Bajram Begaj, ka marrë besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, Begaj u zgjodh president i ri i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim (83 deputetë morën pjesë në votim). Grupi i deputetëve të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës bojkotuan procesin, teksa nga opozita morën pjesë Mesila Doda, Shpëtim Idrizi, Nusret Avdullai nga PDIU, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho nga LSI dhe tre deputetë të PSD, Gertjan Deda, Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi.
Bajram Begës i duheshin 71 vota në këtë raund të katër, teksa ai arriti që të merrte 7 vota më shumë. Ish-shefi i shtabit ka marrë edhe 1 votë nga opozita. Kjo sepse me përllogaritje, Rama përveç 74 deputetëve të tij, i kishte të sigurta dhe 3 votat e deputetëve të Tom Doshit, pra 77 vota në total. Vota pro duket se ka “rrjedhur” nga deputetët e PDIU-së, kjo sepse kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e tha që në nisje të seancës se grupi i saj parlamentar do të votojë kundër.
Ky proces për zgjedhjen e kreut të ri, e rreshtoi për herë të parë Sali Berishën kundër Ilir Metës, duke thënë se shkeli Kushtetutën duke firmosur nga Stambolli i Turqisë dekretin për lirimin e Bajram Bega nga detyra si Shef I Shtabit të Forcave të Armatosura.
“Nuk mund të firmoset dekreti jashtë Shqipërie”, tha Berisha, teksa më pas me të gjithë deputetët e tij lanë sallën e Kuvendit.
Përgjigjen e mori nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
“Të thuash që kjo çështje, që konsullata shqiptare në Stamboll nuk është tokë shqiptare, por është turke, është njësoj sikur ka thënë dikur që deti i Shqipërisë është i Greqisë, apo gjykatën e Parisit që e ka bërë gjykatë amerikane se nuk shkon dot vetë në Amerikë”, tha Balla.
Bojkot pati edhe nga ana e grupit Parlamentar të PD-së që janë rreshtuar krah Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit argumentoi mungesën e tyre në sallë duke thënë se zgjodhën që të mos ishin fasadë e Ramës në këtë proces që e quan farsë.
“Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës ishte farsa e radhës për të cilën opozita i duhej Ramës vetëm për fasadë”, tha Alibeaj.
Bajram Begaj bëhet presidenti i 8-të i vendit të Shqipërisë post komuniste dhe i 3-ti që vjen nga radhët e ushtrisë, pas Alfred Moisiut dhe të ndjerit Bujar Nishani. Më herët, Komisioni i Ligjeve dha dakordësinë, duke argumentuar se plotëson kriteret për të qenë kreu i shtetit për 5 vitet e ardhshme, pasi është mbi 40-vjeç, ka jetuar 10 vitet e fundit në Shqipëri dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore.
Bega u zgjodh në raundin e katërt, pasi 3 raundet e para dështuan pasi palët nuk gjetën një dakordësi për të zgjedhur një emër të përbashkët. Seanca për betimin e tij në Kuvend do të mbahet në 24 korrik, kur dhe i përfundon mandati presidentit Ilir Meta.
Bojkotuan votimin e Bajram Begajt/ Alibeaj: Farsa e radhës ku Ramës i duhej opozita vetëm për fasadë
Kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka argumentuar mungesën e deputetëve demokrat në sallë, duke thënë se i gjithë procesi ka qenë farsë.
“Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës ishte farsa e radhës për të cilën opozita i duhej Ramës vetëm për fasadë.
Për shqiptarët e mësuar me lojërat e politikës së vjetër, shfaqja e sotme, që nga propozimi i emrit, procedurat e përshpejtuara dhe përfshirja e non gratave të Parlamentit, dëshmuan dhe njëherë se nuk ka asnjë të re nga fronti i atyre që mbajnë njëri-tjetrin në skenën e politikës.
Grupi parlamentar i PD vendosi të mos marrë pjesë në këtë seancë fasadë votimi, sikundër në mënyrë tejet transparente, përgjatë disa takimeve mediatike ne syt të publikut u tregoi shqiptarëve që nuk bëhet pjesë e bojkotit të institucioneve apo negociatave, kulisave apo pazareve. Por kurrsesi nuk mund të shndërrohej në garniturë të pjatës së servirur nga Edi Rama.
Shqipëria kishte nevojë jo vetëm për një President të të gjithëve, por mbi të gjitha për një proces gjithëpërfshirës, transparent e real, i cili t’i jepte atij besimin e të gjithë shqiptarëve. Produkti i këtij procesi do mund të shihej kështu si bartës i unitetit të popullit, si njeriu mbi palët, si zbutës e moderator i klimës politike dhe si rregullator i ngërceve insititucionale.
Presidenti i Republikës forcën e vet e merr nga besimi dhe legjitimiteti që populli i jep. Ishte ky detyrimi që secila palë politike, e cila pretendon të përfaqësoje sinqerisht shqiptarët, duhej të angazhohej e të përmbushte kështu detyrimin e saj kushtetues, politik dhe institucional. Këtë besuam e besojmë, dhe kësaj i shërbyem. E sotmja po, por edhe e ardhmja do na gjykojë e japë të drejtë”, shkruan Alibeaj.
Kush janë opozitarët që bojkotuan seancën për presidentit të ri! Alibeajt i mbetën besnikë 30 deputetë! Rithemelimi i Berishës lë sallën sapo nis votimi (EMRAT)
Grupi parlamentar i PD, i kryesuar nga Enkelejd Alibeaj vendosën të mos jenë prezent në seancën e posaçme për presidentin e ri të Shqipërisë.
