Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi ka komentuar situatën politike dhe ekonomike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Ekonomi theksoi se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë gati kur vjen puna tek ballafaqimi politik qoftë me zgjedhje politike qoftë ato lokale, ndërsa u shpreh besim plotë se në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit kandidatja e PS për Bashkinë Durrës, Emiriana Sako do të dalë fitues. Duke u ndalur tek Këshillimi Kombëtar, ministrja Ekonomi theksoi se kjo është një nismë e cila do ta demokratizojë edhe më tepër komunikimin mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve.
-Zonja Ekonomi, në shtator të vitit që shkoi kryeministri Edi Rama iu besoj postin e Ministres së Shtetit për Standardet e Shërbimeve. Si u ndjetë kur njohët me këtë vendim dhe mund të na jepni më shumë detaje rreth këtij dikasteri, se kush është misioni i tij?
Puna për shërbimet ka nisur që prej marrjes së mandatit të parë nga Partia Socialiste, ku në fillim u arrit të inventarizoheshin këto shërbime, për të kaluar më pas në fazën e digjitalizimit, ku 95 % e shërbimeve publike në vend kryhen online. Ndërkohë natyrshëm kemi kaluar në një moment tjetër, atë të standardizimit të këtyre shërbimeve. Për këtë arsye ne po punojmë mbi hartimin dhe zhvillimin e një indeksi monitorimi, i cili do të jetë vjetor për të gjitha agjencitë që ofrojnë shërbime në vend. Mandati i tretë qeverisës ka një fokus të veçantë në ofrimin e shërbimeve publike në vendin tonë. Me transformimin e pandalshëm digjital të tyre, shërbimet që marrin qytetarët do të përmirësohen në cilësi, do të jenë më të shpejta, të aksesueshme kudo dhe çfarë është më e rëndësishmja, me kosto të ulët. Unifikimi i kritereve të standardeve të shërbimeve në nivel qendror, do të jetë një hap përpara në përafrimin e standardeve të BE-së dhe do të mundësojnë një administratë publike me etike dhe integritet.
-Në rishikimin më të fundit të saj që mban datën 28 Janar, 2022, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”. Më konkretisht agjencia vlerëson se rritja reale do të mbetet solide gjatë viteve të ardhshme, mesatarisht 3.5-4.3 përqind, e mbështetur fort nga konsumi i familjeve, investimet në infrastrukturë dhe ringritja në turizëm. Si ju duket ky tregues?
Ky është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare, e cila konfirmohet tashmë edhe nga agjencitë prestigjoze ndërkombëtare, në rrugën drejt rimëkëmbjes pas tërmetit dhe pandemisë. Institucionet ndërkombëtare vlerësimet i bëjnë në bazë shifrash e faktesh dhe jo emocionesh dhe raporti i Standard and Poor’s konfirmon vlerësimin aktual, qëndrueshmëri B+; dhe perspektivën e qëndrueshme që nuk ndodh me vende të tjera. Kjo notë pozitive sigurisht është një inkurajim për të vijuar më tej me reformat strukturore që po kryhen nga qeveria. Politikat makroekonomike të ndjekura deri tani, po japin rezultate dhe kjo qëndrueshmëri e ekonomisë shqiptare do të përkthehet në më tepër investime në çdo sektor të ekonomisë.
-Gjithashtu referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, shohim që ka edhe një rritje të eksporteve. A mund të na jepni më shumë detaje?
Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka ndjekur një politikë konstante të hapjes së ekonomisë së saj drejt tregjeve globale në funksion të rritjes së eksporteve shqiptare. Identifikimi i burimeve të reja të rritjes ekonomike dhe bashkëpunimi rajonal, nëpërmjet rritjes së eksporteve të produkteve shqiptare dhe ndërkombëtarizimit të bizneseve tona mbeten prioritete të programit të qeverisjes. Duke ju referuar shifrave të fundit të publikuara nga INSTAT, në Janar 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 24 mld lekë, duke u rritur me 3,1 %, në krahasim me Janar 2020 dhe me 2,8 %, në krahasim me Dhjetor 2020. Edhe në këtë rast shifrat tregojnë për një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare edhe me fillimin e vitit 2022, e cila padyshim që me hapjen e qarkullimit të udhëtarëve në vazhdim, do të ketë një impakt edhe në sektorin e turizmit, që është padyshim një sektor i rëndësishëm i ekonomisë, ku kontributi i tij para se të niste pandemia kishte arritur në 8.5 % e PBB-së.
