit dhe së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët. Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, ka gati dy javë, organizon protesta. Deputetët duhet të miratojnë një konkluzion prej pesë pikash që është hartuar nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet. “Duke u nisur nga interesat kombëtare strategjike për anëtarësim në BE, Kuvendi obligon Qeverinë t’i vazhdojë negociatat me BE-në me qëllim të zhbllokimit të procesit integrues dhe të miratohet korniza e bisedimeve që përmban parimet evropiane”, thuhet në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së. “Qeveria obligohet që përmes delegacioneve, në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në”, ka deklaruar Jovan Mitreski, kryetar i GP të LSDM-së.