Në teatër dikur ishte koha e të mëdhenjve, shprehet aktorja e Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”. Aktorja, e cila ka sjellë në skenë dhjetëra role, me vlerësime brenda dhe jashtë vendit, në një rrëfim për jetën e saj artistike tregon dhe për rolin e Hekubës te “Trojanet”. E desha shumë Hekubën thotë ajo sa harrova dhe gjumin. Një sukses i aktores së fundmi ishte në shfaqjen “Rrëfimet tona”. Një bashkëpunim me regjisoren Driada Dervishi, që aktorja e vlerëson shumë. Por në muajin e teatrit, aktorja jep mesazhin që duhet më shumë investim nga shteti. Në intervistën për gazetën “SOT” aktorja Margarita Xhepa flet dhe për mungesën e veprave shqipe në skenë, ku problem është dhe regjia, por thotë se kemi talente në aktrim. Margarita Xhepa është nderuar “Artiste e Popullit”, “Mjeshtre e Madhe”, “Nderi i Kombit” si dhe titulli “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Margarita Xhepa është një nga zonjat e mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, me role brilante që prej fillimit të saj dhe deri tani. Ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe mbi 40 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë.
-“Rrëfimet tona”, shfaqja që iu dedikua gruas dhe viktimave që humbën jetën si pasojë e dhunës bëri bashkë figura të njohura. Një shfaqje që ishte në skenën e Tiranës dhe në teatrin e Durrësit. Si ishte për ju ky angazhim këtë herë me këtë shfaqje, që erdhi në skenë për Ditën e Gruas?
Një shfaqje, që i flet realitetit. Driada Dervishi është një regjisore e talentuar dhe me fantazi. Punoi me dëshirë dhe vuri në skenë këtë shfaqje. Për 8 Marsin një temë, ku mori monologje të mrekullueshme, gra të lira. Tregoi historitë e tyre nga më të ndryshmet dhe të veçantat, të shkruara bukur dhe të interpretuara nga aktoret. Unë e mora këtë pjesë me kënaqësi. Por kam dhe fatkeqësinë e këmbës që jam sëmurë dhe roli im ishte i ulur, dhe aty e thotë vetë personazhi im që jam një veterane e azilit. Pret ato që vijnë aty dhe i qetëson, si sistemon nëpër dhomat e tyre, krijon qetësinë midis grave. Është një personazh i dashur për to dhe e trajtojnë me dashuri. Ajo ndjen miqësinë, dashurinë, dhembshurinë. Tregojnë të gjitha historitë e tyre. Figura e personazhit tim rrezaton fisnikëri, sepse i trajton të gjitha njëlloj, bën dhe humor me ato. Shfaqja tregon dhunën ndaj grave, që është aktuale tek ne sepse ka ndodhur dhe është e dhimbshme, por është e pranishme. Të vrasësh njeriun është gjëja më makabre për arsye të vogla ose pa arsye fare.
-Ky sukses në teatër me këtë shfaqje erdhi pas atij më të fundit në kinema në filmin artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve”, bazuar në romanin e shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli. Një dramë shqiptare, aktorë të njohur, përplasje brezash dhe realitete. Në film me rolin e nënës, ju keni dëshirat e shumë nënave që kanë mall për fëmijët, që nuk i kanë brenda familjes të tyre…
Me rolin e nënës në këtë film unë kërkova për diçka tjetër, që ekziston ajo nënë që është aty. Kam dëgjuar dhe unë histori të grave. Një nënë në rol, që është intelektuale dhe ka qenë artiste. Ka një burrë që është muzikant, por sëmundja dhe mosha bëjnë të vetën. Personazhi i sëmurë dhe unë që luaja personazhin ishim të dy të sëmura në film. Nëna në film rri në katin e parë për shkak se sëmurë nga këmbët dhe bashkëshorti i saj rri një kat më lart. Por ia dolëm, kur është dëshirë për të sjell një figurë paqësore. E bija i flet për shërbyesen, por ajo sërish e mbron, gjë të mirë që ajo ka konstatuar: fjalë pak dhe punë shumë. Nëna dhe babai të moshuar që luhen rolet nga unë dhe Robert Ndrenika vdesin në dorën e shërbyeses, që e ka gjetur djali. Ky bashkëpunim më i fundit me regjisorin Spartak Pecani, më nxori mallin kur xhironim filmat dikur, që kishte një disiplinë ndaj punës, një respekt dhe ka qenë kohë e artë. about:blank
-Mes shumë roleve në skenën e Teatrit Kombëtar jeni edhe në dramën “Trojanet”, me regji nga Vangjelis Teodoropulosv. Hekuba mbretëresha e Trojës një tjetër sukses, që siç jeni shprehur dhe vetë një rol që e kishit pasur peng dhe e realizuat. Kanë kaluar disa vite, çfarë keni parë te kjo figurë?
