Gjatë takimit të sotëm nga ansambleja e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama tha se është njohur me raportin e hartuar nga Komisioni Evropian. Ai foli për performancën e qeverisë, theksoi arritjet ekonomike e sociale, dhe kundërshtoi akuzat për korrupsion duke u mbështetur në raportet e Komisionit Europian. Rama tha se sipas raportit, Shqipëria ka tregues në nivelin e mesatares së BE-së dhe madje më lart se disa vende anëtare, duke theksuar se korrupsioni nuk është aq i përhapur sa perceptohet.
“Jo më larg se para dy- tre ditësh mora një raport mbi prokurimet publike, jo raport të qeverisë, por raport të organizmave ndërkombëtare mbi prokurimet dhe të organizmave ndërkombëtare të cilat punojnë për Bashkimin Europian, që janë organizmat e Bashkimit Europian, e Komisionit Europian për prokurimet publike. Rezulton që në prokurimet publike, se korrupsioni ku është? Është në prokurimet publike, aty ku administrohen fondet e shqiptarëve, apo jo? Dhe nëse jo ne, po ata që vlerësojnë prokurimet publike në të gjitha vendet e OECD-së, përfshirë të gjitha, ku përfshihen të gjitha vendet e Bashkimit Europian, nxjerrin një rezultat që është i shkruar e zeza mbi të bardhë me fakte, me shifra, se treguesit e procesit të prokurimeve në Shqipëri, janë në standardet e mesatares së Bashkimit Europian dhe më lart se një sërë vendesh të vetë Bashkimit Europian, atëherë ka një problem të madh me perceptimin. Ka një problem të madh me perceptimin sepse lufta kundër korrupsionit nuk është thjesht çfarë bën drejtësia. Ajo që bën drejtësia është pjesë e drejtësisë.” u shpreh ai.
Rama njoftoi se PS ka nisur një kalendar komunikimi me strukturat e saj, që do të përmbyllet në qershor me festimin e 35-vjetorit të themelimit të partisë.
“Besoj që jeni në dijeni të faktit që ne e kemi nisur këtë proces në Asamblenë Kombëtare ku kemi, sigurisht, përcaktuar një kalendar për zgjedhjet në parti, por njëkohësisht kemi përcaktuar edhe një kalendar komunikimi intensiv në radhë të parë me bazën e Partisë Socialiste, duke nisur nga njësitë, asambletë socialiste të njësive dhe përgjatë procesit të zgjedhjes së kryetarëve të organizatave, ne do të vazhdojmë këtë komunikim, i cili do të shtrihet në komunitet kur të përzgjidhen kryetarët e njësisë dhe sigurisht që do të përmbyllet në qershor me kremtimin e 35 vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. E kemi zgjedhur këtë proces komunikimi sepse na është dukur realisht e domosdoshme që të ndajmë me ju dhe përmes jush edhe me të gjithë Partinë Socialiste dhe pastaj dhe me të gjithë mbështetësit tanë, informacionet dhe këndvështrimet mbi çështje që na interesojnë të gjithëve, të cilat siç ju e dini shumë mirë, mbulohen përditë nga tymi, nga balta, nga llumi i gjithë gënjeshtrave, akuzave, shpifjeve, fabrikimeve, thashethemeve që fabrikojnë pasqyrat e kanaleve dhe të portaleve, duke praktikisht, synuar në vijimësi që të tërheqin vëmendjen e njerëzve dhe mundësisht t’i çorodisin njerëzit për gjëra të cilat janë të rëndësishme, siç është për shembull, procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.”- tha Rama.
Sa i takon ekonomisë, Rama përmendi rritjen e pagave, indeksimin e tyre, njohjen e vjetërsisë në punë si arsye për pagë më të lartë, si dhe rritjen graduale të pensioneve deri në vitin 2030. Ai kujtoi se pensioni mesatar kur PS mori pushtetin ishte vetëm 86 euro, ndërsa sot është rritur ndjeshëm.
