Partia Socialiste duket se ka marrë “flakë” nga brenda pas lëvizjes misterioze të Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit drejt qeli-bunkerit të Fierit. Ajo që nisi si një vendim “sekret” i kupolës, është kthyer në një boomerang shpërthyes, ku dy drejtues të komisioneve parlamentare, Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi, kanë kërkuar zyrtarisht informacion mbi mënyrën se si është kryer transferimi i kryebashkiakut. Burime nga grupi parlamentar socialist bëjnë të ditur se kërkesa e tyre është depozituar paraditen e së enjtes në Kryesinë e Kuvendit dhe më pas i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë të drejtuar nga Toni Gogu.
Dy ligjvënësit kërkojnë të mësojnë nëse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e kishte vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për urdhrin e transferimit të Veliajt nga Durrësi në Fier. Gjithashtu, Xhafaj dhe Çuçi kanë kërkuar t’u vihet në dispozicion praktika dokumentare e ndjekur gjatë këtij procesi, përfshirë urdhrin që institucioni i burgjeve e ka klasifikuar si sekret shtetëror. Kërkesa e tyre vjen pas një debati të fortë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku Bledi Çuçi i ka kërkuar shpjegime ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. “Ku e ke letrën e transferimit? Duhej ta kishe marrë para se të hyje. Nëse nuk e ke, jep dorëheqjen!”, mësohet t’i ketë thënë Çuçi ministrit gjatë mbledhjes. Ministri Gogu është përgjigjur se ishte në pritje të informacionit përkatës, por kjo përgjigje ka sjellë një tjetër reagim të Çuçit. “Nëse nuk ke ti informacion, që je ministër Drejtësisë, jep dorëheqjen”, mësohet t’i ketë thënë deputeti socialist.
Debati mes Çuçit dhe ministrit Gogu
Bledi Çuçi: Kemi një transferim që bëhet pa miratimin e personit, pa shkresë të Drejtorit të burgut të Durrësit, e nuk dimë nëse ka ndonjë shkresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Toni Gogu: I dashur Bledi shumë faleminderit që po e ngre këtë çështje. Do ishte mirë të ma kishte thënë personalisht, siç kemi folur dhe për gjëra të tjera. Por po të jap shpjegim edhe këtu në grup.
Çuçi: Po të flas si kryetar i Komisionit të Sigurisë, e po të kërkoj shpjegim në sy të të gjithëve.
Gogu: Jam marrë menjëherë me rastin. Sapo e kam marr vesh, kam kërkuar të gjithë praktikën.
Çuçi: A është bërë transferimi me ndonjë shkresë apo jo? Nëse ti nuk e di pasi kanë kaluar 24 orë, për çfarë rri ministër. Jep dorëheqjen?
Gogu: Atë e çmoj unë. Kam kërkuar informacion që dje.
Çuçi: Dhe ti ende nuk e ke këtë informacion?
Gogu: Do marr informacionin e plotë, pasi kam kërkuar inspektim.
Debate edhe në Këshillin Bashkiak
Por transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit ka shkaktuar dje debate në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Këshilltarë socialistë dhe demokratë kërkuan transparencë për arsyet e transferimit dhe kushtet e mbajtjes së kryebashkiakut, ndërsa nuk munguan akuzat për motive politike. Mbledhja ishte thirrur për miratimin e listës së 1500 aplikuesve të shpallur fitues të programit social për subvencionimin e interesave të kredive për blerjen e banesave në kryeqytet, por gjatë diskutimeve u trajtua edhe situata e Veliajt. Këshilltari socialist Halit Valteri kërkoi që çështja të diskutohet zyrtarisht në Këshillin Bashkiak, duke shprehur shqetësimin për raportimet mbi kushtet e paraburgimit të kryebashkiakut.
“Shqetësim për transferimin e papritur dhe kushtet e rënda në të cilat raportohet se po mbahet në Fier. Shqetësimi edhe më serioz pas vizitës së Avokatit të Popullit, ku janë ngritur çështje që kërkojnë verifikim e ndërhyrje”, deklaroi Valteri. Ai theksoi se Veliaj gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat kushtetuese, pavarësisht masës së sigurisë. “Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor, kufizime të takimeve me familjarë, mbrojtës, apo marrje të kujdesit shëndetësor”, tha këshilltari socialist. Po ashtu, Valteri kërkoi nga Ministria e Drejtësisë dhe administrata e burgjeve të sqarojnë arsyet e transferimit dhe të bëjnë një vlerësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore të Veliajt, duke shtuar se, sipas informacioneve të tij, kryebashkiaku ka edhe këmbën në allçi. Edhe demokrati Dorjan Teliti ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si është kryer transferimi, duke përdorur tone të ashpra ndaj institucioneve.
“S’më intereson fati i kryebashkiakut si karrige, por si qytetar duhet të di kush rrëmbehet dhe si rrëmbehet”, deklaroi Teliti. Ai tha se Këshilli Bashkiak nuk ishte informuar për lëvizjen e Veliajt dhe se këshilltarët e kishin mësuar lajmin nga mediat. “E marrin e çojnë atje në Fier, e paketojnë. Të gjithë ne e kemi marrë vesh nga mediat. Duhet të ishte ngritur alarmi për rrëmbimin e tij”, u shpreh Teliti, duke e cilësuar transferimin si veprim me motive politike. Në të njëjtën linjë, këshilltari Fabian Topollaj theksoi se, pavarësisht marrëdhënies politike apo personale me Veliajn, këshilltarët kanë detyrim të kërkojnë informacion për situatën e tij. “Mund të jem i vetmi që nuk ia kam numrin Erion Veliajt, por jemi të detyruar të punojmë me të, Gjykata Kushtetuese e ka lënë atë në detyrë.
Kemi detyrim të themi çfarë ndodh me të që është i izoluar dhe nuk ushtron dot detyrën e tij”, deklaroi Topollaj. Ndërkohë, demokratja Ilda Zhulali akuzoi ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, se kishte urdhëruar transferimin e Veliajt në Fier për shkak të një postimi në “Facebook” lidhur me zhvillimet politike në Serbi. “Toni Gogu e transferoi në Fier pa asnjë dokument zyrtar dhe e ka çuar në izolim, për një status në Facebook”, pretendoi Zhulali, pa paraqitur dokumente që të provojnë akuzën. Ajo e zgjeroi diskutimin edhe te protestat në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, hetimin e dhunës së pretenduar policore dhe ndalimin e përdorimit të gazit lotsjellës në zonat e banuara. “Këshilli sot duhet të kërkojë dorëheqjen e Ramës, hetim të dhunës policore, ndalim të gazit lotsjellës në zona të banuara të Tiranës”, deklaroi Zhulali. Demokratja kërkoi gjithashtu shtyrjen e miratimit të kredive të buta, derisa të bëhet publik numri i përfituesve të mëparshëm që kanë arritur të blejnë banesa përmes këtij programi.
