E shtunë, 18 Prill, 2026

Rama takim “kokë më kokë” me Melonin: Asnjë qeveri italiane s’ka bërë kaq shumë për Shqipërinë në 35 vite! Mbrojtja e emigracioni në fokus të diskutimeve

Share

Kryeministri Edi Rama është pritur sot me ceremoni zyrtare nga homologia italiane Giorgia Meloni në “Palazzo Chigi” në Romë. Rama nisi një vizitë pune në Romë, në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë. Pas takimit me Melonin, Rama do të zhvillojë edhe një takim me Ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto. Ndërkohë për takimin Rama-Meloni ka reaguar edhe qeveria italianë përmes një postimi në faqen e saj zyrtare, ku thekson se “takimi ofroi një mundësi për të shqyrtuar forcimin e partneritetit midis dy kombeve në fushat me interes të përbashkët, me një fokus të veçantë në ndërlidhje, industrinë e mbrojtjes dhe bashkëpunimin për migracionin.” . “Presidentja e Këshillit të Ministrave, Giorgia Meloni, priti sot në ‘Palazzo Chigi’ Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Pesë muaj pas Samitit Ndërqeveritar të Romës, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të forcimit të partneritetit mes dy vendeve në sektorët me interes të përbashkët, me fokus të veçantë te ndërlidhja, industria e mbrojtjes dhe bashkëpunimi në fushën e emigracionit”, thuhet në njoftimin e qeverisë italiane.

Po ashtu, edhe kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjete sociale një foto nga takimi me homologen italiane Giorgia Meloni në Romë, duke dhënë një mesazh të shkoqur për marrëdhëniet mes dy vendeve. Në postimin e tij, Rama thekson se Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë, por qeveria Meloni bën një dallim të fortë për zhvillimin dhe sigurinë e Shqipërisë “Të gjitha qeveritë e Italisë në 35 vitet e fundit kanë qenë posaçërisht dashamirëse ndaj Shqipërisë, por asnjë qeveri italiane nuk ka vënë në lëvizje një program kaq të ngjeshur bashkëpunimi strategjik me Shqipërinë, sa qeveria e Giorgia Melonit. Afrimi i mëtejshëm me Italinë përmes projekteve të mëdha e konkrete sjell më shumë zhvillim e siguri për Shqipërinë” shkroi Rama në rrjete sociale. Rama njihet për raportin e veçantë me homologen e tij italiane Georgia Meloni. Dy liderët vazhdojnë që të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, në interes të të dyja vendeve. Në nëntor të vitit të kaluar u mbajt një takim mes qeverisë së Shqipërisë dhe Italisë. Si Meloni, ashtu edhe Rama e konsideruan bashkëpunimin mes palëve si historik. Në atë kohë, Tirana dhe Roma zyrtare nënshkruan plot 16 marrëveshje të përbashkëta bashkëpunimi në disa fusha si mbrojtja, shëndetësia, siguria e infrastruktura.

Ndërkohë pas Italisë, Rama do të udhëtojë drejt Spanjës, ku me ftesë të kryeministrit Pedro Sanchez, do të marrë pjesë në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë. Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit te institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë. Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrin Sanchez, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.

Te tjera

Lajme te tjera