Çështja e Presidentit mbetet edhe pas disa javësh ende më e diskutuara. Kanë mbetur edhe dy raunde, pas ezaurimit të tre të parëve dhe duket se mazhoranca do të vijojë e vetme me procedurat. Deputeti socialist për Qarkun e Fierit, Petro Koçi është shprehur optimist në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit deri në raundin e katërt. I ftuar dje në një studio televizive, Koçi theksoi se opozitës iu dhanë shanse të barabarta për të propozuar emra të denjë për President. “Marrëveshjet janë vetëm respekt procedure, PS ka qenë e hapur, kemi dhënë shanse të barabarta për këdo që synonte të bënte propozim të përshtatshëm por emra duhet të kenë edhe mbështetjen me firma të deputetëve. Deri tani kjo provë nuk u dha. Megjithatë edhe në raundin e katërt opozita mund të bëjë propozime por sidoqoftë ne jemi të vendosur për ta zgjedhur presidentin edhe pse jo deri në raundin e katërt”, deklaroi ai.
Më tej Petro Koçi shtoi se nëse i gjithë ky proces do të ishte teatër, do të ishte i organizuar nga vetë opozita. Deputeti socialist i Fierit theksoi edhe problematikat që Partia Demokratike ka brenda saj. “Nëse do të ishte teatër do të ishte i organizuar nga opozita por nuk e besoj. Opozita ka vështirësi brenda saj. Sidoqoftë PD është e ndarë në dy pjesë dhe secila nga palët, nëse do të përfshihej në proces do të akuzohej si tradhëtare nga pala tjetër. Besoj se do të kemi një President ose Presidente por kësaj radhe mazhoranca ka të drejtën e plotë për të zgjedhur pastaj do të shohim nëse do të ketë mbështetje nga opozita dhe shpresojmë të mbështetet nga të gjithë”, nënvizoi Koçi.