E shtunë, 28 Nëntor, 2026

Përjashtimi/ Spiropali: Vendim nul! Rama të ndryshojë modelin e qeverisjes, ose të ikë! Betejën do ta bëj në PS, gati të garoj për kryetare! Hetimi i SPAK për shantazh

Share

Elisa Spiropali nuk e pranon përjashtimin nga radhët e Partisë Socialiste. Në një konferencë të posaçme për shtyp, pasi socialistët vulosën edhe largimin e saj nga grupi parlamentar i PS, deputetja foli për vendime nul dhe “legjitim të një vendimmarrje” të marrë nga vetë Edi Rama. Duke e quajtur si një dekoratë, Spiropali deklaron se nuk do të tërhiqet, dhe se do të vijojë betejën e saj po brenda Partisë socialiste, me çdo kusht.

“Unë jam e para grua në 35 vjet dhe po e marr si dekoratë këtë meqë jam edhe kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë. Me këto dy skaje, duke qenë edhe gruaja e parë e përjashtuar nga një parti në 2026 për arsye të qëndrimeve të mia, nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë për sa kohë që ata që duhet të ikin, rrinë dhe ata që duhet të rrinë, ikin”, tha Elisa Spiopali duke theksuar se nuk iu dha mundësia të dëgjohej dhe duke e krahasuar mënyrën si u mor vendimi me praktikat e mbledhjeve të mbyllura të kohës së Koçi Xoxes dhe Kadri Hazbiut.

Ligjvënësja tha se 40 deputetë nuk e ngritën dorën për përjashtimin e saj në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së dhe la të kuptohej se do të tentojë të hyjë në mbledhjen e radhës, edhe nëse aty do të ketë roje e policë.

“Do ta bëj betejën time aty sepse duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, ata, vendimmarrja e të cilëve ka ndikuar në jetën e njerëzve, që kanë abuzuar me pushtetin, që tregojnë arrogancë, që sot deputetët e PS kanë frikë të pinë kafe me njëri-tjetrin sa i kërkon përballjes publike. Unë s’kam mbyllur asnjë derë. Ata që duan të mbyllin derën me forcë, ndoshta do të jetë hera e parë në histori që një grua do të tentojë të hyjë në një mbledhje me roje e policë”, vijoi Elisa Spiropali.

Ajo nuk i kurseu kritikat për kryeministrin Edi Rama, të cilin, për vite të tëra, sa kohë ishte krah tij, e ka mbrojtur publikisht në betejat politike. Kryeministrit i kërkon të ndryshojë modelin e qeverisjes, ose në të kundërt të ikë.

“Është domdosdoshmëri që ai të ndryshojë mënyrën e qeverisjes, ose të ikë. Ose ta bëjë këtë punë, si burrë, si udhëheqës, si lider e të mbajë përgjegjësi ose të lëvize nga ai pozicion, të mos mbrojë të pambrojtshmit. Nuk bëhet kjo as me propagandë, as me pasqyra, as duke normalizuar abuzimin, dhunën arrogancën. Unë do luftoj në kuvend dhe në PS, dhe në çdo organizatë dhe kudo në publik për të bashkuar ata njerëz që sot ndihen të pa përfaqësuar në PS. Kjo është punë e qeverisjes së vendit dhe përgjegjësisë që ne duhet të kemi për vendin, pavarësisht raportit personal dhe vijoj ta them se unë nuk hedh poshtë, as veten time, as Ramën, as atë që kemi bërë për Shqipërinë, po i them të ngrihet në lartësinë e kohës, jo të bjerë në të tilla situata që vetëm ia bjerrin autoritetin dhe ia pamundësojnë qeverisjen. Sot menaxhohet vetëm pushtetin. Sa më shpejt ta kuptojmë që duhet të heqim dorë nga mitet dhe ti kthemi përgjegjësisë së njerëzve”, tha Spiropali.

Tani e sfidon të hapë garën brenda partisë.

“Sfida është kjo, meqë qenka garë popullariteti dhe le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. Kush është i pazëvendësueshëm?”, vijoi deputetja.

Belinda Ballukun, të cilën ajo e ka përshkruar si modelin më të keq të qeverisjes, këtë herë, ndonëse nuk e përmendi me emër, e quajti dhe viktimë të modelit përmes të cilit Rama po udhëheq.

“Bela, Lali, Bela, Elisa. Vihen përballë njëri tjetrit në këtë model njerëz, për çfarë? Këtu nuk ka lidhje me emri, madje kam keqardhje për personin në fjalë që ma vini përballë sepse mendoni që ma vini xhelat, unë mendoj që është viktimë. Që nuk pyet për integritet, nuk ka kufij për mënyrën se si e ushtron legjitimitetin”, vijoi Spiropali. 

Hetimi i nisur ndaj bizneseve të familjes nga SPAK, sipas saj është bërë bë nga një kallëzues anonim, ndërsa nuk dha një përgjigje, për pretendimet e ngritura në media se po hetohet dhe pronësia e bashkëshortit te saj, në një restorant në Tiranë. Edhe këto hetime i quan pjesë të shantazheve politike, duke deklaruar se asgjë nuk e tremb

“Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por të gjithë ata, se dihet kush janë, anonimë ose jo, të vihen në rresht e të bëjnë 100 kallëzime, se s’e kam pikën e problemit. Kur e kam nisur këtë betejë, e kam ditur mirë se çfarë vjen. Një, pesë, dhjetë kallëzime, le të bëjnë çfarë të duan. Mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Sa të duan të bëjnë kallëzime, unë nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë betejë e kam bërë se nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh.

Çështja që unë kam ngritur nuk ka qenë personale. Edhe çështjet administrative zgjidhen në gjykata. Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe qëndrese. Më shumë mund t’i vlejë atij që merr gjobë 5 milionë. Zgjidhja ishte presioni, të merreshe me njerëzit për t’i kontrolluar, apo t’i dëgjoje, të reagoje ndaj ndjeshmërive, të uleshe e të gjeje zgjidhje me opozitën? Këtu, ata që humbin treten, ikin nga vendi se s’kanë më asnjë mundësi”, tha ajo. 

Përplasjet e Spiropalit me kryeministrin Edi Rama dolën në pah, disa muaj më parë, kur kjo e fundit, e zhveshur nga posti ministror, nisi të artikulonte kritika mbi mungesën e demokracisë në vendimmarrje brenda PS dhe emërimit të ministrave.

Përplasja u thellua, kur ajo abstenoi në votimin për imunitetin e Belinda Ballukut, duke kulmuar me Asamblenë e PS 11 ditë më parë, kur ajo u përjashtua nga të gjitha forumet.

Te tjera

Lajme te tjera