Edhe aleatët e PD, grupi i Fatmir Mediut, Dashamir Shehi, Agron Duka dhe Vangjel Dule ishin pjesë e seancës së jashtëzakonshme, por sipas tyre për të respektuar institucionin, ndërsa janë tërhequr nga votimi.
Sali Berisha me deputetët e Komisionit të Rithemelimit shkuan në seancë, por dolën sapo do të niste procesi i votimit.
Megjithëse e gjithë opozita bojkotoi procesin, LSI mori pjesë në procesin e votimin duke shprehur votën kundër, ndërsa krah PS u rreshtua edhe një votë e ardhur nga opozita.
Deputetët e Enkelejd Alibeajt që bojkotuan
- Alfred Rushaj
- Andia Ulliri
- Arbi Agalliu
- Bledjon Nallbati
- Dashnor Sula
- Dhurata Çupi
- Emilja Koliqi
- Enkelejd Alibeaj
- Eralda Bano (Tase)
- Fatjon Veizaj
- Flamur Hoxha
- Flutura Açka
- Gazment Bardhi
- Greta Bardeli
- Helidon Bushati
- Ilda Dhori
- Jorida Tabaku
- Kastriot Piroli
- Xhelal Mziu
- Kreshnik Çollaku
- Lefter Gështenja
- Lindita Metaliaj
- Lulzim Basha
- Merita Bakiu
- Orjola Pampuri
- Ramadan Likaj
- Saimir Korreshi
- Seladin Jakupllari
- Zef Hila
- Zheni Gjergji
Deputetët e Rithemelimit që bojkotuan
- Luçiano Boçi
- Ervin Saliani
- Ina Zhupa
- Ferdinand Xhaferraj
- Agron Gjekmarkaj
- Grida Duma, Agron Çela
- Kasem Mahmutaj
- Oerd Bylykbashi
- Belind Këlliçi
- Flamur Noka
- Albana Vokshi
- Sali Berisha
- Tritan Shehu
- Edmond Spaho
- Luan Baçi
4 aleatët e PD që bojkotuan
- Dashamir Shehi
- Fatmir Mediu
- Agron Duka
- Vangjel Dule
Morën pjesë në votim
- Monika Kryemadhi
- Erisa Xhixho
- Petrit Vasili
- Shpëtim Idrizi
- Mesila Doda
- Nusret Avdulla
‘Meta firmosi dekretin jashtë Shqipërisë’, Balla- Berishës: Firma në tokë shqiptare! Kushtetuta s’e ndalon që një ushtarak të propozohet për president
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj akuzave të Berishës se Meta ka shkelur Kushtetutën pasi ka firmosur një dekret jashtë vendit.
“Kushtetuta është shumë e qartë, raporti i Komisionit të Ligjeve e ka sqaruar. Fantazmat kanë problem me gjeografinë. Të thuash që kjo çështje, që konsullata shqiptare në Stamboll nuk është tokë shqiptare, por është turke, është njësoj sikur ka thënë dikur që deti i Shqipërisë është i Greqisë, apo gjykatën e Parisit që e ka bërë gjykatë amerikane se nuk shkon dot vetë në Amerikë”, tha Balla.
Balla sqaroi se Kushtetuta thotë s’lejohet që ushtaraku të emërohet në detyra të tjera, por nuk ndalon propozimin, prandaj emri i Bajram Begajt është kushtetues.
Berisha publikisht kundër Metës: Shkeli Kushtetutën, nuk mund të firmosë dekret jashtë vendit! S’ka ankimim në Kushtetuese se është e kapur nga qeveria
Sali Berisha ka lënë seancën plenare ku po votohet për presidentin e ri. Ai ka hedhur akuza për mazhorancën duke thënë se Bajram Begaj ka shkuar në zyrën e presidentit si shefi i shtabit. Ai tha se dekreti i Metës i firmosur jashtë shtetit nuk është i ligjshëm, teksa pyetur nëse do e ankimojë në Kushtetuese, u justifikua duke thënë se kjo Gjykatë është e kapur.
“Metës i është dërguar dekretimi dhe çdekretimi i kandidatit. Kurrë nuk do të gjeni një rast të vetëm kur një person kalon nga karrigia e shefit të shtabit të përgjithshëm në president, kjo ndodh vetëm në junta dhe grushte shtetit. Kjo procedurë është shumë e rrezikshme për vendin, sepse kjo i hap rrugë që çdo shef shtabi të ketë dëshirën për t’u bërë president, i cili në rastin konkret Rama është korruptuar me pronat e ushtrisë. Një rast që s’ka ndodhur kurrë në historinë e vendeve të lira dhe unë e denoncoj këtë. Burime të besueshme të mediave dhe politikanëve kanë denoncuar se zotëria ka firmën mbi dokumentet e plaçkitjes së bazave ushtarake në Sarandë dhe në Gjirin e Palit. SKAPI i partisë tha se nuk ka asnjë hetim për Begaj, nuk guxon që të nisë hetimet nga politikanëve, për Ahmetaj dhe për Erion Veliaj. Jashtë territorit nuk ka dekret. Jemi në shkeljet flagrante të Kushtetutës, Lindita Nikolla e ka si me çelës Kuvendin. Me këtë kontroll që ka ekzekutivi mbi drejtësisë, c’po ndodh me gjykatën Kushtetuese, e mban çështjen dhe kujtohet në fund që nuk legjitimohet”, tha Berisha.