Dy orë marshim dhe sulm me molotovë ndaj institucioneve dhe efektivëve. Protesta e Partisë Demokratike nuk solli asnjë risi, pa fjalime dhe me një përplasje që kulmoi mes militantëve dhe efektivëve pranë Kuvendit. Protesta nisi dje pasdite në orën 18:45, me kreun e PD, Sali Berisha që bashkë me militantët marshuan nga selia blu drejt Kryeministrisë. Kësaj radhe flamujt e SHBA-së, kupola drejtuese e PD-së ishte kujdesur që t’i zëvendësonte me ato të BE-së dhe të Gjermanisë. Një simbol i akuzave se Gjermania po bllokon rrugën e Shqipërisë drejt BE-së për shkak të mbrojtjes që Rama i bëri Belinda Ballukut. Ndryshe nga herët e tjera, grupi i zjarrit i përdori molotovët që në nisje të protestës, ndërsa ende në megafon po përcilleshin mesazhet dhe thirrjet për qeveri teknike e largimin e kryeministrit Edi Rama. Ky moment ishte i papritur edhe për policët, të cilët reaguan menjëherë me gaz lotsjellës dhe me ujë. Protestuesit u nisën drejt bllokut të ministrive në sheshin “Skëndërbej”, ku për herë të parë, pas shkarkimit të Belinda Ballukut, u hodhën molotovë edhe në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës, institucion i cili deri më tani nuk ishte sulmuar asnjëherë nga militantët e Berishës.
Protestuesit tentuan të sulmojnë edhe selinë e Partisë Socialiste, por një kordonin i policisë nuk i lejoi që molotovët të depërtonin drejt godinës. Bombat molotov ranë edhe përballë Bankës së Shqipërisë me një prej militantëve që sulmoi një makinë të policisë. Nga aty, protestuesit marshuan mes për mes ish-Bllokut, por nuk u ndalën në Vilën 31, e cila në protestën e kaluar ishte objekt i sulmeve që i rrezikuan jetën edhe artistëve. Përleshja u zhvendos pranë AKSHI-t, por edhe këtu kordoni i policisë nuk i lejoi militantët që të hidhnin molotovët drejt institucionit dhe përfunduan vetëm në rrethimin e ambasadës italiane. Tentativa për të rrethuar Kuvendin nuk u lejua nga Policia, e cila kishte ngritur kordon pranë xhamisë të Namazgjasë dhe nuk i lejoi të depërtojnë. Kjo irritoi militantët e Sali Berishës, të cilët nisën përplasjen e ashpër dhe hodhën molotovë në drejtim të efektivëve. Protesta u zhvillua në një ditë feste për komunitetin bektashi, atë të Sulltan Norvuzi. Megjithatë, simbolika e zgjedhur nga demokratët, është ajo e 22 marsit të vitit 1992 që shënon fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
Reagon Berisha
Pas mbylljes së protestës-marshim së PD, Sali Berisha mbajti një fjalim para selisë së PD dhe militantëve të tij duke u shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen në protestë duke thënë se “e tmerruan” Ramën. Ai tha se nuk do të ketë më paqe deri në largimin e Ramës, të cilit i bëri thirrje të dorëhiqet. “Një përshëndetje vëllazërore, një mirënjohje të pakufishme, me guximin, trimërinë, qëndresën tuaj! Nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar: përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë, por njëkohësisht i dhatë goditjen më të merituar diktaturës së sotme. Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe ju garantoj se tjetra do të jetë më e shkëlqyer! Për Edi Ramën s’do të ketë më strofull, vrimë miu ku të futet!
Kryengritja paqësore shqiptare do ta çojë atje ku e meriton! Keni qenë të shkëlqyer! Nuk e di si e nderuat ju kaq shumë sot 22 marsin! E tmerruat Edvin Kristaq Ramën! Prandaj le të zotohemi në këtë shesh se nuk ka paqe në këtë vend me ata të cilët vjedhin si hiena pasuritë publike të shqiptarëve dhe pasurohen vetë, përdorin ligjet dhe mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tyre. Qëndresa, bashkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe do të përfundojnë në Lanë, në koshat e plehrave të historisë! Ka rrethim që na pengon ne? Kurrë! Edi Rama, jep dorëheqjen sa më shpejt! Jep dorëheqjen se do të të tërheqim ashtu siç s’ta pret mendja!”, deklaroi dje Berisha.
Sa për gazin lotsjellës prej të cilit u prek edhe vetë ai, nuk i dha shumë vëmendje duke e quajtur vetëm “akt të shëmtuar”. Më tej u zotua për rrëzimin e Ramës dhe vijimësinë e protestave, duke shtuar se e radhës do të njoftohet së shpejti. “Ishte akt i shëmtuar, por ajo vetëm sa rrit vendosmërinë e kryengritësve paqësorë për të hedhur në Lanë regjimin e tij dhe atë. Jemi në betejë dhe nuk kemi të ndalur. Sot ne fituam një betejë, zhvilluam betejën në të bukur në të ekzistencën tonë, por dhe më madhështore do jetë dhe ajo që vjen. Shumë shpejt do e njoftojmë. Nuk ka paqe me Ramën vetëm betejë deri në largimin e tij nga pushteti së bashku me hajdutët që e rrethojnë. T’i shporrim këta kusarë që s’kanë ligj e moral. PD është partia që ka marrë misioni dhe përsipër përmbysjen e këtij regjimi. Në mënyrë absolute axhenda do të shkojë duke u pasuruar dhe duke mbrojtur interesat jetike të shqiptarëve. Ajo që është jetike largimi me urgjencë i Ramës dhe bandës së tij nga pushteti”, nënvizoi Berisha.
