E martë, 3 Nëntor, 2026

Ministri Toni Gogu pranon se ka qenë në Burgun e Fierit: Takova Erionin të premten, po nuk i kam dhënë asnjë “mesazh”! S’dua ta besoj, e kam mik të hershëm (REAGIMI)

Share

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka reaguar në lidhje me raportet mediatike, se ditën e premte ai ka qenë në burgun e Fierit dhe është takuar me kryebashkiakun Erion Veliaj. Ai pranon vizitën, por thotë se në asnjë mënyrë nuk i ka përcjellë ndonjë “mesazh”.

“Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier”, shkruan ministri, i cili para se të futej në politikë ishte pastor dhe ka kryer ceremoninë e martesës së Veliajt.

“Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.

Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë. Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni”, shkruan ai.

Ministri zotohet se “as në këtë botë e as në tjetrën”, nuk do të mund të shqiptonte të tilla mesazhe. Megjithatë, Toni Gogu sqaron se ka dëgjuar të gjitha shqetësimet e Erion Veliaj dhe të vërtetën ia lë kohës.

“Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.

Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme. Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore”, përmbyll ai.

Te tjera

Lajme te tjera