“Një lojë politike” për të mbuluar gjurmët e krimit që ka kryer Sali Berisha kur ka qenë president i Shqipërisë.
Kështu e ka cilësuar ish-ministri i Rendit, Petro Koçi, propozimin e bërë nga Sali Berisha për votimin e një projekt-rezolute që dënon masakrën serbe në Srebrenicë.
Në një prononcim për Albanian Post, Koçi rikujton se Berisha ka përgjegjësi indirekte për këtë masakër.
Sipas deputetit të Partisë Socialiste, “në kohën kur ai ka qenë në pushtet, ka organizuar nëpërmjet ndërmarrjes Shqiponja, një ndërmarrje e Partisë Demokratike, kontrabandën e karburanteve drejt ish-Jugosllavisë”.
“Duke ndihmuar kësisoj strukturën dhe makinerinë ushtarake të Millosheviçit”, argumenton Koçi.
Ai, në arsyetimin e tij thotë se, nëse parlamenti sot do të votonte një projekt të propozuar prej Berishës – që në thelb duket krejt normale sepse dënon një masakër gjenocidi – do t’i bënte një lloj amnistie të gjithë atij veprimi që zgjati për një kohë të gjatë.
Sipas tij, për të vërtetuar këtë fakt mjafton të sillet në vëmendje takimi i Berishës me Momir Bulatoviçin, që asokohe ishte zëvendëskryetar i ish-Jugosllavisë.
“Ai takim ka ndodhur në Tiranë, në kohën e thyerjes së embargos dhe, sipas tij, ka pasur një marrëveshje me zotin Berisha”, shpjegon Koçi.
Pra, për të, votimi i sotëm i Parlamentit ishte një qëndrim i drejtë, madje Shqipëria e ka dënuar gjithmonë masakrën e “Millosheviçit në Kosovë dhe Bosnjë”, por që asnjëherë nuk do të bashkëpunohet me një ish-lider që “furnizoi makinerinë serbe të luftës”.
Thyerja e embargos së naftës asokohe u paraqit edhe në shtypin e ditës të gazetave më prestigjioze.
Gazeta “Der Spiegel” do të kishte dëshminë e një peshkatari shkodran, i cili rrëfente për trafikimin e naftës nga Shqipëria në Serbi.
“Benzini është fati ynë. Ai ka sjellë pasuri drejt Shkodrës”, tha në vitin 1995, peshkatari shkodran Dritani.
Përmes liqenit të Shkodrës, që ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, kryhej rreth gjysma e trafikimit të naftës për ushtrinë jugosllave.
Asokohe, “Spiegel” citonte edhe të përditshmen “Zëri i Popullit”, që thekson se të ardhurat e taksave nga veriu i Shqipërisë vijnë kryesisht nga trafikimi i naftës, që kapin vlerën e 22 milionë dollarëve.
“Presidenti shqiptar Sali Berisha flet për propagandë, megjithatë, pse në veri të vendit dërgohen 100 herë më shumë sasi të derivateve të naftës sesa është e nevojshme”, shkruante gazeta gjermane.
Në fund të artikullit ngrihej një pyetje se: pse në dy javët e para të shkurtit 1995 janë importuar 6 milionë litra derivate të naftës, kurse në aeroportin e Tiranës nuk është furnizuar me naftë asnjë aeroplan i huaj.
Po ashtu, edhe prestigjiozja “New York Times” shkruante se rrjedha e karburantit të avionëve nga Shqipëria në Jugosllavi shpërtheu disa muaj më parë dhe besohet se do të ishte i destinuar për “makinë luftarake serbe”.