Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni do të dislokojë edhe 5 mijë trupa në Poloni, vetëm pak ditë pasi Pentagoni anuloi një plan të mëparshëm për dërgimin e 4 mijë ushtarëve në këtë vend.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump tha se vendimi lidhet me marrëdhënien e tij me presidentin polak Karol Naërocki, të cilin ai e kishte mbështetur gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.
Presidenti amerikan nuk sqaroi nëse bëhet fjalë për të njëjtin plan të rishikuar nga Pentagoni apo për një operacion të ri ushtarak.
Në javët e fundit, administrata amerikane ka sinjalizuar se synon të reduktojë praninë ushtarake në Evropë, në kuadër të politikës “Amerika e Para”.
Më herët gjatë muajit, SHBA njoftoi edhe tërheqjen e 5 mijë trupave nga Gjermania, pas tensioneve mes Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me luftën me Iranin.
Ende nuk ka një konfirmim nëse trupat e parashikuara për Poloninë do të transferohen nga Gjermania apo do të jenë pjesë e një dislokimi të ri.
Trump ka kritikuar më parë kancelarin gjerman për deklaratat mbi negociatat amerikano-iraniane, ndërsa ka shprehur pakënaqësi edhe ndaj aleatëve të NATO-s për qëndrimin e tyre ndaj presionit ndaj Iranit dhe çështjes së Ngushticës së Hormuzit.
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s pritet të mblidhen sot në Suedi në një samit ku do të marrë pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Ai pritet të kërkojë rritje të kontributit të aleatëve në kuadër të barrës së sigurisë në NATO.