-Opozita shprehet se si pasojë e keqqeverisjes borxhi publik ka shkuar në kufijtë në 92%. Sa qëndrojnë këto pretendime?
Opozita prej kohësh ka vazhduar me politizimin e kësaj çështje, ku ndërkohë institucionet ndërkombëtare vlerësojnë qendrushmërinë e ekonomisë shqiptare. Sigurisht që me pandeminë që nuk është mbyllur akoma, programi i rindërtimit pas tërmetit, e bllokimi i aktivitetit normal të ekonomisë këto 2 vitet e fundit, e bënë të nevojshme huamarrjen. E një fakti i tillë nuk ndodhi vetëm për vendin tonë, për ekonomi edhe të mëdha e më të zhvilluara se ne, u detyruan të rrisnin borxhin e tyre publik gjatë kësaj periudhe. Është e rëndësishme të thuhet se stabiliteti financiari vendit është i garantuar dhe ndërkohë po bëhet një punë e madhe në konsolidimin fiskal. Nga ana tjetër qeveria mbetet e vendosur në realizimin e angazhimeve të saj për kategoritë që mbajtën një peshë të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve të fundit, sikurse mësuesit, mjekët dhe infermierët, deri në fund të këtij mandate, të ketë një rritje pagash prej 40 %. Angazhimin për të mos rritur asnjë taksë për asnjë kategori,
-Qeveria ka nisur një proces Këshillimi me qytetarët, prej të cilëve kërkon opinion për çështje dhe fusha të ndryshme. Çfarë iu shtyu të ndërmerrnit këtë iniciativë?
Këshillimi Kombëtar është një nismë e cila do ta demokratizojë edhe më tepër komunikimin mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve. Temat të cilat i janë kërkuar të shprehen të gjithë pa dallim dhe kudo që ndodhen, prekin përditshmërinë e kujtdo, e për këtë arsye qeveria merr angazhimin të dëgjojë dhe kuptojë opinionin e publikut për këto çështje. Shifrat në rritje të plotësimit të këtij pyetësori online apo edhe dërgimi i përgjigjeve nëpërmjet postës, që ndryshojnë nga dita në ditë, reflektojnë për nevojën që komunikimi të bëhet dhe siç ka deklaruar Kryeministri Rama, do të vazhdojë edhe për çështje të tjera në vitet në vazhdim, duke u kthyer në një praktikë normale këshillimi.
-Ju jeni deputetë e Qarkut të Durrësit. Si po ecën procesi i rindërtimet? Mund të në bëni një panoramë të veprave që keni përfunduar dhe kush janë disa nga kantieret e hapur që pritet të marrin jetë…
Procesi i rindërtimit po ecën me ritme të kënaqshme dhe si deputete e Qarkut Durrës kemi parë angazhimin e plotë të qeverisjes qendrore dhe asaj lokale në çuarjen përpara deri sa familja e fundit të vendoset në një apartament të ri apo të rikonstruktuar. Për të folur më konkretisht javën e ardhshme pritet që 226 familje të tjera të marrin hyrjet në Manëz, në një infrastrukturë plotësisht bashkëkohore, ku do të ketë çerdhe, kopësht, bibliotekë, qendër shëndetësore dhe njësi shërbimi të standardeve më të mira sikurse janë ndërtuar edhe në site të tjera në vend. Transformim të plotë do të ketë edhe zona e Spitallës ku po punohet çdo ditë që të mbarojnë sipas afatit 996 apartamente, shoqëruar nga një infrastrukturë e cila do ta bëjë këtë lagje ndër më të bukurat në Durrës, me fusha sportive, park të gjelbëruar, qendër shëndetësore, njësi shërbimi e rrugë të rehabilituara. Ndërkohë duke mbetur tek shifrat, Bashkia Durrës ka përfituar 37 objekte arsimore nga procesi I rindërtimi, ku aktualisht 16 objekte janë përfunduar dhe 21 prej tyre janë në zbatim. E që do ta bëjnë qarkun tonë me infrastrukturën ndër më të mirat në vend.
