Nga Rigels Seliman
Pas një periudhe trevjeçare larg vendlindjes, u ktheva sërish në Kolonjë, aty nga ku u largova 27 vite më parë. U ktheva me emocion dhe mall, por ajo që më priste i tejkaloi të gjitha pritshmëritë. Kolonja që gjeta nuk ishte thjesht vendi i kujtimeve të mia, ishte një qytet që kishte ndryshuar rrënjësisht. I organizuar, i pastër, i gjallë, i gjelbëruar dhe mbi të gjitha i rigjallëruar.
Transformimi i Kolonjës nuk ishte një ndryshim sipërfaqësor. Ishte një ndryshim i ndërtuar me themel, në infrastrukturë, në shërbime, në atmosferë dhe në vetë ndërgjegjen qytetare. Rrugët e sistemuara, fasadat e kuruara me kujdes, hapësirat publike të mirëmbajtura dhe ndriçimi bashkëkohor në çdo cep të qytetit, ishin sinjale të qarta të një pune të vazhdueshme dhe vizionare.
Një ndër zhvillimet më strategjike që kishin ndodhur gjatë kësaj kohe ishte progresi i ndjeshëm në infrastrukturën rrugore. Rruga Korçë–Ersekë, tashmë e shtruar dhe e sigurt, kishte bërë që qyteti të afroheshin më shumë me pjesën tjetër të qarkut dhe vendit. Po ashtu, vazhdimi i punimeve në aksin Ersekë–Leskovik ishte një tjetër hap i rëndësishëm për zhvillimin e lidhjeve të brendshme dhe të turizmit në të gjithë rajonin.

Pikërisht këto rrugë të reja, të cilat e bëjnë Kolonjën më të aksesueshme se kurrë më parë, kanë sjellë një bum të vërtetë turistik. Qyteti është kthyer në një destinacion të preferuar për pushime, për shëtitje në natyrë dhe për përjetimin e traditave autentike shqiptare. Hotelet, bujtinat dhe agroturizmi janë rritur me ritme të vrullshme. Janë ngritur struktura mikpritëse që ndërthurin traditën me komoditetin modern, duke u kthyer në shtylla të reja të zhvillimit ekonomik lokal.
Por ky zhvillim nuk është i rastësishëm. Është fryt i një udhëheqjeje të qëndrueshme, vizionare dhe të guximshme. Nën drejtimin e Kryetarit të Bashkisë Kolonjë, z. Erion Isai, Kolonja ka përjetuar një kthesë të vërtetë. Ai ka treguar se dashuria për vendin nuk mjafton, nëse nuk shoqërohet me përkushtim, ide të qarta dhe guxim për të marrë vendime që çojnë përpara komunitetin.
Z. Isai ka qenë katalizatori i një filozofie të re qeverisjeje lokale, ku dialogu me qytetarët, transparenca dhe investimi në potencialet natyrore dhe kulturore janë vendosur në themel të çdo projekti. Mbështetja e turizmit, bujtinave familjare, fermave të vogla dhe sipërmarrjeve lokale ka krijuar jo vetëm vende pune, por edhe një ndjesi të fortë të përkatësisë dhe krenarisë për Kolonjën.
Sot, Kolonja është një model se si një bashki e vogël mund të ketë ndikim të madh, kur drejtohet me zemër dhe me vizion. Është një histori suksesi që meriton të vlerësohet, të promovohet dhe të shërbejë si shembull për bashkitë e tjera të vendit. Dhe për këtë merita kryesore i takon kryetarit të Bashkisë së Kolonjës së penës dhe pushkës, Erion Isai.