“Kemi indeksuar pensionet, po s’kemi indeksuar dot pagat dhe kjo ka bërë që pagat të rriten si asnjëherë më parë, por ama inflacioni sidoqoftë, t’i ngacmojë dhe të mos e lejojë të gjithë fuqinë blerëse që buron nga një pagë po të marrë një pjesë. Me rritjen e ekonomisë dhe me krijimin e mundësisë sot të gjitha pagat për të gjitha këto kategori që thashë, indeksohen. Sot ne nuk e kemi më sekëlldinë nganjëherë shumë të madhe, që unë personalisht për shembull kam përjetuar, kur gjendesha në salla si kjo edhe çohej një pensionist dhe thoshte ‘’mirë të tëra, po ne kur do na rritet pensioni’’. Ishte sekëlldi shumë e madhe sepse ne e dinim shumë mirë që ditën e parë që pensionet ishin shumë të pamjaftueshme se nuk po them që sot janë të mjaftueshme. Po ishin shumë të pamjaftueshëm. Dhe mos harroni që pensioni mesatar në Republikën e Shqipërisë kur ne kemi marrë detyrën ka qenë 86 euro. 86 euro pensioni mesatar! 86 euro, sa për dijeni është shtesa e projektuar mujore e pensioneve në këtë ciklin e këtij mandati. Pra ky është një ndryshim shumë i madh, por s’kishim mundësi. Dhe tre mandatet e para, ne i kemi fituar pa bërë një premtim konkret për rritjen e pensioneve. Vetëm kur kemi qenë në fushatën për mandatin e katërt, ne, në programin tonë zgjedhor nxorrëm një plan konkret për rritjen e pensioneve, plan të cilin kemi filluar ta zbatojmë në janar të këtij viti duke bërë një rritje e cila do të dyfishohet në janarin e ardhshëm; do të trefishohet në janarin 2028-ës, do të katërfishohet në janarin e 2029-s dhe do të pesëfishohet në janar e 2030-ës. Tani, edhe kjo edhe kjo erdhi si rezultat i rritjes së ekonomisë, pra i rritjes së mundësive.”– u shpreh Edi Rama.
Edi Rama kundërshtoi idenë se korrupsioni është rritur, duke argumentuar se rritja e ekonomisë, investimeve dhe të ardhurave shtetërore e përjashton këtë. Ai e quajti problem “perceptimi” dhe jo realitet.
“Po mirë, si është e mundur që ky korrupsioni është rritur si asnjëherë më parë, ndërkohë që ekonomia është rritur si asnjëherë më parë? Si është e mundur që korrupsioni qenka rritur aty ku s’mban më, po ndërkohë janë rritur pagat, ndërkohë indeksohen pagat, ndërkohë paguhet vjetërsia në punë, ndërkohë po rriten pensionet, ndërkohë rriten investimet. Ndërkohë investimet e huaja të cilat kur ne kemi marrë detyrën ishin 300- 400 milionë euro mesatarisht në vit, shkuan në 1.6 miliardë në vitin e kaluar? Si shpjegohet që të ardhurat të ardhurat në arkën e shtetit rriten si asnjëherë më parë? Sepse korrupsioni që të rritet, duhet të marrë para nga këto. Nuk mund të rriten të dyja bashkë. Është e pamundur. O rritet njëra, o rritet… Nuk ka vend ku rritet korrupsioni dhe rriten në këtë formë edhe pagat, edhe pensionet, edhe investimet, edhe shpenzimet kapitale në tërësi, edhe numri i të gjitha veprave të infrastrukturës dhe që kanë të bëjnë me infrastrukturën madhore apo me infrastrukturën sociale. Është e pamundur!”-tha Rama.
Rama e lidhi progresin drejt anëtarësimit në BE me reformat dhe rezultatet e arritura në ekonomi, drejtësi dhe qeverisje.
“Ne jemi sot në një moment që po marrim rezultate njëra pas tjetrës të punëve që kemi bërë, të themeleve që kemi hedhur dhe të bazave që kemi vendosur dhe nëse sot ne jemi në një moment kyç dhe shumë afër një finishi historik përsa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian, kjo vjen si rezultat i kësaj pune.” – tha ai.
