E shtunë, 28 Nëntor, 2026

Si po bien njëri pas tjetrit miqtë e Edi Ramës!

Share

Viti 2026 nuk ka qenë fort i mbarë për disa prej miqve ndërkombëtarë të Edi Ramës. Një pjesë e protagonistëve të fotografive, përqafimeve dhe deklaratave të miqësisë me kryeministrin shqiptar po përballen me një realitet tjetër politik në vendet e tyre.

I pari ishte Viktor Orbán. Pas 16 vitesh në pushtet, kryeministri hungarez humbi zgjedhjet parlamentare të 12 prillit përballë Péter Magyarit, duke mbyllur një nga ciklet më të gjata të qeverisjes në Europë.

Pas Orbanit erdhi radha e Aleksandar Vuçiçit, bashkëpunëtorit të Ramës në projektin e Ballkanit të Hapur. Më 27 shtator, Vuçiç dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, formacioni i tij politik pësoi humbje përballë lëvizjes së studentëve. Pas 14 vitesh dominimi politik, partia e Vuçiçit humbi shumicën parlamentare.

As Benjamin Netanyahu nuk po kalon ditët e tij më të mira politike. Në zgjedhjet e 27 tetorit në Izrael, blloku i kryeministrit siguroi vetëm 53 nga 120 mandatet parlamentare, duke mbetur pa shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

Këtë të diel, më 29 nëntor, vëmendja zhvendoset në Madrid, ku kryeministri socialist Pedro Sánchez përballet me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas mesatares së sondazheve të publikuar këtë të martë nga gazeta spanjolle “El País”, Partia Popullore kryeson me 31.5%, kundrejt 29% të socialistëve të Sánchezit, ndërsa Vox kuotohet në 17.9%.

Rezultati mbetet për t’u parë, por Sánchez hyn në zgjedhje me një disavantazh në sondazhe.

Në rastin e Netanyahut, zhvillimet kanë shkuar edhe më tej. Më 8 nëntor, presidenti izraelit Isaac Herzog ia besoi mandatin për formimin e qeverisë rivalit të tij, Gadi Eisenkot. Ishte pikërisht Netanyahu ai që në janar të këtij viti, gjatë pritjes së Ramës në Jerusalem, e cilësonte kryeministrin shqiptar edhe si mik të ngushtë personal.

Nga Budapesti në Beograd, nga Jerusalemi në Madrid, po ndryshon kështu një pjesë e hartës së marrëdhënieve politike që Rama ka ndërtuar ndër vite, shpesh duke i prezantuar ato edhe nëpërmjet miqësive personale me liderët e këtyre vendeve.

Mes emrave të mësipërm, ai që vazhdon të qëndrojë i konsoliduar në pushtet është presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, me të cilin Rama nuk e ka fshehur asnjëherë afërsinë personale. Edhe vetë Rama ndodhet në telashe. Në Shqipëri kanë plasur protestat dhe zgjedhjet vendore do të jenë referendum për Bablokun, i cili ashtu si miqtë e tij duket se ka marrë tatëpjetën. 

Te tjera

Lajme te tjera