Hekuba ka qenë ëndrra ime dhe qe një mrekulli në jetën time artistike, që mua mu besua ky rol nga një regjisor grek. Ai e mori iniciativën dhe kur erdhi tha që vetëm një rol kam ndarë Hekubën, sepse kam parë Margarita Xhepën në Greqi dhe ka luajtur te “Elektra” e Sofokliut, ka bërë një film dhe me Kadri Roshin. Është roli i shkruar, por ka dhe aktorin që i shton. Mua më ndihmonte vetë Hekuba me ngjarjet dhe tragjeditë e saj. Por unë e përballova, sepse ishte në natyrën time, në dramacitetin tim dhe në pjekurinë time artistike, si dhe ndihma që më dha regjisori grek, por dhe partnerët e mi. Unë harrova gjumin për atë rol. E desha kaq shumë Hekubën.about:blank
-Nga viti 1950 u aktivizuat si artiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studiuat në Liceun Artistik, dega e Dramës. Cili ka qenë roli juaj i parë?
Unë erdha në teatër me arsimin 7- vjeçar. Hyra në Liceun Artistik për degën e Dramës. Aty më mori regjisori Pandi Stillu si probiste dhe në të njëjtën kohë studioja dhe në Liceun Artistik. Unë merrja një rrogë të vogël atë kohë, por bëra shkollën. Aktori ka nevojë për kulturën. Aty unë dëgjova për herë të parë antikitetin dhe jam mrekulluar nga Xhemal Broja një dramaturg shkodran, që patëm fat që e kemi pasur dhe drejtor. Për mua mbetet një nga drejtorët më të mirë të Teatrit Kombëtar gjatë jetës sime artistike. Në Lice ai jepte mësim te dega e Dramës antikitetin. Roli im i parë ka qenë te një pjesë që quhej “Zëri i Amerikës”. Luaja rolin e kamarieres, që ma besoi regjisori Pandi Stillu. Një kamariere që shërbente në tavolina dhe kishte një moment që dikush e fyeu, sepse i tha pse po vononte dhe nuk po i shërbente. Aq shumë u fye sa nga sytë i rrodhën lot. Kamarierja ishte rritur jetime dhe nuk kishte njeri. Më ngacmoi pak ky rol, sepse dhe unë e kam pasur në jetën time personale dhe pikuan lot dhe në faqet e mia. Aty u krijua një besim i madh te regjisorët dhe ai rol më solli shumë role më pas.
-Jemi në muajin e teatrit, ku disa ditë më pas shënohet dhe Dita Botërore e teatrit. Jeni shprehur dikur që para ‘90 janë bërë shfaqje teatrore ku spektatorët zinin radhën, që në 4 të mëngjesit për bileta. Kryesore sipas jush në atë kohë ishte përkushtimi ndaj punës e dashuria ndaj profesionit, dhe sot kjo është zbehur. Çfarë ka ndodhur me teatrin?
