Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar në lidhje me zhvillimet gjatë protestës së Partisë Demokratike, duke dënuar aktet e dhunës dhe përdorimin e mjeteve zjarrvënëse pranë institucioneve shtetërore.
Në një reagim publik, Koçiu u shpreh se tentativat për t’iu afruar godinës së Policisë së Shtetit me molotovë në duar nuk përbëjnë akt proteste, por përpjekje për provokim dhe përshkallëzim të situatës.
“Të shkosh me molotovë në duar drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk është një akt proteste, por një provokim i hapur dhe një dëshirë e ethshme për përshkallëzim, duke tentuar të delegjitimohet forca e ligjit përballë presionit të rrugës. Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë”, shkruan Koçiu.
Ministrja përdori tone të ashpra ndaj drejtuesve të opozitës, duke e cilësuar situatën si një përpjekje për të tensionuar klimën politike.
“Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish. Ky zjarr nuk djeg dot asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm mbetjet e fundit të një opozite që nuk di më as kush është, as ku po shkon dhe as pse po bërtet”, vijon reagimi i saj.
Deklarata e ministres vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë marshimit të opozitës në Tiranë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit pranë Drejtorisë së Policisë. Situata në kryeqytet mbetet nën monitorim të shtuar nga strukturat e sigurisë.
