Ish-deputetja socialiste dhe ish-nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj thotë se çështja e gruas, trajtohet si e seksit të dobët. Por ajo deklaron se çështja e gruas mund të jetë çështje e të drejtave themelore dhe si të drejta të tilla, është detyrimi i gjithë shoqërisë për të mbrojtur të drejtat.
Për emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos, Leskaj theksoi këtë të mërkurë se një shoqëri nuk mund të jetë e demokracisë funksionale, nëse gjysma e shoqërisë është e nën përfaqësuar.
Ish-deputetja socialiste shprehet se feminizmi në Shqipëri ka filluar në vitet ‘30-të, por tha se për fat të keq nuk njihen ato feministë si Olga Pëllumbi e cila shkruante në revistat e kohës me Migjenin. “Kam shkruar për të se kam dashur ta evidentoj. Nuk duhet parë si një keqardhje ndaj grave, si mbështetje ndaj grave, por si një e drejtë njerëzore. Nuk humbasin gratë apo fitojnë gratë, humbet apo fiton shoqëria. Në universitet 65% janë vajza. Olga Pëllumbi në vitin 30-të ka thënë që vëllezërit duhet ti lënë motrat të bëjnë dashuri. Është gruaja e parë që ka shkruar për feminizmin në Shqipëri, është gruaja që mbeti me një djalë dhe më vonë djali i saj ka qenë themelues i Radio Tiranës. Ka qenë dhe partizane dhe është gruaja që është votuar më shumë se Enver Hoxha në 45, ka qenë presidente e gruas së Shqipërisë, për gjithçka përfaqësonte, ajo u hoq. E kam thënë se ajo u tërhoq në vilën e saj në Rrugën e Kavajës, kur flisja me të kur i shkova në shtëpi, sytë më rrinin te biblioteka e saj shumë e pasur, e studiuar jashtë, nga familje patriotike, mbeti në hije në shtëpinë e saj në Rrugën e Kavajës. Ishte me rrezik ti merrje intervistë në shtëpinë e saj, por isha e re atë herë. Ishte me rrezik se hoq ajo dhe u vu Nexhmija”, deklaroi ajo.
Leskaj shton se është në mbështetje të kuotës si masë e përkohshme, duke thënë se ka qenë kryetare e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kur grupi i grave në parlament, ishte 6.7% dhe kur u luftua për arritjen e kuotës. Ajo beson se sasia do të sjellë edhe cilësi, edhe nëse ka ndonjë dobësi në këtë proces, ndonëse shprehet se në politikë çalon përzgjedhja dhe njerëzit nuk duhet të jenë as për shkak të gjinisë, as për shkak të moshës së re, as për shkak të moshës së vjetër, por për shkak të disa vlerave. “Unë jam për disa filtra sidomos për disa pozicione që kanë nevojë që të kenë njerëz me integritet profesional, moral dhe disa cilësi që i kërkon politika. Për fat të keq në vitet e fundit jemi pak larg demokracisë funksionale. Janë hequr nga fjalori politik disa çështje që kanë të bëjnë me demokracinë funksionale, si meritokracia, gjithëpërfshirja, që një periudhë duket se ishin në modë në Shqipëri. Ajo që mua më shqetëson është që demokracia që ne sot konsumojmë, është më shumë demokraci minimaliste, siç e quan Karl Poper. I gjithë diskursi fokusohet tek zgjedhjet. Në çdo rast për zgjedhjet diskutojmë dhe paaftësinë e politikës për dialog, edhe për gjëra të mëdha strategjik. Zgjedhjet mi vodhe, ti vodha zgjedhjet, të bën dhe të fyhesh. Ka paaftësi për diskurs politik, për disa gjëra. Kam drejtuar disa delegacione qoftë në BE, nuk ka më keq kur këto konflikte i transferojmë atje dhe zihemi dhe atje. Duke u okupuar gjithë diskursi me këto çështje kanë dalë në periferi çështje të tjera. Nuk kemi diskutim serioz dhe të madh për modelin ekonomik, për modelin social që ne kemi apo demokracisë që funksionojmë. Shumë çështje që janë të rëndësishme dhe strategjike për të ardhmen e vendit, mbeten në periferi se e kanë uzurpuar debatin publik, çështjet e politikës së ditës, në kurriz të politikës së të ardhmes”, nënvizoi ajo.
Lidhur me librin e saj “Politikë si ide”, tha se nuk është një libër autobiografik, apo kujtimesh, por se është një refleksion dhe analizë, se si sheh disa nga çështjet me të cilat përballet shoqëria shqiptare, jo vetëm bazuar në eksperiencën që kam pasur në politikë, por edhe duke i përballur me eksperienca të vendeve të tjera botërore. Leskaj bëri të ditur se ka qenë për shumë vite e angazhuar në shoqërinë civile, edhe në vende të Afrikës dhe Azisë, në misione fakt mbledhëse dhe kjo e ka ndihmuar në shkruajtjen e librit.