E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Kreu i CIA-s vizitë 24 orëshe në Prishtinë, sot takoi kryeministrin dje Presidenten e Kosovës! Osmani e Kurti ndajnë mesazhin e William Burns

Share

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, u takua sot paradite (23 gusht 2024)  me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti. Takimi nisi rreth orës 09:00 dhe Burns u pa duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës rreth një orë më vonë.

Ende nuk ka një deklaratë rreth takimit me zyrtarin më të lartë amerikan të inteligjencës, ndërsa pas këtij takimi, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin po udhëton Burns, është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”. 

‘Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n. Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë’ shkruhet në faqen zyrtare të facebook të qeverisë së Kosovës.

Institucionet e sigurisë, inteligjencës dhe Qeveria e Kosovës u tha se janë të përkushtuara që të avancojnë bashkëpunimin me CIA-n.

“Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë” vijon njoftimi.

Takimi dje me Osmanin 
Një ditë më parë (22 gusht)  Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në takim mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti. Vizita është zhvilluar me masa të rrepta të sigurisë, e policia detyroi gazetarët të mbanin distancë të madhe me pjesën ku lëvizte Burns, që është edhe pjesëtar i kabinetit të presidentit Joe Biden.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! tha presidentja Osmani.

Pse tani? 
Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”. Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Vetë Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Burns ne Bosnje e Serbi
Shefi i CIA-s zbriti në Kosovë pasi ishte ndalur më parë në Sarajevë dhe në Beograd. Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviç, Zhelko Komshiç dhe Zhelka Cvijanoviçit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja. Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.

Karriera e Burns?
William Burns ish-diplomat dhe ish-ambasador në Rusi, është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është gjithashtu anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Biden e emëroi atë në pozicionin e drejtorit të CIA-s në janar 2021. Burns u betua si drejtor i CIA-s në mars 2021, duke u bërë diplomati i parë në karrierë që shërbeu si drejtor. Presidenti Biden e promovoi atë në kabinet në qershor 2023.

Te tjera

Lajme te tjera