E martë, 11 Gusht, 2026

Kosovë/ Kurti dështon të formojë qeverinë e re: Askush nuk pranoi bashkëqeverisje! Nuk mori 61 votat e nevojshme! 56 deputetë votuan pro, 52 kundër

Share

Kabineti qeveritar i propozuar sot nga Albin Kurti në Kuvend nuk mori dot 61 votat e nevojshme për t’u miratuar. 56 deputetë votuan pro kabinetit të ri, ndërsa 52 kundër dhe 4 abstenime. Përveç deputetëve të LVV-së, Kurti i mori 8 votat e tjera nga komunitetet e tjera jo serbe në parlament. Deputetët që abstenuan ishin: Fatmir Limaj, Arbëreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku dhe Veton Berisha.

“Konstatoj se me vota 56 vota pro dhe 52 kundër dhe 4 abstenime kuvendi nuk e zgjodhi qeverinë e republikës së Kosovës. Iu njoftoj se përgjegjësia kalon te presidentja Osmani, e cila pas konsultimeve ka mundësi të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër”, tha kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Tashmë lëvizja e radhës i takon presidentes Vjosa Osmani, e cila brenda 10 ditësh duhet të ftojë partitë për konsultime për të zgjedhur mandatarin e ri, që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse edhe përpjekja e radhës dështon, atëherë Osmani do të duhet të shpallë zgjedhje të reja që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Kreu i LVV-së Albin Kurti, si mandatari i parë pasi partia e tij doli forcë e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, e paralajmëroi dështimin e formimit të qeverisë që në nisje të seancës kur mori fjalën, teksa tha se asnjë parti nuk kishte pranuar një marrëveshje për të bashkëqeverisur.

“Asnjë nga partitë parlamentare që u bëmë ftesë nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje. Sot do të kishim mundësi që t’i jepnim vendit edhe qeverinë e koalicionit, por do të kishim edhe numrat për sfidën e zgjedhjes së presidentit. Sidoqoftë si pasojë e mosgatishmërisë që të marrin përgjegjësinë që ua ka deleguar qytetari me votë, sot ndodhemi para një situate ku qeveria propozohet si votim. Pa votimin e qeverisë së re, republika rrezikon të shkojë zgjedhje të reja.”, tha Kurti në Kuvend.

Kundërshtarët e Albin Kurtit nuk u kursyen ta sulmojnë brenda e jashtë sallës së kuvendit.

“Ishte një lloj shfajësimi për gjendjen që është vendi, problemet që ka vendi. Ka mundur me u shfajësuar edhe pak më shumë, me shpjeguar pak se pse jemi në sanksione, pse na është ndaluar dialogu strategjik. Kjo listë ka mundur me qenë e gjatë”, tha kreu i AAK, Ramush Haradinaj.

“Nuk ka numra, nuk është fundi i botës, për 8 muaj kanë mbajtur Kosovën të bllokuar me një qeveri që se kanë me numra. LDK nuk do bëjë debat, s’do dëgjojë asnjë debat, na keni thënë numrat i kemi, mateni veten me numra demokratik”, tha kreu i LDK, Lumir Abdixhiku.

Forca e dytë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit është PDK-ja e Memli Krasniqit, por ky i fundit, në një prononcim për mediat pas mbylljes së seancës, la të kuptohet se nuk do të marrë mandatarin e ri për të formuar qeverinë e re pasi as ai nuk e ka shumicën dhe se duhet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Në këto kushte, zgjidhja e vetme duket se janë zgjedhjet e parakohshme. Por, deri atëherë qeveria në detyrë do të kryejë detyrën e saj. 

Te tjera

Lajme te tjera