Deputetja e Partisë Socialiste për Lushnjen, Lindita Buxheli, është shprehur se qeveria duhet që të jetë më e ashpër ndaj abuzuesve së çmimeve. Në një prononcim për gazetën “SOT”, ligjvënësja Buxheli zbuloi se ka zhvilluar takime më qytetarët e Lushnjes për tu njohur nga afër hallet dhe problemet e tyre.
“Në rreth 1 muaj fushatë dhe thuajse një vit pas zgjedhjeve të 25 prillit ne u ballafaquam me qytetarët e qytetit të Lushnjes pamë nga afër arritjet dhe mosarritjet tona. Në 6 mars ata votuan kryetarin aktual, jam takuar gjithë këto ditë me ta kam njohur nga afër hallet dhe problemet e tyre për të krijuar një besim të ndërsjelltë me ta. Jemi takuar me mjekë, mësues, fermerë, grumbullues të produkteve bujqësore kam marr dhe nxjerr dhe mesazhe qytetare. Nëse humb kontaktin me ta ata din që të ndëshkojnë me votën e tyre. Ata e dinë mirë se 3 mijë lekë nuk është vlera që do t’u ndryshojë jetën, por janë provat se ne jemi përherë në krahun e tyre kur ata kanë nevojë ashtu si bëmë edhe në vitin 2013 që dhamë shpërblimin për fundvit pensionistëve. Duhet që te jemi më të ashpër ndaj abuzuesve ndaj çmimeve si edhe monitorues të zbatimit të ligjit”, tha ajo.
Ndër të tjera, ajo u shpreh se nga takimet që ka zhvilluar me fermerët ata kanë kërkuar që të zërohet TVSH-ja për inputet bujqësore dhe plehrat. Sipas saj, ministria e Bujqësisë duhet të jetë në krah të fermerëve.
“Në ato pika grumbullimi që kam vizituar këto ditë lajmi i mirë është se vihet re një tendencë në rritje e eksportit që bënë të mundur edhe çmimin favorizues për dorëzuesin. Nga bisedat me fermerët ata kërkojnë që të shihet mundësia e zerimit të TVSH-së për inputet bujqësore, për plehrat kimike dhe për farat. Lind si domosdoshmëri për bujqësinë që ministria e Bujqësisë të jetë në krah të fermerëve. Në mandatin e shkuar i ndjeri Bashkim Fino bëri një premtim për rrugën Sabri Kosturi në Lushnje dhe kjo rrugë tashmë ka përfunduar dhe është 1.2 km e gjatë dhe me standard bashkëkohore”, nënvizoi deputetja e Partisë Socialiste për Lushnjen, Lindita Buxheli.