Kjo është e vërtetë, që nga “Halili dhe Hajria”, “Hamlet”, “Arturo Ui” dhe “Ezopi” për këto pjesë kanë vajtur kanë mbajtur radhë herët. Kanë qenë shfaqje të suksesshme dhe spektatori e ka dashur teatrin, por dhe teatri e rriti autoritetin e tij duke vënë pjesë serioze. Jo vetëm shqiptare, por vuri dhe pjesë klasike, Shekspir, vuri dhe kontemporane. Repertori i teatrit u pasurua. Teatri ishte me karaktere të ndryshme që nga Mihal Popi, Ilia Shyti, Mihal Stefa, Gjon Karma, Ndrek Shkejzi, Marika Kallamata, e deri tek rolet kryesore që ishin që nga Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Sandër Prosi, Prokop Mima, Naim Frashëri, Maria Logoreci, Violeta Manushi, Drita Pelinku, apo dhe Besa Imami. Më vjen keq që mos kem harruar ndonjë emër, por ka qenë koha e të mëdhenjve, e grave aktore dhe burrave aktorë në teatër. Ajo ka qenë kohë e artë e teatrit. Punohej me dashuri, pa interes, me pasion. Kishin ardhur aty për pasion, jo vetëm për të marrë rrogën. Sot është zbehur kjo dhe janë shumë arsye. Kam keqardhje, kam dhimbje, por duhet pranuar që sot nga Akademia e Arteve kanë ardhur djem dhe vajza të talentuar. Por nuk po shohim sa duhet dhe vepra shqipe në skenat tona. Nuk po shkruhen drama shqipe.
-Marsi muaji i teatrit shkruhet dhe në faqen e Ministrisë së Kulturës. Mesazhi juaj për teatrin?
Mesazhi im është që ta duan teatrin, të kontribuojnë për teatrin, të shkruajmë për teatrin. Të jemi modestë dhe të punojmë sa më shumë si artistë dhe ta duam këtë profesion, sepse fisnikëron popullin, krijon dashuri, të bën njerëzor dhe të largon nga veset e këqija. Sot vëmendja e Ministrisë së Kulturës ndaj teatrit është e paktë. Vëmendja për artin nuk është ajo që duhet. Investimi nga shteti duhet të jetë më i madh në dramën shqipe dhe në kinematografi. Të ketë konkurse të nxiten krijuesit, të bëhet diçka që të paguhen edhe skenaristët, aktorët e regjisorët.
-Artistë të ndryshëm shprehen se sot problem është dhe mosqarkullimi i shfaqjeve në skena të ndryshme. Si ndikon kjo për ju?
Kur nuk ka buxhet për teatrin sa duhet do jenë edhe këto probleme. Kur nuk ka fonde, që të ketë dhe dieta për artistët nuk bëhen dot as turne. Në atë kohë bëheshin turne dhe na jepnin dhe dieta dhe kishim të hanim. Dikur turnetë janë bërë me muaj dhe jo me javë, por tani nuk ka.
-Skenari sipas jush ka shumë rëndësi në filma, çfarë i ka munguar kinemasë?
Mendoj se duhet të kemi më shumë skenarë me tema nga më të veçantat, shumë pak po shkruajnë tema sociale. Spartak Pecani bashkë me Linda Fejzon u mbështetën te një roman i Fatos Kongolit dhe bënë skenarin, por doli një film i bukur dhe me mesazhe. Edhe nga një novelë mund të bësh një skenar filmi. Kemi novela me tema të ndryshme, sepse shkrimtarët shkruajnë. I thashë dikujt për këtë problem, por tha që paguhen pak. I them, po ne që nuk jemi paguar me filmat në Kinostudio dhe kemi bërë tërë ato filma? Në Kinostudio para ‘90 asnjë aktor nuk është paguar, por me dashuri dhe pasion e përkushtim kemi punuar dhe kemi bërë tërë ato filma. Unë kisha vetëm rrogën e teatrit dhe asgjë tjetër, as ndonjë fletë lavdërimi nuk kemi marrë nga Kinostudio.
-Si e shikoni brezin e ri në teatër dhe në kinema?
Siç u shpreha dhe më lart kanë ardhur djem dhe vajza të reja, që janë talente. Por gjithmonë në teatër është vepra, shfaqja, regjisura. Kemi aktorë, por regjia dhe vepra janë mangësi në teatër.
-Jeni nderuar “Artiste e Popullit”, “Mjeshtre e Madhe”, “Nderi i Kombit” si dhe titulli “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, por mbi të gjitha për ju ka qenë dashuria e publikut…
Dashuria e publikut është kryesore, është frymëzimi ynë. Na nxisin dhe ne jemi të frymëzuar, pra respekti i njerëzve është gjë e madhe. E ndjej kudo sa dal nga shtëpia.
Intervistoi: Julia Vrapi