Ekspozita “Nevermore” e artistit Orion Shima sjell një reflektim të thellë mbi shoqërinë përmes simbolikës së zymtë të korbit. Pedagogia e Akademisë së Arteve, Taulanda Jupi e përshkruan veprën si një pasqyrë të realitetit të hidhur dhe një thirrje për ndërgjegjësim shoqëror. Në këtë udhëtim vizual, arti bëhet protestë, paralajmërim dhe zgjim. “ ‘Nevermore’ nuk është vetëm një ekspozitë; është një pasqyrë, një paralajmërim dhe një thirrje për zgjim në Galerinë FAB. Mes ditëve të vrullshme të kësaj fushate mora pak kohë të vizitoja ekspozitën “Nevermore” të piktorit Orion Shima. Një goditje e fuqishme vizuale dhe emocionale, që tejkalon kufijtë e artit për të bërë një koment të fortë mbi realitetin tonë shoqëror dhe politik. Me korbin si simbol kryesor — piktori krijon një narrativë të zymtë, por thellësisht të vërtetë. Tufa e korbave të uritur është më shumë se një imazh makabër; është një metaforë për shoqëritë e grabitura, për sistemet që ushqehen nga rrënimi moral dhe njerëzor. Por pyetja që ndiej nën shtresës së ngjyrave është edhe më therëse: korbat i shohim, por cili është trupi që shqyejnë? Në këtë pyetje pingulet e gjithë ekspozita. A është e sotmja? A është e ardhmja? Kjo është një thirrje për reflektim: jemi ne vetë ai trup i heshtur që lejojmë të copëtohemi nga makineritë e padrejtësisë, korrupsionit, indiferencës. Ekspozita na bën të ndalemi, të mendojmë dhe të shohim përtej sipërfaqes — drejt së vërtetës që na rrethon, por që shoqëritë e topitura si kjo e jona shpesh zgjedhim të mos e shohim”, shkruan në rrjetet sociale pedagogia Taulanda Jupi, e cila kandidon për deputete nga Koalicioni Euroatlantik për Qarkun e Tiranës.
https://www.facebook.com/share/1PZipVi9G6