“Un mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për tia falur kryeministri Edi Rama për një arsye të vetme, sepse krijohet përshtypja që gjithmonë kur Vuçiçin, BE dhe Europa e mbështet me shpatulla pas muri del Edi Rama dhe e nxjerr ka ajo situatë”, kështu është shprehur së fundmi ministrja Donika Gërvalla, teksa ka kritikuar ashpër kryeministrin Rama.
Duke u ndalur te editoriali i përbashkët i kreut të qeverisë shqiptare me Aleksnadër Vuçiç, në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ministrja është shprehur se ky artikull ka krijuar pakënaqësi në Kosovë dhe ka krijuar perceptimin se Rama i del në ndihmë presidentit serb në momentet e tij më të vështira.
Sipas Gërvallës, Shqipëria nuk duhet të ndërtojë marrëdhënie me Serbinë duke anashkaluar Kosovën, duke theksuar se çdo bashkëpunim rajonal duhet të kalojë përmes Prishtinës.
“Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë”, tha ajo në RTK, duke theksuar më tej se problemi i artikullit është propozimi që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian.