-Le të dalim pak nga ekonomia dhe të përqendrohemi tek reforma në drejtësi. Sot që flasim jemi në vitin e 6 të implementimit të saj. Si ju duket ecuria e kësaj reforme?
Reforma në Drejtësi tashmë është e pandalshme dhe objektivi i saj kryesor transformimin rrënjësor të saj duke e shkëputur nga ndikimi politik dhe korrupsioni I lartë që e shoqëronte. Në fazën e zbatimit të saj po shikojmë nga dita në ditë efektet reale ku vetingu ka larguar nga sistemi gjyqtarë dhe prokurorë të cilët nuk e meritonin detyrën që kishin. Progresi i kësaj reforme është i dukshëm ku po vazhdohet me konsolidimin e organeve të reja të drejtësisë dhe sfida për të fituar besimin e publikut është e madhe. Arritjet kryesore të reformës në drejtësi këto 5 vitet e fundit, padyshim janë të shumta por miratimi i të gjithë kuadrit ligjor në drejtësi evidentojnë më së miri ndryshimin rrënjësor dhe rindërtimin e sistemit të drejtësisë sipas modelit evropian, bazuar në një sistem vlerësimi të aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësim të integritetit dhe pastërtisë së figurës. Ndryshimet kushtetuese dhe paketa ligjore e reformës në Drejtësi janë një garanci për pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e magjistratëve, përtej çdo ndikimi për të siguruar llogaridhënie dhe efikasitet në sistemin e drejtësisë.
-Përtej drejtësisë, vëmendja është përqendruar te opozita. Si i keni parë përplasjet Basha-Berisha?
Nuk kam patur ndonjë vëmendje të kushtuar enkas për këto zhvillime megjithatë ata janë në të drejtën e tyre për të kërkuar drejtimin e Partisë Demokratike. Zhvillimet në selinë e PD-së lanë një shije të hidhur sepse në fund të fundit, ajo që u dëmtua nuk ishin vetëm dyert dhe dritaret e kësaj selie por imazhi i Shqipërisë si një vend që nuk arrin dot të zgjidhe problemet më mjete demokratike edhe nga vet ata që kanë predikuar në këto 2 dekada, të vlerave të demokracisë.
-Presidenti ka dekretuar zgjedhjet vendore ne 6 bashki. A është PS gati për këto zgjedhje?
Partia Socialiste ka qenë gjithmonë gati kur vjen puna tek ballafaqimi politik qoftë me zgjedhje politike qoftë ato lokale. Në Durrës, ne kandidojmë me Kryetaren aktuale në Detyrë, Emiriana Sako e cila deri më tani ka treguar të jetë në lartësinë e detyrës dhe i ka shërbyer me dinjitet qytetarëve durrsake. Procesi i vendimmarrjes mbi këtë kandidaturë në fakt kaloi nëpër gjithë organizatat e partisë socialiste në terren, që u shprehën dhe dhanë opinionin e tyre mbi këtë çështje. Znj.Sako e mori këtë detyrë në një moment të vështirë për Durrësin, që akoma po merrte veten nga tërmeti dhe iu desh të bënte një punë kolosale më pas në menaxhimin e procesit të rindërtimit. Për këtë arsye duke patur një kandidatë të pranuar gjerësisht nga të gjithë dhe puna e saj në terren, e bën këtë ballafaqim edhe më të lehtë. Jam e bindur që votuesit durrsake do të tregohen të matur për të parë me qetësi përfitimet e qytetit nga projektet e mëdha të zhvillimit që kanë nisur e nuk mund të lihen në mes, kështu që zgjedhja e tyre më e natyrshme do të ishte vazhdimi përpara me punët e nisura dhe me Kryetaren e Bashkisë, Emiriana Sako.
Intervistoi: Rigels Seliman