“Frikë nga padrejtësia, jo nga drejtësia”, kjo fjali e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi dhe lotët e Jakup Krasniqit, duket se përmbledhin më së miri ditën e dytë të seancës gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Krasnqi u përlot teksa avokati i Thaçit fliste për krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe publikoheshin pamje të masakrave dhe bombardimeve të NATO-s. Pas një seance ditën e parë, ku folën Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave, dje fjalën e patën avokatët mbrojtës të katër ish-krerëve të UÇK-së.
Mohimi i krimeve të luftës
Fillimisht avokati i Thaçit, Gregory Keohe ka paraqitur mbrojtjen e ish-presidentit, duke deklaruar se Thaçi nuk e ka mohuar asnjëherë që janë kryer krime të luftës, por këto sipas tij, s’janë bërë ngaUÇK-ja. “Janë kryer krime, por jo të motivuara. Thaçi s’e mohon se disa krime janë kryer nga disa individë shqiptarë. E ka informuar edhe në Këshillin e Sigurimit, por e kundërshton pretendimin se janë kryer krime nga udhëheqja e UÇK-së”, tha ai. Sipas avokatit, Thaçi s’kishte pse të merrte pjesë në krime pasi “ai e dinte se suksesi i lëvizjes çlirimtare varej nga shtetet perëndimore, sidomos nga SHBA”. Kehoe tha gjithashtu se se UÇK-ja s’ka qenë ushtri e rregullt, madje s’ka pasur kontroll nëpër shtabe, sidomos gjatë vitit 1998. Avokati shtoi se i vetmi rrezik që ekzistonte gjatë asaj kohe ishte ushtria e policia jugosllave.Kehoe tha se Thaçi nuk kishte asnjë lloj përgjegjësie për operacionet luftarake në terren dhe se kompetencat e UÇK-së i përfaqësonte Adem Demaçi, përfaqësuesi më i lartë i saj. Po ashtu, ka zbardhur para trupës gjykuese, një takim që Thaçi ka zhvilluar në 1999 me Joe Biden, tashmë president i SHBA. “Unë e di që ti nuk e kontrollon UÇK-në”, i ka thënë Biden ish-presidentit të Kosovës.
Thaçi: Reja e zezë mbi Kosovën u hoq
Pas tij, ka folur edhe ish-presidenti i Kosovës, që ka dëshmuar për të disatën herë se është i pafajshëm. Ai ka mohuar pretendimet e Prokurorisë, duke shprehur keqardhje dhe dhimbje për të gjithë viktimat. “Unë jam i pafajshëm, por i gatshëm të kem sukses në këtë rrugëtim. Isha student në Zvicër kur ndodhi masakra ndaj familjes Jashari. Unë, sikurse edhe shumë të tjerë, u kthyem nga atje në Kosovë. Lufta na u imponua dhe ne e bëmë atë që do ta bënte çdo popull liridashës. Më vjen keq që këtu në këtë proces nuk mund të dëshmojnë Albright, Holdbrooke, Demelio, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Adem Demaçi. Ata do të dëshmonin në emrin tim”, tha ai. Ai ka përmendur raportin e Dick Marty, ku përmendej trafikimi i organeve dhe “Shtëpia e verdhë”. “Bota tani e di që nuk kishte trafikim organesh dhe ‘shtëpi të verdhë’. Tani e dimë unë, dhe populli jemi shfajësuar nga kjo. Reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Sakrifica ia ka vlejtur. Pres të shfajësohem nga çdo akuzë në fund të këtij procesi. Kam besim se do të jetë i drejtë dhe transparent”, tha Thaçi.
Miti i trafikimit të organeve
Seanca vazhdoi më pas me deklarimet e avokatit mbrojtës të Kadri Veselit, Ben Hemmerson. Ai ka deklaruar se historia e trafikimit të organeve është mit. “Nuk është për t’u habitur që lufta e vitit 1998 ka çuar një sasi të madhe të lindjes së miteve, gjatë këtyre 25 viteve, siç u përmend edhe miti i trafikimit të organeve është një prej historive të shumta, që s’është e bazuar në fakte”, tha avokati. Ai shtoi se në periudhën për të cilën akuzohet, Veseli ka qenë jashtë Kosovës.
Selimi: Do kthehemi të lirë në Kosovë
Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi në fjalën e tij ka deklaruar se nuk ka frikë nga drejtësia por nga padrejtësia. “Kam shumë besim se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së se jemi të pafajshëm. Unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi”, tha ai. Selimi ka treguar për krimet serbe që janë bërë gjatë viteve të 90-të. “Iisha student, si kudo në Kosovë edhe në Universitet u ushtrua dhunë, më kujtohet kur na dëbuan nga konviktet, më 16 mars 1999 shihje forcat serbe që nuk linin studentët askund në fakultete, shqiptarët u larguan nga puna e kudo tjetër. U mbyll televizioni, dhuna përshkallëzohej”, u shpreh ai.about:blank
