E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Mega-projekti më ambicioz ushtarak në botë, SHBA prezanton “Kupolën e Artë”, Trump fut edhe Kanadanë në mburojën hapësinore, ja pse ideja nuk është pritur fare mirë nga rusët

Share

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, këtë javë zbuloi sistemin e tij ambicioz të mbrojtjes “Kupola e Artë”, i cili do të mbronte hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara, të modeluar sipas partnerit të tyre, Izraelit, nga një sulm i mundshëm me raketa armike. Projekti, i vlerësuar në 175 miliardë dollarë, është premtuar të përfundojë deri në fund të mandatit të tij të dytë dhe do të drejtohet nga Gjenerali Michael Guetlein, zëvendësshef i operacioneve hapësinore. Një total prej 25 miliardë dollarësh do të sigurohen nga të ardhurat e gjeneruara nga reforma tatimore e Trump, për miratimin e së cilës ai po përpiqet të fitojë mbështetjen e përfaqësuesve republikanë gjithnjë e më skeptikë në Kongres.

Ndryshimet me Kupolën e Hekurt

“Kupola jonë e Artë do të jetë në gjendje të ndërpresë raketat armike edhe nëse ato lëshohen nga ana tjetër e botës”, u mburr Trump gazetarëve në Zyrën Ovale gjatë prezantimit të planit. Tenderi do të shpallet së shpejti dhe kompanitë kryesore të teknologjisë amerikane, përfshirë SpaceX të Elon Musk, do të jenë në gjendje t’ia paraqesin ofertat e tyre Pentagonit dhe Sekretarit Pete Hegseth. Edhe pse Uashingtoni është përpjekur për dekada të tëra të projektojë një mburojë raketore që do të siguronte të gjithë vendin, kjo nuk është realizuar kurrë për shkak të kufizimeve teknologjike dhe kostove të jashtëzakonshme. Ekspertët tashmë po shprehin dyshime në lidhje me fizibilitetin e vetë projektit dhe janë veçanërisht të shqetësuar për afatet e shkurtra që mund të ndikojnë në cilësi. Zyrtarët e administratës amerikane ende nuk duan të specifikojnë detajet e vetë Kupolës, por kanë lënë të kuptohet se do të ketë dallime të konsiderueshme krahasuar me atë izraelite. Konkretisht, Kupola e tyre e Hekurt mbron në mënyrë selektive zonat e populluara nga kërcënimet me rreze të shkurtër veprimi në një vend me madhësinë e shtetit të Nju Xhersit.

Kanadaja në “mburojën” amerikane

Kanadezët do të ishin gjithashtu nën mburojën hapësinore amerikane. Trump, nga ana tjetër, dëshiron një sistem mbrojtës nga raketat në hapësirë, të aftë të mbrojë një vend 450 herë më të madh se Izraeli, nga raketat e përparuara balistike dhe hipersonike. Shtëpia e Bardhë pretendon se ka marrë tashmë telefonata nga Kanadaja fqinje, e cila thuhet se është gjithashtu e interesuar të marrë pjesë në projekt në këmbim të mbrojtjes. Në një deklaratë për Reuters, kryeministri i ri kanadez Mark Carney konfirmoi se ai dhe ministrat e tij po negociojnë me homologët e tyre amerikanë mbi një marrëdhënie të re sigurie dhe ekonomike midis dy vendeve, por nuk dha detaje specifike.

Reagimi i Rusisë

Zyrtarët e administratës Trump theksojnë se ky projekt do të përqendrohet në kërcënimet që vijnë nga Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut.Kremlini la të kuptohej dje se planet e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për mburojën raketore “Kupola e Artë” mund të çojnë në bisedime të reja midis Moskës dhe Uashingtonit mbi kontrollin e armëve bërthamore në të ardhmen e parashikueshme. I pyetur në lidhje me njoftimin e Trump, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kjo ishte një çështje sovrane për Shtetet e Bashkuara. Kur u pyet nëse Rusia e sheh projektin si një kërcënim për barazinë bërthamore të Rusisë me Shtetet e Bashkuara, ai tha se nuk kishte detaje mbi projektin amerikan. “Në të ardhmen e parashikueshme, vetë rrjedha e ngjarjeve kërkon vazhdimin e kontakteve mbi çështjet e stabilitetit strategjik”, tha Peskov. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, deri tani fuqitë më të mëdha bërthamore, kanë shprehur keqardhje për rënien e një sërë traktatesh për kontrollin e armëve që synonin të ngadalësonin garën e armatimeve dhe të zvogëlonin rrezikun e luftës bërthamore. SHBA-të fajësojnë Rusinë për prishjen e marrëveshjeve të tilla si Traktati i Raketave Antibalistike (ABM) i vitit 1972 dhe Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) i vitit 1987. SHBA-të u tërhoqën nga INF në vitin 2019, duke përmendur shkeljet ruse që Moska i mohoi.

Te tjera

Lajme te tjera