E martë, 20 Maj, 2025

Ngërçi politik, intensifikohen “vërejtjet” e Perëndimit, Kurti fton për takimin kryetarët e PDK dhe LDK, ja si mund të formohet qeveria e re në Kosovë

Share

Pas një serie dështimesh të njëpasnjëshme dhe një ngërçi institucional që ka zgjatur për më shumë se dy muaj, më në fund kryeministri në dorëheqje Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë një hap prapa, duke ftuar partitë e tjera parlamentare në tryezë diskutimi për konstituimin e Kuvendit. Kjo lëvizje e vonuar, por e domosdoshme, vjen në një moment kur thirrjet nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë, janë intensifikuar dukshëm, ndërsa Bashkimi Evropian ka theksuar se zvarritja e formimit të institucioneve rrezikon seriozisht rrugën e Kosovës drejt integrimit europian.

Ftesa e VV

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti i ka dërguar ftesë Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të zhvilluar një takim të përbashkët, me qëllim konstituimin e Kuvendit. Në ftesë thuhet se duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, fillimisht kryetarët dhe më pas nënkryetarët, tre prej të cilëve sipas VV, do të jenë nga partitë që morën më shumë vota në zgjedhje. Këtë ftesë të VV e ka konfirmuar edhe kryetarja e Gurpit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka deklaruar se “po, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti”.

Refuzimi i LDK

Por ajo thotë se as kryetari Abdixhiku dhe askush nga LDK nuk do të marrë pjesë në takimin e planifikuar nga Kurti. “Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka theksuar Bajrami.

Thirrja e SHBA

Po dje, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë duke folur për kanë thënë se është përgjegjësi e udhëheqjes politike që të formojë Kuvendin dhe një Qeveri të Qëndrueshme. Krijimi i Kuvendit dhe Qeverisë kanë thënë se duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. “I takon popullit të Kosovës të përcaktojë se kush duhet ta përfaqësojë atë. Kosova është një vend sovran, demokratik dhe i pavarur. Është përgjegjësi e udhëheqjes politike të formojë një Kuvend dhe një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së.

Vërejtjet e ambasadorit gjerman

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë dje se ia ka shprehur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shqetësimin e tij në rritje me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë.Në një reagim në rrjetin social Bluesky, Rohde tha se partitë politike në Kosovë duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe duhet t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.“Në peizazhin e sotëm global që po ndryshon me shpejtësi, veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe çështjet shtetërore duhet gjithmonë të vihen para politikave partiake”, shkroi Rohde. Konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill – ka dështuar tetë herë radhazi deri tani, për shkak se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re. Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu deri tani i ka marrë 57 vota më së shumti. Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si “figurë përçarëse”, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.

Te tjera

Lajme te tjera