E premte, 30 Tetor, 2026

Kuvend/ Mes kaosit e flakadanëve miratohet me 84 vota pr.ligji për Bankën e Shqipërisë, përjashtohen 4 deputetë të PD! Berisha thirrje për dhunë, i hiqet e drejta e fjalës

Share

Që do të ishte një seancë plenare aspak e qetë, opozita e paralajmëroi që me mbërritjen në oborrin e parlamentit.

Në duar mbante foto të protestuesve të dëmtuar gjatë protestave qytetare dhe që në nisje të seancës, bllokoi menjëherë foltoren.

Kreu i PD, Sali Berisha tha se në vend të protestuesve, dhunën e meritojnë deputetët e Partisë Socialiste.

“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha.

Menjëherë kryeparlamentari Niko Peleshi kritikoi kreun e PD-së dhe i hoqi atij të drejtën e fjalës për gjithë ditën, me argumentin se Berisha bëri thirrje të hapur për dhunë nga foltorja e Kuvendit.

“Zoti Berisha ky nuk është procedurë, por është përdhunim… T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi.

Me gjithë ndërprerjet 2 herë të seancës nga Peleshi në përpjekjen për të rikthyer normalitetin, PD nuk bëri hap pas.

Madje edhe gjatë pushimit, këto pamje tregojnë deputeten e PD Greta Bardeli që tenton të shkojë drejt Peleshit, por ndalohet nga Garda.

Thirrjet e Peleshit për seancë normale morën mbrapsht refuzim, gjë që solli edhe zhgënjim, që u duk qartë edhe në reagimin e kreut të Kuvendit.

Më tej, PS vuri në lojë planin B. Kalimin në votim menjëherë. Moment i parashikuar mesa duket prej tyre, pasi ndërkohë në Kuvend kishte mbërritur kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku për të plotësuar shumicën e cilësuar.

Edhe PD e kishte ruajtur një efekt surprizë. Me t’u shfaqur kreu i qeverisë në sallë, ndezën flakadanët e tymueset blu.

Minutat e Ramës në seancë zgjatën pak. Sapo u votua pr.ligji i ri për Bankën e Shqipërisë, ku kartoni i tij ishte i domosdoshëm për të plotësuar 84 votat e nevojshme, u largua. Pak minuta pas tij, edhe Berisha i la të vetët në foltoren e zaptuar.

Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë parashikon mbrojtje të posaçme procedurale për Guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, duke përcaktuar se ata nuk mund të arrestohen apo t’u kufizohet liria pa një autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese. Parashikohet gjithashtu që Euro do të jetë monedha zyrtare në Shqipëri menjëherë pasi vendi të jetë pjesë e BE-së. Euro që përdoret masivisht në ekonomi, në secilën hallkë të saj, nga blerjet e shërbimeve apo produkteve, e deri tek kreditë e depozitat, do të jetë monedhë zyrtare e vendit.

Kënga Ramës, iu këndua vetëm pasi kreu i qeveris nuk ishte më në sallë.

“Rama jepe dorëheqjen”, kënduan në kor deputetët demokratë.

Në përfundim, deputetët e PD nuk u distancuan nga thirrjet për dhunë të kryetarit të tyre, por dhanë këtë koment:

“Si mund të jetë normale kur studentët janë atje jashtë….”, tha Alizoti jashtë Kuvendit.

Ndërsa Taulant Balla paralajmëroi përjashtimin e të gjithë atyre që ndezën flakadanët: ‘E vulosën vetë përjashtimin me 60 ditë’.

Praninë e Belinda Ballukut në Kuvend sa herë që mazhorancës i duhet të plotësojë shumicën e cilësuar 84 vota, një ditë pasi SPAK mbylli hetimet dhe është gati ta çojë në GJKKO për 15 krime, kreu i grupit socialist kishte këtë koment.

“Është deputetja më e mirë që kemi…”, tha mes të tjerash Balla.

Te tjera

Lajme te tjera